Tre krerët e shtetit, Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, braktisin vendin njëkohësisht, duke u larguar në vizita zyrtare jashtë vendit.
Këtë të hënë, vendi është në dorë të zëvendës kryeministrit Erjon Braçe. Ai është autoriteti më i lartë vendimmarrës nëse shteti përballet me ndonjë emergjencë kombëtare, i cenohet siguria apo ndodh ndonjë ngjarje e rëndësisë specifike.
Presidenti Ilir Meta ndodhet në Itali, ku është i ftuar në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s në Romë, me rastin e 10 vjetorit te futjes së Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike.
Në Itali është edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka njoftuar se do të zhvillojë një vizitë zyrtare dy ditore ku do të takohet me homologun italian dhe shtetarë të tjerë në kuadër të lobimit për procesin integrues të vendit.
Sipas të dhënave jo zyrtare, edhe kreu i qeverisë, Edi Rama nuk është në Shqipëri. Ai ndodhet në një vizitë qeveritare në Katar.
Vendin e ka lënë dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha i cili do të jetë në Lubjanë të Sllovenisë, pjesë e një takimi mbi fuqizimin e demokracisë në vendet e Ballkanit.
“Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të 3 personaliteteve kryesore jashtë vendit, në mënyrë ku vizitat koordinohen që të mos jenë të tre njëkohësisht”, thuhet në protokoll, i cili duket se është shkelur nga krerët e vendit.
g.kosovari