Nga Seumas Milne
Me sa duket nuk ka telash në botën arabe dhe myslimane, për të cilin përgjigjja e Perëndimit të mos jenë bombardimet. Teksa kriza e refugjatëve në Europë ka sjellë në shtëpitë tona tmerrin e luftës civile në Siri, ka qenë pikërisht kjo përgjigjja e udhëheqësve të Britanisë dhe Francës. David Cameron ka kohë që ushtron trysni për një votim të ri në Parlament, për të marrë autorizimin për fushatën e bombardimeve britanike kundër Shtetit Islamik në Siri.
Tani atij i është bashkuar ish-arqipeshkvi i Canterbury dhe shtypi luftarak i Murdoch, ndërsa George Osborne ka sinjalizuar se ai gjithashtu dëshiron që të sulmohet “regjimi i lig i Asadd-it”, për t’u përballur me eksodin e refugjatëve “te burimi” i tij. Edhe presidenti i Francës, François Hollande, ashtu si ai, ka ndër mend t’i shtrijë sulmet ajrore nga Iraku në Siri, duke e përdorur rrezikun e brendshëm nga terrorizmi për të justifikuar këtë përshkallëzim.
Në të dyja brigjet e Atlantikut, neokonservatorët dhe intevencionistët liberalë po shpalosin kërkesa të forta, si krijimi i kampeve për refugjatët apo dërgimi i trupave ushtarake në terren. Madje The Sun e hapi faqen e tij të parë me titullin “For Aylan” – pas mbytjes së vogëlushit 3-vjeçar, imazhi i të cilit dramatizoi vuajtjet e refugjatëve sirianë – ndërkohë që kërkonte një përshkallëzim të luftës dhe denonconte kandidatët për udhëheqjen e Laburistëve si “burracakë” për shkak se refuzojnë të nënshkruajnë për sulmet e menjëhershme.
Aq këmbëngulës ka qenë kryeministri britanik për të bombarduar Sirinë, saqë rrëfeu se dronët britanikë kanë vrarë tashmë dy anëtarë britanikë të ISIS-it në qytetin e Rakas muajin e kaluar. Cameron-i e quajti si një vetëmbrojtje në terren duke qenë se një prej xhihadistëve ishte duke thurur plane për të ndërmarrë sulme “të menjëhershme” terroriste në Britani. Duke qenë se ngjarjet e shenjestruara për këto sulme të dyshuara kishin ndodhur në momentin që njerëzit u vranë, pretendimi qe qartësisht i pakuptimtë. Por tashmë Britania ka ndjekur Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në rrugën e vrasjeve pa gjyq, që janë kthyer në markën dalluese të luftës 14-vjeçare ndaj terrorit.
Në rastin e SHBA-së, është një rrugë që tashmë ka shkaktuar mijëra të vdekur, përfshi edhe shumë civilë, duke qenë se dronët e inteligjencës dhe “bombardimet nga ajri” kanë vrarë dhe gjymtuar shumë të pafajshëm së bashku me luftëtarët që ishin në shënjestër. Nga Pakistani në Jemen, sulmet amerikane me dronë kanë qenë një arsye më shumë për t’u rekrutuar te al-Kaeda dhe te talebanët.
Pas mbi një dekade me sulme dronësh, talebanët janë ende të fortë në Afganistan dhe al-Kaeda po e kërcënon Jemenin. Sulmet britanike me dronë qenë një tallje ndaj vendimit të Parlamentit më gusht 2013 për t’i bërë ballë aksionit ushtarak në Siri – që në atë rast synonte më tepër qeverinë e Damaskut sesa rebelët që e luftonin atë.
Por më pas, pilotët britanikë kanë marrë gjithashtu pjesë në bombardimet amerikane në Siri. Kështu që votimi demokratik as që pati ndonjëfarë rëndësie për një kohë të gjatë. Dhe as ligjet, duke qenë se nuk ka baza legjitime për të sulmuar territorin sirian pa autorizimin e Damaskut ose pa pasur ndonjë rrezik (joekzistues) sulmesh të menjëhershme.
Sidoqoftë, fushata e udhëhequr nga SHBA-ja ndaj ISIS-it në Irak dhe Siri nuk po funksionon. Është raportuar se bashkë me mijëra civilë janë vrarë edhe mijëra luftëtarë të ISIS-it. Por një vit pas nisjes së bombardimeve, grupi terrorist e ka zgjeruar territorin që kontrollon.
