Ish-kryeministri Sali Berisha i ka komentuar ashpër dy letrat e hapura të kryeministrit Edi Rama, i cili fton në dialog pa kushte kryedemokratin Lulzim Basha.
Berisha thotë se letrat e Ramës janë të mbushura me vrer, çka do të thotë se ai vjell vrer ndaj kundërshtarit politik.
Në emisionin “Opinion”, Berisha e quajti Ramën “bastard të etërve të tij” që dëshiron zhdukjen e opozitës.
“Duke lexuar dy letrat e tij, ju do të gjeni se ai është i veti shqiptar sot mbi tokë, që nuk ndjen asnjë përgjegjësi për krizën e krijuar, që gjithçka e projekton te kundërshtari.
Asnjë njeri nuk mendon që ai nuk ka përgjegjësi.
Unë kam besim të madh te çdo njeri normal, pavarësisht nga bindjet, e ka të qartë se çfarë do të thotë futja e bandave në proces zgjedhor.
Të shkruash letër duke nxjerrë të gjithë vrerin te kundërshtari, kësaj i thonë të vjellësh vrer.
Ai tregon veten një trashëgimtar primitiv të të parëve të tij, kur thotë se do të ishte ogur i mirë zhdukja e opozitës.
Nuk mund ta thotë kurrë një kryetar qeverie.
Mos harro se ka trashëguar partinë terroriste të krimit, e cila ka larë në gjak opozitën. Imagjinoni se cilin kemi kryeministër, kemi një bastard të etërve të tij mizorë që e mbajtën vendin…
Që në këtë moment, ajo letër është për t’u hedhur në koshin e plehrave.
Ish-lideri historik i PD-së, tha se Rama me letrëne e parë, linte të kuptonte se Rama nuk dëshironte që opozita të marrë pjesë në zgjedhje.
“Po të shikoni letrën dje, ai thoshte shyqyr që nuk po vini në zgjedhje. Letra dje si kryefjalë thotë se unë do të marrë të gjitha bashkitë”, u shpreh ai.
Berisha u pyet nëse beson se kreu i opozitës Lulzim Basha do të ulet në një tryezë dialogu me kreun e qeverisë Edi Rama.
Pjesë nga biseda:
Berisha: Po të lexoni reagimin e deputetëve gjermanë, aty ekziston një kuadër për të folur për të gjitha. Nëse unë e kuptoj drejt atë që kanë deklaruar deputetët gjermanë unë e lexoj se aty mund të negociohet gjithçka. Aty ka një dimension të jashtëzakonshëm për trajtimin e të gjitha problemeve pa kushte.
-A do të ulet Basha me Ramën?
Berisha: Nuk besoj që ulet.
–Nuk besoni?
Berisha: Jo nuk besoj se ulet! Opozita e do marrëveshjen. Nuk e ka luftë për pushtet. E ka për zgjedhje të lira. Opozita nuk mund ta përjashtoj Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste. Nuk kërkon të shuhet Partia Socialiste pavarësisht inkriminimit. Rama kryeministër që shkruan se kur do të zhduket opozita. Që këtu Rama meriton që të ngrihen shqiptarët nga Konispoli në Vermosh. Unë po them të vërtetën që është shumë e mundshme që të ketë përplasje civile. Kemi një qëndrim armiqësor. Ai u gëzua kur doli opozita. Ai festoi. Mos u fut në vrimën e miut më 30 qershor.
g.kosovari