• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, April 28, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Një armik idiot vlen më shumë se mungesa e miqve për Edi Ramën

by Lorenc Vangjeli
24/12/2019 17:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Një gur më shumë apo një gur më pak mbi kokën e Edi Ramës as shton dhe as pakëson gjë. Njëlloj siç nuk bie fare në sy një njollë boje më shumë në kostumin e bojaxhiut. Sepse hedhja e gurëve, bojës e baltës mbi kryeministrin shqiptar, prej kohësh është shndërruar në sport kombëtar. I vënë nën akuzë se ka blerë gjithë median dhe se po kërkon të verë nën kontroll edhe rrjetet sociale, Rama sot është absolutisht kryeministri më i sulmuar i historisë së pluralizmit shqiptar. Nuk ka emision mbrëmjeje apo mëngjezi, nuk ka gazetar të vjetër apo të ri, të angazhuar si Saliu apo të pavarur si litari në qafën e të varurit, portalist, blogist, facebookist, instagramist apo edhe analfabet funksional, që nuk kruan duart për t’i hedhur Ramës duar urrejtjeje në fyt apo mallkime pleqsh mbi kokë. Ky është një korr me shumë solistë, një korr edhe dramatik, edhe histerik, edhe i vërtetë, edhe i rremë, por që shumë shpesh bëhet aq komik sa vret edhe vetë të qeshurën me hiperbolën, me ekstremizmin dhe vështrimin bardh e zi.

Si rregull, për kryeministrat nuk duhet të ketë brohori, sa kohë që qeverisjet janë gjithmonë problemi që duhet zgjidhur. Kryeministër ka qenë edhe Sali Berisha, por ndryshe nga Rama sot, sherret me Berishën, sa më shumë shkonte drejt perëndimit të pushtetit, aq më shumë kishin nisur të kufizoheshin në një grusht gjithmonë e më të vogël gazetarësh që e kundërshtonin duke e rritur në mënyrë eksponenciale numrin e atyre që e rrethonin si grushti gishtin për ta mbrojtur. Në korrin e madh pro Berishës së dikurshëm ishte një laryshi tipash e karakteresh, që nga ata që e besonin sinqerisht e deri tek ata që e përdornin e përdoreshin sinqerisht e reciprokisht prej tij. Si çiftet e hapura: secili në ahengun e tij, por bashkë në darkë për hir të interesave të përbashkëta! Për statistikë, në pranverën e 2013-ës, në epilog të pushtetit të tij, kritikët e Saliut në media numëroheshin me gishtat e një dore marangozi të pafat, që i kishte lënë ca të tillë gjatë punës me sharrë.

Me Ramën është ndryshe. I ardhur në politikë nga media, me mendjen top se edhe si gazetar e analist vlen më shumë se zanatçinjtë e fushës, Rama hyn gjithë arrogancë në një fushë që nuk i përket e në një pushtet të ndryshëm nga pushteti për të cilin ai është votuar. Media e ka për detyrim që ta ketë subjekt pushtetin e Ramës, kurse Rama e konsideron si ushtrim të dorës së parë të pushtetit të tij që të meret me median. Njëlloj si Trump që e relativizion median kritike jo duke u shpjeguar, por duke e sulmuar, edhe Rama me historitë me kazanë e kadrinj, bën ekzaktësisht të njëjtën gjë. Qoftë dhe vetëm për këtë arsye, shumë nga sulmet që i bëhen, Rama i meriton deri në skaj. Ky Tom Sojer atipik i politikës, bën që tek ai asnjë shuplakë të mos vejë dëm: me shumë gjasë ai ka bërë ndërkohë diçka që ja vlen një shuplakë publike. Madje edhe kur ajo vjen nga njerëz që në jetën e tyre kanë pasur si ndërlikim të vetëm marëdhënien me tualetin.

Me zgjedhjen e tij dhe në strategjinë e tij të komunikimit, kryeministri Rama ka zgjedhur të sillet si një personazh dramatik dhe shumë i keqkuptuar i Tiranës së viteve 70-të, Shaban Qosja. Edhe kur nuk e kanë mendjen tek ai, vetë Rama hedh gurë, tallet, fyen, bën batuta të lodhura, provokon, ngacmon, ofendon çdo gjë e gjithëkënd, mjaft që të risillet në qendër të vëmendjes. Shabani i dikurshëm ishte një njeri që në përmbajtje vlente shumë më tepër se shumica dërmuese e ngacmuesve të tij dhe ishte e kuptueshme që ai do t’u përgjigjej atyre, kurse Rama i sotëm është kryeministri që duhet të përgjigjet me punë dhe jo me replica. Në të kundërt, ai shpenzon një kohë të gjatë si adoleshent në sherre Facebook-u, shpesh duke harruar se është në zyrën e tij për të qeverisur. Se ai është qerramarës i përkohshëm i  pushtetit dhe nuk është religjion për t’u diskutuar, për t’u besuar a refuzuar nga ndjekësit dhe përndjekësit e tij.

