Si do sillet prej sot shqiptari më i ri Janullatos?

Nga Mentor Nazarko

Siç është bërë e ditur, 25 vjet pas ardhjes së Janullatos në krye të Kishës ortodokse autoqefale, Presidenti i Shqipërisë, Meta, vendosi t’i akordojë atij shtetësinë shqiptare. Është një akt i cili ndodh në një kontekst të caktuar kohor dhe hapësinor dhe për të kuptuar domethënien e tij, jo thjesht simbolike, është e domosdoshme të analizojmë çfarë ka ndodhur në lidhje me këtë akt. Apo pritet të ndodhë.

Do duhet thënë që me aktin në fjalë kemi përmbushjen e një kërkese të vazhdueshme të kryepeshkopit Janullatos që kur ka ardhur në krye të Kishës, për t’u ndier një shtetas shqiptar dhe për të zbutur sadopak në sytë e kritikëve ndjenjën e diferencës që krijohet midis fjalës autoqefal dhe drejtimit të kishës Autoqefale nga një grek. Kjo kërkesë në fakt është refuzuar sistematikisht nga presidentët, prej Meidanit e këtej (me gjasë ai nuk ka aplikuar në presidencën Berisha) në respekt të ndjeshmërisë së atyre ortodoksëve, apo joortodoksëve, të shoqërisë civile që nuk e kanë pranuar që Janullatos t’i jepet shtëtësia.

Shtetësia jepet për shërbime ndaj kombit. A i ka bërë Janullatos këto shërbime?

Kush e ka parasysh ligjin shqiptar për shtetësinë, e di që ajo mund të jepet për dy situata klasike. Njëra situatë është kur i huaji aplikon për ta marrë shtetësinë pas 5 vitesh qëndrimi, pasi ka marrë një leje nga policia, pasi ka treguar që nuk ka patur dënime penale në vendin e tij, pasi ka njohuri të mjaftueshme të gjuhës shqipe. Ka edhe një situatë tjetër kur shteti shqiptar i jep një shtetasi të huaj shtetësinë e vet: nëse tregon se ka merita për lartësimin e kombit shqiptar. Në rastin konkret, kryepeshkopi Janullatos ka kërkuar që të evitojë situatën klasike me aplikim në organet e policisë duke kërkuar që t’i jepet për merita në favor të kombit shqiptar. Kësisoj, zyrtarisht Shqipëria do të mbyllte kapakun e sulmeve ndaj tij se ka punuar në favor të Greqisë, duke përdorur Kishën. Një kërkesë e tillë i është refuzuar për 25 vjet rresht nga një stafetë presidentësh, dhe Meta ka vendosur që ta kapërcejë këtë sjellje. Në fakt, para se të merrte shtetësinë shqiptare, Janullatos është dekoruar me Urdhrin e Skënderbeut, së bashku me krerë të tjerë të komuniteteve fetare, që në një farë mënyre është njohje e kontributeve të tij për tolerancën fetare në Shqipëri. Pra, indirekt është pranuar se ai i plotëson kushtet për marrjen e shtetësisë, por askush nuk kishte guxuar më parë ta hidhte këtë hap. Prej kritikëve, kryepeshkopi është akuzuar se e ka distancuar kishën nga trashëgimia (e shkruar dhe në akte) e themeluesit të saj, Fan Noli, se ka përforcuar përbërësen greke brenda saj, se ka rritur ndikimin grek nëpërmjet peshkopëve grekë, pjesë e Sinodhit të Kishës, se është përplasur me shtetin shqiptar, me intelektualë të shquar shqiptarë (Kristo Frashëri) edhe për ta theksuar këtë përbërëse (kisha e Himarës, e Përmetit, etj.), se nuk ka bërë meshë për çamët, etj., etj.

Pra ka pasur një ndjeshmëri kritike nga një pjesë e opinionit që Janullatosit t’i jepej shtetësia për merita në favor të kombit shqiptar. Kjo është diçka logjike, sepse pavarësisht motivacionit që presidenti e bëri publik me statusin në Facebook, apo me deklaratën e tij dhe të të shoqes në Kishë, me rastin e Krishtlindjes, që ishte ngritja e Kishës, pajisja e saj me kuadro, lartësimi i saj brenda kishave ortodokse globale, bashkëjetesa fetare, është e vështirë që të shquash brenda këtij aktiviteti 25-vjeçar akte të cilat e theksojnë shqiptarësinë e Kishës. Ndjeshmëria ishte e justifikuar. Ndaj dhe askush prej presidentëve me gjithë diferencat e tyre në origjinën politike, formimin e tyre, apo raportin me atdheun, nuk guxoi ta tejkalonte këtë ndershmëri. Por në një moment të caktuar të karrierës së tij, kur ajo është drejt fundit nga pikëpamja fizike, shteti shqiptar përmes Presidentit ekzistues Meta vendosi ta kapërcejë këtë ndjeshmëri. Vera u vjetërua, por qenkësh bërë më e mirë dhe nuk është thartuar, si tha Kryepeshkopi Janullatos në meshën e tij të Krishtlindjes.

Konteksti kohor

Marrja e shtetësisë është kësisoj përgjigjja për një një kërkesë të tij të kahershme, e cila vjen në një moment të caktuar të jetës së tij: kryepeshkopi është në një moshë të shkuar. Akti vjen në ditët e Krishtlindjeve dhe merr një rëndësi të madhe simbolike edhe për komunitetin që ai përfaqëson. Tashmë nëse ka bërë mirë, nuk do ketë aq shumë kohë që të vazhdojë të bëjë mirë, dhe nëse ka bërë keq, nuk do të ketë mundësi të bëjë aq keq… Do duhet konsideruar si një akt që është në përputhje me frymën e tolerancës dhe mikpritjes që kanë shqiptarët për të huajt, madje dhe pushtuesit tanë. E kemi treguar edhe me ushtatarët grekë të ngelur në dimrin e ashpër shqiptar në 1940 apo 1941. Shqiptarët treguan raste bujarie edhe për partizanët grekë gjatë luftës civile në vendin fqinj 1945-1949. Është një akt zemërgjerësie i shtetit shqiptar për atë që është de jure kreu i Kishës Autoqefale.

Dy akte, apo qëndrime shqiptarësie

Para disa ditësh kryepeshkopi ka dhënë një intervistë në shtypin grek dhe kur u pyet nëse pasardhësi i tij do të jetë grek apo shqiptar ai u përgjigj: do të jetë shqiptar, sepse unë nuk kam shkuar në Shqipëri që të krijoj një koloni greke. Kjo deklaratë i bën nder atij në këtë fazë të karrierës së tij, ndonëse ngjan pak autolezioniste: ç’ndodhi me ardhjen e tij dhe me rolin e tij themelor në 25 vjet? Pavarësisht se institucioni që vendos për pasardhësin është kolegjial dhe dominohet nga grekë, kryepeshkopi ka qetësuar pak shqetësimet e atyre intelektualëve që, duke llogaritur përbërjen ekzistuese të Sinodit dhe luftrat e brendshme eventuale, mendonin që pasardhësi do të ishte grek.

Ka edhe një moment të dytë që tregon se Kryepeshkopi është bërë realist kur u pyet për atë çfarë ka ndodhur në Himarë me pronat dhe prishjet e objekteve edhe fetare. Janullatos ka kapërcyer gjuhën e ashpër që u përdor edhe prej vetë atij kur shteti prishi një godinë që i ngjante një garazhi të shenjtëruar në formën e një kishe dhe vlerësoi faktin që kjo qeveri është duke rindërtuar kishën e vjetër në zonën e Dhërmiut. (Ndonëse ajo do të risjellë trashëgiminë e misionarëve arbëreshë në atë zonë). Duke folur edhe për çështjen e kthimit të pronave të komuniteteve fetare, e konsideroi këtë problem si të ngjashëm edhe për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha fetë. Edhe ky ishte një moment realist në ligjërimin e kryepeshkopit Janullatos që e lehtëson atë përkundrejt kritikëve, ndonëse në meshën kryesore, madje dhe Metën ai vendosi ta falënderonte në greqisht, apo se në Kishën e Përmetit, nuk u mbajt mesha për At Stathi Melllanin. Pra kryepeshkopi, me këto dy qëndrime, u vendos në një pozitë jo greke, jo ushqyese të propagandës së Greqisë kundrejt Shqipërisë.

