Kina po investon para të majme në shtetet që një ditë mund të anëtarësohen në Bashkimin Europian, shkruan Matthew Karitsching në «Politico», duke analizuar investimet kineze në rritje në shtetet e Ballkanit. Pjesën më të madhe të fondeve po e merr Serbia për hekurudha dhe autostrada. Por BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe aktivitetit kinez. Disa diplomatë gjermanë kanë paralajmëruar tashmë se Kina, si Rusia, shumë shpejt mund të kthehet në kërcënim stabiliteti në Ballkan.
Në diskutimit e gjata për të ardhmen e Ballkanit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, çohet nga karrigia, shpalos një hartë sa një ballë muri dhe e shtrin në qilimin e trashë prej jargavani në sallën e tij private të pritjes.
«E shihni se cili është pasioni im i vërtetë», thekson ai, duke u gjunjëzuar mbi hartën e Serbisë me udhëkryqe autostradash dhe hekurudhash të planifikuara. «Është fjala për rrugë dhe ekonomi».
Serbia është në kulmin e transformimit fizik me të cilin, siç tha Vuçiqi në fushatë, do të merrte fund izolimi dhe do të hapeshin dyert e Bashkimit Europian. Që «pasioni» të jetësohet në realitet, presidenti serb nuk po mbështetet vetëm te Europa, por edhe të nja aleate e vjetër larg në lindje – Kina.
Me popullsi prej shtatë milionë banorësh, Serbia, njëri prej shteteve më të varfra të Europës, mund të duket si partner i panatyrshëm në orvatjen e madhe të Kinës për të pasur rol më të madh në kontinentin e vjetër. Por lidhjet e vjetra ndërmjet dy shteteve, bashkë me gjeografinë, kanë ndihmuar që Beogradi të shndërrohet në qendër të mësymjes së Pekinit drejt Europës.
Për Serbinë dhe fqinjët e saj, epërsia është e dukshme: investimet janë fort të nevojshme në infrastrukturë pavarësisht pak gjembave të padukshëm me të cilat shoqërohen.
Për Kinën, motivet janë edhe më të errëta. Por gjithçka duket e qartë: Pekini po shkel sigurt në derën juglindore të Europës – duke rritur ndikimin në shtetet që mbase një ditë do të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian.
Paratë në dorë
Kina i ka huazuar Serbisë para viteve të fundit për gjithçka prej shumës prej 170 milionë eurosh për urën mbi Danub në Beograd deri te huaja prej 70 milionë eurosh për ndërtimin e një hidrocentrali. Një kompani kineze ka blerë gjithashtu fabrikën e vetme të çelikut të Serbisë, duke premtuar revitalizimin e operimit në telashe pa larguar asnjë punëtor nga puna.
Megjithatë, kryevepra e angazhimit të Pekinit në Serbi është një lidhje hekurudhore prej tre miliardë eurosh ndërmjet Beogradit dhe Budapestit. Përveç linjës për pasagjerë, projekti prej 350 kilometrash gjatësi përfshin edhe një linjë hekurudhore vetëm për transport mallrash, që në fakt është thelbi i strategjisë së Pekinit për ta lidhur portin grek të Pireut me Europën Qendrore.
Hekurudha e re pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit ndërmjet dy qyteteve prej tetë në më pak se tri orë. «Do të bënte ndryshim të madh në rrugën e integrimit në BE, duke pasur parasysh afërsinë tonë me Europën Qendrore dhe atë Perëndimore», ka deklaruar Vuçiq.
Ajo që i bën jashtëzakonisht atraktive investimet kineze janë kushtet e huave. Për dallim prej huadhënësve ndërkombëtarë për zhvillim, si puna e Bankës Botërore, Kina shpesh është e gatshme të financojë projekte me kthime të kontestuara ekonomike duke pasur parasysh vlerën e tregut.
Ta zëmë, hekurudha ndërmjet Beogradit me qytetin bregdetar, Tivar në Mal të Zi. Projekti pritet të kushtojë rreth gjashtëqind milionë euro. Me ndikimin ekonomik që pritet të jetë modest, do të ishte e pamundshme që të bindeshin krerët europianë ta përkrahnin këtë hua, kanë thënë zyrtarët serbë. Por Kina nuk e bëri dy herë llaf këtë punë.
Në të vërtetë, me fondet strukturore të BE-së që nuk mund të përfitohen prej shteteve joanëtare, Kina është alternativa e vetme për shtetet si Serbia. Beogradi paguan përgjithësisht prej 2 deri në 2.5 për qind normë interesi për hua kineze, që zakonisht kthehen gjatë njëzetë deri në tridhjetë vite.
«Nuk është punë e lehtë të marrësh kredi prej shteteve perëndimore», ka deklaruar ministrja serbe e Transportit, Zorana Mihajloviq. «Kur flasim për këtë punë me shtetet europiane, na thonë «<Pse Kina?> Sepse kinezët i kanë paratë, thënë të drejtën».
Fitore e dyanshme
Përveç parave, Kina ofron edhe ekspertizë inxhinierike, duke siguruar kompanitë kineze të marrin një hise të tortës së madhe. Në projektin e hekurudhës serbe, ta zëmë, palët janë marrë vesh që kontraktorët ndërmjet dy shteteve t’i ndajnë punët pesëdhjetë me pesëdhjetë.
Në maj, Vuçiqi, i shoqëruar prej një delegacioni të madh, udhëtoi drejt Pekinit, ku u takua me kryeministrin kinez, Li Keqiang në Sallën e Madhe Popullore. Li theksoi zotimin kinez për bashkëpunim më të thellë me Serbinë, tashmë partnerin më të afërt në rajon, «për hir të dobisë së përbashkët, si dhe rezultateve të dobishme për të dy palët dhe jo vetëm».
«Aleksandar Vuçiqi tha se Serbia është mike dhe partnere e vlefshme e Kinës», lexoi zyrtari kinez gjatë seancës në pritjen ceremoniale.
Nëse hisja ndikuese e Rusisë në rajon ndihet nëpërmjet ushtrisë ruse dhe ajo e BE-së nëpërmjet karotës së anëtarësimit, prania e Kinës është e dukshme në punë publike me kushtëzime më të vogla.
«Përparësia është se kinezët janë shumë efikas», deklaroi Vuçiqi, vendi i të cilit ka përfituar hisen më të madhe të investimeve kineze. «Me kinezët nuk të dalin kurrfarë problemesh».
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në vetvete financues i madh i projekteve infrastrukturore në rajon, së fundi ka përshkruar rolin e Kinës në Ballkan si «jo më në nivelin tentativ», duke parashikuar rritje të mëtejshme të investimeve në vitet e ardhshme.
Kjo nënkuptohet, së paku kur vjen puna te Serbia, se raportet me Kinën nuk janë krejt punë transaksionesh financiare. Pekini është një prej shteteve të pakta që përkrah qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, duke refuzuar ta njohë krahinën e ndarë. Kina i qëndroi në krah Beogradit edhe gjatë fushatës bombarduese të NATO-s më 1999 kundër Serbisë. Gjatë bombardimeve ajrore u sulmua edhe Ambasada kineze, incident që amerikanët ngulmonin se ishte aksident, por shumë kinezë dhe serbë sot e asaj dite besojnë se ishte i qëllimshëm.
Presidenti kinez, Xi Jinping, i bëri vjet vizitë shtetërore Serbisë. Xi dhe gruaja e tij u pritën gëzueshëm prej një trupe që performoi një valle popullore serbe me veshje tradicionale. Vizita zyrtare e liderit kinez njërit prej shteteve më të varfra të Europës theksoi edhe më fort rëndësinë e Beogradit në sytë e Pekinit.
«Të dyja palët gëzojnë mirëbesim të përbashkët politik, bashkëpunim praktik të frytshëm dhe të larmishëm në të gjithë sektorët», thuhej atëherë në komunikatën për media të Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.
Nuk ka asnjë shenjë se ky raport i ngrohtë po vaket. Banka e Kinës hapi në janar në Beograd një degë rajonale për Ballkanin dhe Europën Lindore. Dy shtetet janë pajtuar së fundi të heqin regjimin e vizave për qytetarët e vendeve të tyre. «Hainan Airlines» i Kinës pritet që muajve të ardhshëm të nis fluturimet e rregullta nga Pekini në Beograd, nder potencial për sektorin serb të turizmit në ngritje. «Kemi raporte miqësie me kinezët», deklaron Vuçiq.
Rrugët dhe hekurudhat
Për Kinën, investimet kanë rëndësi ekonomike dhe politike njëherësh. Meqë Ballkani përbën korridor të rëndësishëm përgjatë projektit kinez «Një rrip, një rrugë» – plan donkishotesk për të krijuar rrugë të reja tregtare anembanë botës – strategjia premton gjithashtu ndikim më të madh të Kinës në politikën europiane.
Gjiganti kinez i transportit të mallrave, «Cosco», finalizoi vjet një marrëveshje për të marrë kontrollimin e portit grek të Pireut, më i madhi i këtij shteti. Kinezët tashmë kanë investuar më shumë se gjashtëqind milionë euro për modernizimin e portit, duke e kthyer në njërin prej pesëdhjetë limaneve më të mëdhenj në botë sa i përket numrit të kontejnerëve.
Ky ishte vetëm hapi i parë. Kina dëshiron ta shndërrojë portin e Pireut në model europian.
Për anijet kineze me destinacione europiane, të cilat zakonisht lundrojnë përgjatë Kanalit të Suezit para se të marrin rrugë drejt portit verior, si ai Roterdamit ose Hamburgut, afërsia e portit grek është opsion edhe më tërheqës – nëse Ballkani mund të ofrojë autostrada dhe hekurudha moderne për transport mallrash.
Megjithatë krijimi i qasjes më të mirë në tregjet e BE-së është vetëm një pjesë e rrëfimit.
Kina me gjasë synon jo vetëm dërgimin e mallrave në Europë, por marrjen e tyre prej saj, thekson Jacopo Maria Pepe, analist i Këshillit Gjerman të Marrëdhënieve të Jashtme, i cili ka studiuar përfshirjen e Kinës në rajon.
Qëllimi afatgjatë i Kinës mund të jetë ndërtimi i bazës industriale kineze të prodhimit për t’iu shërbyer jo vetëm tregjeve europiane, por edhe «tregjeve të reja në zhvillim përgjatë qarkut aziatik nga Mesdheu lindor deri në Lindje të Mesme dhe më thellë në Indi», ka nxjerrë përfundimin ai në një studim të gjatë për Qendrën për Studime të Azisë Lindore, «Edwin Reischauer» në universitetin «John Hopkins», i cili e ka publikuar sivjet.
Gjermania dhe Europa nuk duket se kanë kundërpërgjigje për mësymjet e papritura të Pekinit. «Gjermania e sheh me sy të mirë nismën e ashtuquajtur Rruga e Mëndafshit, që për qëllim ka krijimin e lidhjeve – ndërlidhjeve, siç po thuhet ditëve të sotme», ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel pas takimit me presidentin kinez Xi javën e kaluar në Berlin. «Ne me kënaqësi do të merrnim pjesë në projekte të tilla».
Model i Kinës duket të jetë Gjermania. Qysh prej anëtarësimit të shteteve të Vishegradit (Hungaria, Polonia, Republika Ceke dhe Sllovakia) në Bashkimin Europian më 2004, industria gjermane ka integruar shtetet në një zinxhir të ngjashëm, duke ndihmuar kompanitë, si «Volkswagen» apo «Siemens» të përfitojnë prej fuqisë së lirë punëtore dhe kostove të prodhimit.
Me pagat kineze që janë të ngjashme me ato në Europën Jugore, mundësia për prodhim lokal po bëhet më e madhe. Zyrtarët në Berlin janë të shqetësuar për marrjen në pronësi nga kinezët të një numri industrish të rëndësishme, përfshirë robotikën dhe pajisjet industriale.
Një karrige në Bruksel
Nëse qëllimi përfundimtar i Kinës është t’ia marrë anën Gjermanisë në Europë, hapi i parë qenësor në këtë drejtim shënohet nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës në Ballkan.
Për këtë cak, Kina ka ndarë një fond investues prej dhjetë miliardë eurosh në nëntor për të ndihmuar financimin e projekteve infrastrukturore që zgjaten prej Baltikut deri në Ballkan. Me vlerën e pavërejtur të kryelajmeve për investimet kineze, megjithatë ato shpesh kanë ndikim të pamatshëm në një rajon që vazhdon të ngecë prapa Europës Perëndimore kur vjen puna te mirëqenia. Serbia, që shtrihet në zemër të Ballkanit, është nyja e planit të Kinës për të krijuar urë tokësore me portin e Pireut.
Pothuajse dy dekada pas luftërave në Ballkan, pjesa dërmuese e infrastrukturës së Serbisë është në gjendje të mjerueshme. Me financime nga BE-ja, BERZH-i dhe huadhënësit e tjerë, Beogradi ka modernizuar një pjesë të lidhjeve të veta transportuese, por ende ka shumë punë për t’u bërë.
Disa prej hekurudhave të vendit janë riparuar pasi janë ndërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Lidhja hekurudhore me shpejtësi të lartë me vlerë prej tre miliard eurosh ndërmjet Beogradit dhe Budapestit vë në pah përparësinë e Kinës në rajon – dhe shpërblimin që një ditë mund t’ia sjellë investimi.
Edhe derisa po pritet të fillojë puna në hekurudhat e palës serbe, Komisioni Europian ka ngritur pikëpyetje nëse projekti përkon me rregullat e BE-së për tenderët publikë.
Për shumëkënd në rajon, implikimi është i dukshëm. I justifikuar apo jo, pluhuri që po e çon BE-ja do të sjellë vonesa dhe burokraci. Pekini njëherësh nuk po ndalet.
Mospërputhja rregullative ndërmjet dy anëve të kufirit është një tjetër arsye pse investimi i Kinës në rajon në lidhjet e saj me Serbinë duket punë e mençur.
Kinës i duhet ende kohë për shtrirje të ndikimit në Ballkan. Pavarësisht rolit të saj në ngritje, nuk është ftuar të merrte pjesë në takime, si samiti i Ballkanit Perëndimor, takim i përvitshëm që sivjet nikoqire ishte Italia që e organizoi në Trieste.
Por edhe partnerët e Pekinit thonë se nuk janë të sigurt se cilat janë aspiratat afatgjata të Kinës. «Është e zorshme të thuhet», ka deklaruar ministri malazez i Punëve të Jashtme, Sërgjan Darmanoviq, duke shtuar se deri tani nuk ka «përzierje në punë të brendshme» të qeverive të rajonit. «Kinezët thjesht duan të bëjnë biznes të mirë».
Nuk ka asnjë dyshim megjithatë se investimet po vërshojnë – pa ndonjë pengesë tenderuese ose burokraci – duke ofruar ndikim, vullnet të mirë dhe levë të Pekinit në rajon.
Me shumë shtete të Ballkanit që presin në radhë për t’u anëtarësuar në BE viteve të ardhshme, Kina do të mund të krijojë më shumë miq të afërt në tryezën e liderëve në Ballkan.
Kjo do të mund ta shuante kritikën kundër Pekinit për punën e të drejtave të njeriut dhe çështjet e tjera kineze, rol që tashmë ka nisur ta luajë Greqia. Athina, jo më larg se muajin e kaluar, bllokoi përpjekjen e BE-së për nxjerrjen e një deklarate për dënimin e fushatës kineze ndaj aktivistëve për të drejtat e njeriut.
Për shumëkënd në Europë, ky episod ilustron pse BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe aktivitetit të Pekinit në rajon. Disa diplomatë gjermanë kanë paralajmëruar se Kina, si Rusia, shumë shpejt mund të bëhet kërcënim stabiliteti në Ballkan.
«Kinezët tashmë janë këtu», ka deklaruar Pepe nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme. «Është në dorën e BE-së dhe Gjermanisë që të dalin me kundërpërgjigje strategjike».