Ruçi merr titullin “Qytetar Nderi” i Portocannones

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi gjatë vizitës së tij në rajonin Molise të Italisë, përuroi bustin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe njëkohësisht u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Portocannones.

Për të pritur delegacionin shqiptar kishin dalë me qindra banorë të qytetit, autoritete lokale dhe fëmijët e shkollave. Një flamur gjigant kuqezi ishte vendosur në sheshin qendror të qytetit dhe valëvitej në duart e dhjetëra  fëmijëve.

“Është një nder i madh për qytetin tonë të kemi mes nesh për herë të parë një autoritet të lartë shtetëror nga Shqipëria. Dhe këtë respekt na e bëri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi”, tha mes entuziazmit dhe duartrokitjeve kryetari i bashkisë, Giuseppe Caporicci.

Caporicci vijoi duke u shprehur se “Ne i jemi atij thellësisht mirënjohës për nxitjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të katër komunave arbëreshe të rajonit Molise me Shqipërinë dhe për sjelljen mes nesh të bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut dhe qyteti nderohet duke i dhënë z. Ruçi titullin “Qytetar Nderi””.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi përuroi bustin e Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit, Muntaz Dhrami, dhuruar bashkisë së Portocannones, nga këshilli i qarkut Tiranë. Busti i heroit tonë kombëtar, u vendos në hyrje të ndërtesës së bashkisë së qytetit.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU