Pamundësia për të marrë një kredi bankare ka detyruar pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare t’i drejtohen huave joformale, te të afërm të njohur, apo te individë që i japin me fajde.
Sondazhi më i fundit i Bankës së Shqipërisë për huamarrjen zbardh se në gjysmën e parë të vitit 30% e familjeve shqiptare kanë një hua për të paguar.
Në 43% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare), ndërsa në 57% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në para të thata. Në vrojtim janë intervistuar një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% i përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale.
Tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten për konsum (35% e rasteve të huamarrjes), blerje/riparim prone (31% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (13% e rasteve). Në ndryshim nga prirja e viteve të fundit, gjatë këtij viti, shpërndarja e qëllimit të kredisë është zhvendosur në favor të huamarrjes për blerje/riparim prone.
Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë vlerëson se Mundësia për të marrë hua nga familjet është rritur lehtë në pjesën e parë të vitit, por mbetet poshtë nivelit të mesatares afatgjatë.
Në të kundërt të individëve, bizneset I janë drejtuar më së shumti bankave për të marrë kredi. Përkatësisht, 92.2% e ndërmarrjeve të vogla, 92.7% e atyre të mesme dhe 96.1% e atyre të mëdha e kanë përfituar huanë e tyre vetëm nga bankat, ndërkohë që pjesa tjetër kanë kombinuar një tërësi burimesh financimi./shqiptarja/a.k