Edhe në këtë moment megjithatë ai është i sinkronizuar me pjesën zyrtare greke

Si për ta tradhtuar këtë orientim pozitiv të kryepeshkopit, i pari që ka reaguar pro dhënies së shtetësisë nuk ka qenë komuniteti shqiptar, (me përjashtim të Robert Ndrenikës dhe politikanëve të pyetur tek dera e Kishës), por ka reaguar ministri i jashtëm grek Kotzias. Ai tha se ky është një akt i cili nderon Janullatosin si një burrë i mençur, i cili i ka shërbyer rritjes së frymës së besimit mes shqiptarëve dhe grekëve. Ai e pati të vështirë të thotë që Janullatos ishte një shqiptar i mirë, si janë kushtëzimet e ligjit shqiptar. Presidentët paraardhës të Metës, që e kanë refuzuar dhënien e shtetësisë për meritë, i kanë sugjeruar edhe Kryepeshkopit, edhe Greqisë, edhe miqve lobistë ndërkombëtarë të angazhuar prej Greqisë që të ndiqte rrugën tjetër ligjore që do të thoshte aplikimi te Policia dhe marrja e një dëshmie penaliteti që mësa duket është konsideruar fyese nga Kryepeshkopi, kurse sot, Presidenti Meta vlerëson se jemi në kushtet e një neni tjetër të ligjit.

Në fakt, klima e caktuar, përmirësuese e marrëdhënieve shqiptaro-greke është një dekor i mirë për këtë akt të presidentit Meta, pavarësisht nëse është i sinkronizuar (si kërkoi ai për votimin në OKB) me institucionet e tjera, ose jo.

Midis dy vendeve jemi duke përjetuar një situatë më të relaksuar pas takimit të Kretës dhe prononcimi i ri i Kotzias është në funksion të relaksimit të mëtejshëm, pra në funksion të krijimit të klimës së domosdoshme për ato lëshime që palët do t’i bëjnë kundrejt njëra-tjetrës për çështje madhore. Ky akt në kuadër të kësaj klime ngjan tërësisht normal dhe nuk supozohet që do ketë pasoja konkrete veç zgjedhjes së një pasardhësi shqiptar. Do ndryshojnë raportet numerike brenda sinodit të kishës, organit kolegjial, peshkopëve që vendosin për fatin e pasardhësit të Hirësisë së tij. Le të presim nëse ky veprim i shtetit shqiptar ndaj një njeriu i cili de jure dhe de fakto ka drejtuar komunitetin ortodoks, a do të përkthehet në theksim të shqiptarësisë së kësaj kishe.

Për t’u theksuar këtu një moment që e kapërcen ortodoksinë dhe kryepeshkopin, apo e kontektualizon një akt si ky. Shqiptarët globalisht karakterizohen nga bashkëjetesa fetare, nga ndjenja e fortë e përkatësisë kombëtare, sipas parimit të Pashko Vasës, pra përkatësia kombëtare mbi atë fetare, mbi universalizmin fetar. Mu për këtë, presidentët e vendit janë shmangur nga dhënia e shtetësisë edhe për drejtues të komuniteteve katolike, ortodokse, myslimane, për të ruajtur të njëjtin metër të shtetit shqiptar ndaj komuniteteve fetare.

Nëse shkon më tej në historinë e themelimit të Kishës sonë, shpjeguar në librin e Ardit Bidos për Autoqefalinë e saj, ky veprim i tyre duket se i ngjan rreptësisë së asaj kohe, ndonëse shteti i Zogut ishte shumë i dobët në arenën ndërkombëtare, rreptësi që duket se u zbut prej presidentit të Metës. Me këtë akt të Metës droja se mos dukej dobësi, ndaj njërit komunitet, ngjan se është kapërcyer. Le të presim nëse do të ndihmojë në një relaksim të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe si do të sillet shqiptari më i ri, Anastas Janullatos, kundrejt Shqipërisë dhe Greqisë.

Këtë shqetësim tonin duket se e ka kuptuar në ajër presidenti grek Pavlopulos, i cili ka folur me kryepeshkopin, duke e quajtur aktin si një akt që ka vulosur sjelljen shembullore si qytetar shqiptar të tij, dhe si akt që ndihmon në marrëdhëniet më të mira mes dy vendeve. /Konica.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU