LSI terhiqet nga gara për Kolonjën, kandidati do të jetë i PS

Ndarja e papritur nga jeta e kryebashkiakut të Kolonjës. Por edhe kjo përballje ka veçantitë e saj. Në Kolonjë, gara për zgjedhjet e parakohshme do të jetë mes dy të majtëve, por ndryshe nga ç’pritej, kandidati i mazhorancës nuk do të jetë i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Aleati më i madh i Partisë Socialiste ka hequr dorë nga përzgjedhja e një kandidati tjetër pas ndarjes së papritur nga jeta e kryebashkiakut të Kolonjës, Arben Malo. Burime të besueshme konfirmuan për Top Channel se LSI-ja i ka lënë fushë të lirë Partisë Socialiste të vendosë se me kë do të përfaqësohet në zgjedhje. Një vendim të tillë e paralajmëroi që të premten kryetari i LSI-së, kur u pyet se kush do ta zëvendësojë kryebashkiakun e ndjerë.

“Jam i bindur që koalicioni do të gjejë një kandidat sa më të mirë, por unë e kam të vështirë të mendoj që të gjej një kandidat tjetër në nivelin e tij. Dhe përsëri mund të them që këto janë zgjedhje krejtësisht lokale dhe aksidentale”, tha Meta.

Deri tani koalicioni qeveritar nuk ka marrë një vendim se kush do të jetë përballë kandidatit ende të pashpallur të opozitës, një ish-socialist që do të garojë në emër të Partisë Agrare të Agron Dukës.

Burimet e Top Channel thonë se kandidati i koalicionit qeveritar do të përzgjidhet mes drejtuesve socialistë të rrethit të Kolonjës, ku në krye të listës janë kryetari i Këshillit Bashkiak, Ilirjan Hyseni dhe kryetari i socialistëve të Ersekës, Fredi Laze.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU