Arrestohet në Shkodër kreu i një grupi kriminal gjatë një operacioni të nisur nga Danimarka, në bashkëpunim me pesë vende të tjera të Bashkimit Europian dhe Shqipërinë. Kreu i grupit kriminal që u arrestua në Shkodër është Astrit Beqiri 51 vjeç. Ai u prangos mëngjesin e sotëm në banesën e tij pas hetimeve disa mujore, ndërsa akuzohet për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe kryere e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Gjithashtu u shpall në kërkim një tjetër person, por për arsye hetimi, policia deklaron se nuk bëhen të ditura gjeneralitetet. Nga operacioni u sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete dhe 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.
Por si nisi operacioni? Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “Goldfinger” nis dhe u drejtua nga autoritetet e hetimit në Danimarkë. Operacioni ishte i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri. Autoritetet daneze të hetimit bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e grupit kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.
Procedimi u regjistrua në vitin 2019, ndërsa sot në koordinim me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë u realizua goditja në një kohë, të këtij grupi kriminal. Sipas policisë është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim, që pas nisjes së procedimit, po ashtu u sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj./l.m