Brenda 15 dhjetorit të gjitha familjet që humbën njerëz të dashur të familjes nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin dhe që banesa e tyre u kthye në gërmadhë, do të transferohen nëpër shtëpi. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme me kabinetin e tij qeveritar.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se mes këtyre qytetarëve janë edhe dy fëmijët e vegjël, Alesio dhe Aureli, dy djemtë që ‘fluturuan’ nga dritaret e pallatit në Thumanë për t’i shpëtuar tërmetit shkatërrues. Po ashtu kreu i qeverisë deklaroi se në Thumanë nuk do të ndërtohet asgjë, pasi familjet që kanë humbur njerëz dhe ata që kanë ngelur pa shtëpi, nuk duan që të kthehen në atë vend.
“Hotelet do të fillojnë të zbrazen pas vitit të ri. Hapja e dyerve për të tjerë, duhet të jetë e kufizuar, pasi hyjmë në fazën ku mund të fillojnë spekulime. Familjeve që janë të hotel do u ofrojmë dy rrugë; atë të dhënies së lekëve në dorë dhe banesën ta gjejnë vet. Brenda atij fondi në zonën e Durrësit dhe Thumanës ka dhe koston e transportit. Dhe rruga tjetër është; ose do ja gjejmë vet. Mos harroni, 15 dhjetori eshte afati i fundit për të sistemuar në shtëpi familjet më fatkeqe. Për ta duhet të mbarojë procesi dhe duhet të jenë në shtëpi. Sikundër unë e dija më parë, asnjë nga ata që kanë pasur shtëpitë në pallatet e shembura nuk do që të shkojë atje, e kanë tmerr. Vetëm ideja që të shkojnë atje është tmerr. Kështu që s’kemi ça të ndërtojmë atje, dhe ata që kanë humbur dhe ata që s’kanë humbur njerëz”, tha Rama.
Ai u shpreh se ka dy opsione për ata që i janë dëmtuar shtëpitë: të marrin paratë dhe të gjejnë një shtëpi me qira derisa të mbarojë ndërtimi i shtëpive, ose të futen në shtëpitë me qira që i gjen shteti.
“Familjeve në hotele do i ofrojmë dy rrugë, rrugën e qirasë me lekë në dorë, merr fondin derisa ne të japim shtëpinë e re. Brenda atij fondi në Durrës dhe Thumanë ka dhe një ekstra për transportin. Rruga tjetër është t’ia ofrojmë ne. Kjo është shtëpia me qira futu. Ne i kemi alternativat prandaj nuk kanë pse të qëndrojnë në hotel. Familjet që do futen me qira të skanohen. Jo ata që nuk kanë lidhje me tërmetin drejtpërdrejtë. Ata të kthehen atje ku ishin”, tha Rama.
g.kosovari