Pa trupat në terren, sulmet ajrore nuk mund ta fitojnë luftën. Në rastin e Sirisë, të vetmet forca të mundshme janë ato të ushtrisë siriane ose islamistët radikalë që janë në radhët e milicëve rebelë, që nga Fronti Nusra që është i lidhur me al-Kaedën deri tek islamistët e Jaish al-Fatah që mbështeten nga regjimi i Gjirit. Kështu që, çfarë kanë në mendje qeveritë e Perëndimit? Grupet e rebelëve të mbështetur prej tyre janë tërësisht të papërfillshëm.
Sikurse e dimë nga Iraku dhe Afganistani, alternativa ndaj trupave perëndimore do të çonte drejt një lufte në shkallë të plotë kundër pushtimit. Pas ndërhyrjeve ushtarake të njëpasnjëshme, por të dështuara të Perëndimit në botën arabe dhe myslimane, është tërësisht e palogjikshme që ka sërish kërkesa për të kryer bombardime. Mjafton të konsiderosh meselenë e dështuar të Libisë pas ndërhyrjes së NATO-s – që është një tjetër rrugë tranzit e refugjatëve për në Europë – për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Por problemi, sikurse këmbëngulin fajkonjtë, është se nuk pati ndërhyrje të mjaftueshme: NATO-ja “e braktisi Libinë”, dhe vetëm nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj do ta kishin pushtuar Sirinë më 2011-n ose do ta kishin bombarduar më 2013-n, lufta do të kishte përfunduar para Krishtlindjeve.
Në të vërtetë, situata vdekjeprurëse në Siri – ku mbrojtja është shumë më e fortë seç ka qenë në Irak – me siguri do të kishte qenë shumë më e rëndë. E njëjta gjë ndodh me çdo përpjekje që bëhet tani për të përforcuar kampet në zona pa luftë apo parajsa të sigurta. Por më e habitshme është këmbëngulja e Perëndimit për të mos ndërhyrë deri tani në Siri.
Në fakt, SHBA-ja, Britania, Franca dhe aleatët e tyre rajonalë kanë ndërhyrë vazhdimisht duke financuar, trajnuar dhe armatosur forcat rebele – edhe pse kohët e fundit rrjedhja e disa dokumenteve të inteligjencës amerikane nënvizonte se ato janë të mbizotëruara nga grupet sektare. Rezultati ka qenë de facto ndarja, me qeverinë që kontrollon më pak se gjysmën e vendit por me shumicën e popullsisë, përfshi edhe numrin e madh të refugjatëve që janë larguar nga zonat e kontrolluara nga rebelët.
Nëse Cameron do ta kishte fituar votimin në parlament përpara dy vjetësh, përfituesi kryesor në Siri, sipas të gjitha gjasave do të kishte qenë ISIS. Muajin e ardhshëm ai do të përpiqet sërish, me shpresën që t’i japë fund dhunës sektare dhe barbare të grupit terrorist. Ministrat e dinë se bombardimet britanike nuk do ta mposhtin ISIS-in dhe nuk do t’i shtojnë ndonjë gjë domethënëse fushatës amerikane. Ajo do të jetë më tepër një veprimtari cinike politike, që synon përdhosjen e Laburistëve, si dhe për të vendosur mantelin e zv.shefit imperialist të luftës së SHBA-së në Lindjen e Mesme që nuk ka fund. Nëse deputetët e japin autorizimin për bombardimet në Siri, ata do të votojnë për ta intensifikuar luftën dhe krizën e refugjatëve.
Mënyra e vetme për t’i dhënë fund konfliktit është nëpërmjet një marrëveshjeje të negociuar që të përfshijë të gjitha fuqitë rajonale. Siria ka kohë që shërben si një prokurë për luftë, që i ka vënë mbështetësit e regjimit të Assad-it, Rusinë dhe Iranin, kundër diktatorëve të Gjirit, Turqisë dhe fuqive perëndimore që qëndrojnë pas morisë së grupeve rebele. Diskutimet mes aktorëve kryesorë janë zhvilluar muajt e fundit pikërisht me këtë qëllim.
Por trysnia është që të përdoret gjithnjë lufta për të rritur përfitimet në tryezën e negocimeve. ISIS përfiton nga lufta dhe nga konfliktet sektare përreth rajonit. Ajo do të margjinalizohet dhe do të mposhtet kur ky konflikt të përfundojë. Një gjë e tillë lyps që Perëndimi të ushtrojë trysni te klientët e tij të Gjirit dhe jo një fushatë të re bombardimesh. Është e vërtetë se kriza e refugjatëve mund të zgjidhet vetëm në Siri, por kjo mund të arrihet nëpërmjet një procesi paqeje më shumë sesa me një luftë perëndimore.