Të dyja partitë duhet të kërkojnë ndjesë për mbetjet

Nga Ilva Tare

Në historinë demokratike të Shqipërisë është mbajtur vetëm një referendum për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994 dhe ai u kërkua dhe realizua nga politika dhe u rrëzua nga qytetarët. Përpjekje të tjera për të konsultuar me publikun vendimarrjen politike nuk ka patur ose kanë dështuar që në fillesat e tyre. Shoqëria civile pavarësisht mbledhjes së mbi 60 mijë firmave, në vitin 2013 nuk i shkoi deri në fund inisiativës për një referendum popullor mbi importin e mbetjeve.

Zëri i qytetarëve shqiptarë për cështje që prekin direkt cilësinë e tyre të jetës nuk ka qenë i ngjirur, por krejtësisht i shuar. Partitë politike, përkatësisht Partia Socialiste dhe ajo Demokratike sa herë kanë qenë në pushtet, nuk kanë frymëzuar pjesëmarrjen e demokracisë direkte, por kanë uzurpuar me forcë kartonash dhe hile burokratike në legjilacion për të penguar mbajtjen e referendumeve, një nga instrumentët më vitalë të një demokracie funksionale.

Studimet e instituteve serioze të matjes së opinionit publik tregojnë se besimi i qytetarëve tek partitë politikë është në kufirin historik të ulët, rreth 15%, krahasuar me 74 % të besimit tek Nato apo Bashkimi Europian. Shifra është tronditëse për politikën por edhe më dramatike për shqiptarët që janë të detyruar të zgjedhin midis së keqes më të vogël sa herë vjen radha e ballafaqimit me kutinë e votimit.

Sjellja e dy partive të mëdha ndaj cështjes së mbetjeve vendase dhe të huaja në Shqipëri është dëshpëruese. Ndryshimi i qëndrimeve nga pozicioni i opozitës në pushtet dhe pushteti në opozitë i vendos ato në pozita edhe më të rënda bashkëfajësie. E përbashkëta tjetër e sjelljes së politikës ndaj vendimarrjes për trajtimin dhe importimin e mbetjeve është mungesa e transparencës dhe vendosja e axhendës së bizneseve përpara shterimit të një debati publik, me aktorë të shoqërisë civile dhe qytetarë të angazhuar.

Pa dyshim që investimet e bizneseve duhen marrë seriozisht, por kjo duhet bërë si kur je në opozitë ashtu edhe kur vjen në pushtet, pasi dëshmon pjekuri politike dhe aftësi për të menaxhuar interesa kombëtare. Instrumentalizimi i vullnetit popullor për të përfituar vota në kurriz të interesit kombëtar, sic është menaxhimi i duhur i mbetjeve është i pandershëm edhe nëse bëhet për shkak të padijes së mënyrës së funksionimit të shtetit.

Një klasë politike e përgjegjshme duhet të veprojë me vizion dhe vullnet politik për t’i bërë ballë kauzave që i mendon të drejta si në rastin kur partia është në qeveri ashtu edhe kur  kalon në opozitë. Në rastin e ligjit për importin e mbetjeve të miratuar nga maxhoranca aktuale, opozita jo vetëm kishte paqartësi deri në momentin e ngritjes së kartonëve, por nuk e ka sqaruar ende publikisht votën pro në komision, abstenimin e diskutuar në grup dhe më pas votën kufuze në Kuvend.

Është e pakuptueshme edhe ndjesa e kërkuar nga kreu i PD Basha për një ligj që ekziston në vendet e zhvilluara europiane dhe me sa kuptohet nga shpjegimet e përfaqësuesve të industrisë është i nevojshëm edhe sikur në Shqipëri të menaxhoheshin 100% mbetjet. Të dy palët duhet vërtetë të kërkojnë ndjesë, por duhet ta bëjnë për situatën skandaloze të mos menaxhimit të mbetjeve anekënd Shqipërisë, pavarësisht ligjit të ri të ndarjes territoriale dhe paaftësisë për të zbatuar ligjet në këtë vend.

Në këto kushte kur marrëdhënia e politikës me qytetarët është në krizë besimi dhe kur partitë politike kanë kryer rrotullime 360 gradëshe për të njëjtën cështje, mbajtja e një referendumi është mënyra më e mirë për të dëgjuar zërin qytetar dhe për të ndërtuar një urë të re komunikimi të besueshme dhe të sinqertë me qytetarët e vendit. Edhe nëse rrezikojmë të bëhemi të mërzitshëm si zviceranët apo nëse rrëzohet nga qytetarët. Demokracia duhet të jetë sistemi që nuk deformohet vetëm nga gabimet e politikanëve por edhe të qytetarëve të saj. (javanews)

1 koment

  1. PO JU MOJ ZONJA ILVA TARE MBETJET E PERDORESHME MBASI KE NGRENE DREKE APO DARKE I HIDHNI NE KOSHIN E PLEHRAVE APO I SISTEMONI NE FRIGORIFER APO NE DOLLAP PER TI PERDORUR NE NJE VAKLT TJETER ?kESHTU ESHTE EDHE ME MBETJET E RICIKLUESHME QE KRIJOHEN GJATE AKTIVITETIT JETESOR NE FAMILJE APO NE EKONOMI.aTO DUHET TE GRUMMBULLOHEN ,TE SISTEMOHEN SIPAS PERKATESISE DHE TE RIFUTEN NEPERPUNIM TEKNOLOGJIK PER T’U KTHYER NE M A L L TE PERDORSHEM.NUK BEHET FJALE PER ‘ p l e h r a ‘ POR PER MBETJE TE RIPERDORESHME MBASIPERPUNOHEN. Brockullat qe thone politikanet tone te nderuar skane asnje vlere VEC perplasjes politike per te krijuar kredibilitet ne zgjedhjet e ardheshme.

PËRGJIGJU