Juno, sonda kozmike me energji diellore që u nis nga Toka pesë vjet më parë, ka bërë histori duke hyrë në orbitën e Jupiterit.
Sonda e NASA-s shkëputi motorin e saj kryesor në orën 6:18 sipas orës së Shqipërisë, duke ngadalësuar nga shpejtësia maksimale prej 265000 km/orë, për të mundësuar futjen e butë në orbitën e planetit më të madh të Sistemit Diellor.
Lëvizja u bë vetëm nga autopiloti, pa ndihmën e komanduesve nga Toka, të cilët shpërthyen në britma hareje dhe duartrokitje kur objektivi u konfirmua. Për të hyrë në orbitën e Jupiterit, Juno ka përshkuar një rrugë të paimagjinueshme prej 2.8 miliardë kilometrash.
Shefi i misionit, Scott Bolton, uroi skuadrën, duke thënë: “Ju realizuat gjënë më të vështirë që NASA ka bërë ndonjëherë”.
Në një konferencë shtypi në mëngjes, Bolton u drejtua me fjalët: “Jemi atje. Jemi në orbitë. E pushtuam Jupiterin”. Është një pushtim me kosto 1.1 miliardë dollarë të paguar nga SHBA për të arritur në Jupiter.
Pas mbërritjes në orbitë, Juno do të kthejë antenat nga Toka, për të përcjellë imazhe, megjithatë kjo nuk do të ndodhë të paktën për një muaj ose dy, deri sa sonda të zërë pozicionin e duhur. Në momentin e mbërritjes, kamerat kanë qenë të fikura, ndaj nuk do të ketë pamje të arritjes në orbitën e planetit gjigant.
Gjatë misionit të saj eksporues, sonda do t’i vijë 37 herë rrotull Jupiterit, deri sa në fund do të shkatërrohet, më 2018, kur të hyjë në atmosferë, një sakrificë e llogaritur për të mos u përplasur aksidentalisht me ndonjë nga hënat me mundësi banimi të planetit.
Brenda sondës, përveç instrumenteve shkencorë janë edhe tre “pasagjerë” të vegjël, në formën e figurave Lego, të bëra me alumin special që përdoret për anijet kozmike. Tre modelet përfshijnë atin e perëndive, Jupiterin (Zeusi në mitologjinë romake), gruan e tij që i ka dhënë emrin sondës, Juno (versioni romak i Herës) dhe astronomin Galileo.
DM/d.i.