Bypass-i Tepelenës, i cili lidh autostradën Levan-Tepelenë me atë Tepelenë-Kakavijë mesa duket do përfundojë përpara afatit të përcaktuar, së paku kështu ka bërë me dije Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kjo e fundit, së bashku me Drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, SonilaQato, si dhe deputetët e Partisë Socialiste, Qarku Gjirokastër, ndoqën nga afër punimet ku u njohën me ecurinë e tyre, punime të cilat nisën në korrikun e vitit 2018.
“Strategjia e re për të kompensuar të gjitha humbjet e kohës në të shkuarën është që të dorëzojmë vepra para afatit. Kjo është diçka që po e bëjmë gjashtë mujorin e fundit dhe duam që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. E njohim kompleksitetin, sigurisht siguria qoftë gjatë punimeve dhe qoftë cilësia që mbetet në përfundim të projektit janë shumë të rëndësishme për ne megjithatë kemi një dëshirë të madhe t’i dorëzojmë të gjitha veprat qoftë edhe në një kohë të shkurtër para afatit”, deklaroi Balluku.
Përfaqësuesit e kompanisë, që po realizon punimet sqaruan se janë vendosur një numër i madh pilotash për të siguruar mbrojtjen e shpatit të kalasë dhe shtati të lumit, si dhe ndërhyrjet e tjera që pritet të realizohen me qëllim ofrimin e një vepre me cilësi dhe standarde për qytetarët.
Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato bëri të ditur se për shkak të qarkullimit të dendur që ky aks ka gjatë sezonit turistik do të merren masa paraprake për të lehtësuar lëvizjen e drejtuesve të mjeteve.
Deri më tani janë vendosur mbi 300 pilota, përjashto mbrojtjen lumore, ndërsa parashikohet ndërtimi i trotuareve tek segmenti përgjatë pjesës së kalasë.
g.kosovari