Debati absurd i ditëve të fundit për marëveshjen e “Mini Shengenit” është rasti tipik për të kuptuar absurditetin e sherrit publik në hapësirën shqiptare. Nga Tiranë në Prishtinë dhe anasjelltas. Ky debat dëshmon dhe njëherë mekanizmin qesharak të gjykimit bardh e zi për formën dhe injorimin e përmbajtjes, cektësinë e padurueshme të arbitrave gjithashtu publikë, që e hypin veten në ca piedestalë urtësie e morali dhe që andej shesin moral e urtësi për gjithkënd. Pikërisht ky mekanizëm kritik, në vend ta dëmtojë, e ndihmon Edi Ramën. Në vend ta gjykojë e amniston. Në vend ta qortojë, e vë atë vetë në një piedestal të pamerituar. Kush e quan sot Edi Ramën tradhëtar të kombit, shitës të Kosovës, i blerë nga Serbia, kryebaron i drogës në Evropë apo kush mbledh aritmetikisht zërat e buxhetit dhe thotë se ato janë të gjitha para që i vjedh Edi Rama me dhjetë oligarkët e tij, i bën kryeministrit shërbimin më të madh. E shfajëson nga të gjitha këto akuza, i rrëzon dhe i çmonton, edhe kur ato kanë një thelb racional. Marrëzitë e ditëve të fundit se Rama po ringjall fantazmën e Jugosllavisë, se po i fut thikë mbas shpine Kosovës e lloj – lloj gomarllëqesh të tjera që kanë hipur në kalin e patriotizmit, shkaktojnë së paku konfuzion dhe bëhen sërish ujë për mullirin e Ramës. Duke folur për idiotësi të tilla, njëlloj si në zgjedhjet e 2017-ës kur i mundi të gjithë vetëm me batuta, Rama nuk ka pse të flasë për qeverisjen e tij, për punët e pabëra apo të bëra keq, për tërmetin, për investimet e realizimet dhe për çdo gjë që lidhet me qeverisjen e vendit. Atij nuk i duhet as të shpjegojë Mini Shengenin dhe as të kërkojë ndjesë për mëkatin e të fyerit të politikanëve të Kosovës nga vendi më i papërshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe në prani të njerëzve që mendojnë njëlloj si ai, por në gjuhë tjetër.

Për fat të keq, këtë herë si për herë, më shumë për mëkat të kritikëve se për meritë të vetes, Rama ja doli ta orientojë debatin aty ku i intereson dhe siç i intereson. Kryeministri i rreshtoi shumicën e kritikëve të tij iracionalë në të njëjtën llogore me il Ricordo Gjuzin dhe aty do t’i mundë sërish me mjetet e opozitës së re parlamentare; duke përqeshur kundërshtarët dhe duke rivlerësuar aksiomën e hershme: “Më mirë një armik i mençur se një mik budalla!” Rama sot ka të drejtë të mendojë se nuk ka fat më të madh në politikë që në mungesë të miqve, ta kesh armikun budalla!

Next Post
“Vitin tjetër të gjithë në shtëpitë e reja”/ Rama te familjet e prekura nga tërmeti në Ishëm: Nga marsi do të fillojë puna

"Vitin tjetër të gjithë në shtëpitë e reja"/ Rama te familjet e prekura nga tërmeti në Ishëm: Nga marsi do të fillojë puna

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ish-zyrtari i lartë i Berishës: Anëtarët e SPAK i kanë punësuar familjarët në vende me lekë

Ish-zyrtari i lartë i Berishës: Anëtarët e SPAK i kanë punësuar familjarët në vende me lekë

April 27, 2026
Ralf Gjoni: Jam shokuar kur kam parë foton e Metës. A do trajtohen njësoj edhe zyrtarë të tjerë?

Ralf Gjoni: Jam shokuar kur kam parë foton e Metës. A do trajtohen njësoj edhe zyrtarë të tjerë?

April 27, 2026
Drejtësi në akuarium: nga Nurenberg te gjyqet në Tiranë

Drejtësi në akuarium: nga Nurenberg te gjyqet në Tiranë

April 27, 2026
Një W (dabëllju) e humbur në raportimin mediatik

“Dumani dhe Dado mashtrojnë pa pikën e turpit”, Yzeiri: Gjyqet duhet të jenë live, ndryshe janë të pavlefshme

April 27, 2026
“Je më e rrezikshme, pse nuk hyn në kafaz ti?”, Haxhiu sherr me Kryemadhin për mbajtjen e Metës në burg

“Je më e rrezikshme, pse nuk hyn në kafaz ti?”, Haxhiu sherr me Kryemadhin për mbajtjen e Metës në burg

April 27, 2026
Një skandal dhe kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik nga prokurorët Dado dhe Dumani

Pamja e Ilir Metës si simbol ndëshkimi: kur arresti me burg perceptohet si dënim, jo hetim

April 27, 2026
“Meta ka pamjen e të burgosurit politik”/ Kryemadhi: Edhe opozitarizmi është biznes, janë më të pasurit!

“Meta ka pamjen e të burgosurit politik”/ Kryemadhi: Edhe opozitarizmi është biznes, janë më të pasurit!

April 27, 2026
Çfarë tregon raporti i DASH për ambasadorin e ri të emëruar në Shqipëri

Çfarë tregon raporti i DASH për ambasadorin e ri të emëruar në Shqipëri

April 27, 2026
Deputet, nga “Hiçi”

Krimi do përballje, jo tërheqje

April 27, 2026
E dhunuan në Vlorë, reagon avokati i Ilir Metës: Njëri më ofendoi, tjetri më goditi pas koke me një mjet prerës…

Meta po gjykohet në kafaz, shpërthen avokati: Institucionet e drejtësisë së re, terroriste!

April 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In