Një avokat i dëshpëruar i grabitjes në Rinas

Nga Mero Baze

Grabitja në Rinas tani ka pesë autorë të arrestuar, një prej të cilëve dhe bashkëpunëtor i drejtësisë. Profili i grupit të armatosur që është nën akuzë, është një bashkim i elementëve kriminalë nga Tropoja, Kruja dhe Elbasani. Nuk dua të spekuloj me lidhjet e tyre të afërta me PD, pasi ky nuk është një kusht që ata duhet doemos të jenë autorë grabitjesh.

Por i vetmi zë i shqetësuar në opinionin publik, për arrestimin e tyre, është Sali Berisha. Deri më sot, nuk kam parë as reagime familjarësh, as reagime avokatësh, apo të dikujt tjetër, që t’i marrë në mbrojtje. I vetmi që është shqetësuar pse janë arrestuar, dhe po përpiqet t’i shpallë të pafajshëm, ende pa u marrë masat e sigurisë, është Sali Berisha.

Fillimisht e arsyetova me dëshpërimin që ka si krye-opozitar, për suksesin e policisë. I bindur se policia nuk do t’ia dilte të identifikonte grupin, pasi bëri disa skenare filmash se paratë po shkonin për zgjedhjet e radhës, ai sot më shumë se kushdo tjetër dhe më shumë se kurdoherë tjetër, është i shqetësuar për arrestimin e tyre dhe po kërkon lirimin pa kushte. Aq shumë është investuar në këtë çështje, sa flet dhe për detaje avokatësh, mungesën e tyre në qeli gjatë hetimit etj.

Por duket se nuk qenka mërzitje opozitari. Dhe as dëshpërimi i një njeriu, që mendon se kundërshtarët kanë vjedhur lekë në banka, se u duhen për zgjedhje.

Në këto zgjedhje, qeveria thuajse nuk ka kundërshtarë falë Berishës, dhe nuk i duhen para as për reklama, e jo për vota.

Sali Berisha duket se e ka tejkaluar kufirin e një opozitari të dëshpëruar në këtë avokati. Ai duket i dëshpëruar, sikur po i arrestojnë njerëzit e një kauze më të madhe.

Dhe kur them njerëzit e vet, nuk kam parasysh as ndonjë lidhje krahinore me Muratajn nga Tropoja, as shpirtërore me dy myslimanët e devotshëm komando, dhe as politike me ata të Elbasanit.

Ai po sillet si një avokat i dëshpëruar, që më shumë se klientët e vet, kërkon të shpëtojë një kauzë më të madhe.

Një sjellje e tillë, në kulmin e një hetimi penal për një ngjarje të rëndë, duhet të bëhet objekt hetimi më vete.

Në strategjinë e tij për të prodhuar rrëmujë dhe destabilizim, Sali Berisha, ndryshe nga çfarë e mendojnë si udhëheqës të fortë trazirash, është përdorues trazirash.

Ai nuk bën kurrë një bandë të vetën për të grabitur, por mbështet çdo grabitje. Ai nuk bën kurrë vetë një bandë për të vrarë kundërshtarë, por lartëson dhe himnizon çdokënd që vret apo dhunon kundërshtarët e tij.

Ai nuk bën kurrë një bandë në emër të tij, që të hedhë në erë shtylla elektrike, apo të bllokojë rrugë, por mbështet dhe shpall hero, çdokënd që e bën atë.

Dëshpërimi i tij për kapjen e grabitësve të Rinasit, është dëshpërimi i dikujt që po i dekurajohen banditët, mbi të cilët ai shpreson destabilizimin.

Në këto kohë, ai është i gatshëm të jetë avokat i çdo grabitësi, çdo vrasësi, çdo dhunuesi, çdo hedhësi shtyllash në erë, apo bllokuesi rrugësh.

Çdo dekurajim i tyre, çdo arrestim i tyre, çdo ndëshkim i tyre, është një dallgë dëshpërimi për Sali Berishën.

Dhe për ta kuptuar sa i dhemb kjo gjë, shikoni si vajton arrestimin e grabitësve të Rinasit. Sikur të ishin financuesit e revolucionit që nuk po shpërthen. Së paku, t’i kishin mbetur frymëzues.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU