“Rio 2016”, mes koshit të zyrës të Ramës dhe fjalëve boshe

Nga Ben Andoni

Ekipi shqiptar do të përbëhet nga vetëm pesë sportistë në aktivitetin më të madh olimpik, “Rio 2016”. Edhe pse është herët për të folur për rezultate, për një gjë mund të flitet me një siguri matematike. Edhe qeveria e zotit Rama, ashtu si e paraardhësit të tij Berisha bëri shumë pak për sportin në mandatin e parë, kuptohet veç fjalëve pafund.

Në një farë mënyre, Lojërat Olimpike Verore, që zhvillohen njëherë në katër vjet, janë dhe një skaner ndërkombëtar, ku çdo shtet testohet për politikat e tij sportive dhe outputet e veta sportive. Kjo, sepse ndërsa në sporte kolektive dhe në kampionatet e njohura të futbollit dhe basketbollit por edhe lojërave të tjera kolektive me politikat e reja përfshihen shumë pjesëmarrës me kombësi të ndryshme, në shumë-sportet e tjera, ku përfaqësohen delegacionet e vendeve të ndryshme roli kryesor është i individit dhe i politikës që stimulon këtë personazh. Dhe, bash këtu, nga rezultati i tij dalin hapur politikat sportive të vendeve të ndryshme.

Shqipëria vjen nga një përfaqësim katastrofal në “Londër 2012”, ku që në fillim një garist iu testua pozitiv, ku Majlinda Kelmendi (kosovarja e xhudos atëherë veshi bluzën e Shqipërisë) u përfaqësua dobët, Shala nuk garoi fare, e kështu me radhë. Prej këtij përfaqësimi, Shqipëria pritej që të kishte një lloj reflektimi, që do t’i përçohej si duhet qeverisë Rama për Olimpiadën e ardhshme, që për hir të së vërtetës në fillimet e saj ishte tejet mirëkuptuese. Por, ai, jo vetëm që s’është bërë, kurse vetë shteti ynë ka qenë pasiv duke përshfaqur vetëm indiferentizëm, pazotësinë e tij dhe propagandën boshe.

Për drejtuesin e misionit olimpik Virion Bezhani gjërat kanë ndryshuar me qeverinë e re, por rezultatet duhet shumë që të vinë. “Duhet të kuptojmë se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është me kualifikim. Ne kemi mbi 8 vjet që fjala sport nuk dëgjohej më në asnjë zyrë shteti, nuk kemi pasur një strategji për ta zhvilluar sportin, ku të gjithë besoj e kuptojnë këtë ngërç institucional, sepse drejtuesit e mëparshëm, sportin e shikonin si një lojë dhe kurrë nuk kanë menduar dhe respektuar vlerat e sportit. Ndryshon tani kur sporti po vlerësohet, por kuptohet që rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë”, citohet ai për Java.

Në fakt, për ata që se dinë, pjesëmarrja në olimpiadë realizohet në bazë të normave olimpike që duhet të arrijnë sportistët në gara të rëndësishme të certifikuara ndërkombëtarisht. Për fatin e keq, sportistët e Shqipërisë kanë qenë thjesht të pazotë t’i arrijnë këto, kurse sikur të mos mjaftojë kjo ekipi i shtangës (ku gjenden masa e sportistëve tanë më të mirë) është i skualifikuar, për problemeve të dopingut dhe është lejuar vetëm një sportist i tyre pjesëmarrës.

Ndërkohë në të gjithë këto vjet, kryeministri Rama, ish-sportist, ka referuar vazhdimisht për sportin, për përmirësimin e infrastrukturës dhe sidomos strukturën e edukimit sportiv në shkolla, por deri më tani, gjërat kanë lëvizur për pothuaj asgjë për sportet individuale, ndërsa peshën specifike e merr futbolli prej ndjekjes masive, prej forcës së llotos dhe propagandës që i duhet shumë aktorëve politikë dhe lokalë, teksa sportet individuale dhe ato të tjera kolektive po mbeten në nivele gati amatoreske.

Trishtimi nuk mbyllet këtu pasi Kosova, shteti i dytë shqiptar që s’ka mbushur ende dekadën, përfaqësohet me dyfishin e sportistëve pjesëmarrës në Rio 2016, një fakt që duhet ta alarmojë Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve, ku Ministria Nikolla, në këtë mandat, do mbahet mënd vetëm për zellin e pritjes në Rinas të sportistëve që marrin medalje, ndërsa s’ka ngritur asfare peshë për sportin shqiptar, e pothuaj krejt e pazonja të ndryshojë gjendjen ku jemi, mbi të gjitha edukimin sportiv të rinisë, që lë shumë për të dëshiruar.

Ironia shtohet me propagandën lëbyrëse që bëhet shpesh me koshin e zyrës së Ramës, duke treguar indirekt dashurinë e madhe për sportin të kryeministrit dhe veçantitë e tij, shi ato të qeverisë së tij, që e kanë treguar ndihmën ndaj sportit të jetë gati e papërfillshme, kurse ekipin shqiptar në Rio, thjesht një ekip vizitor në aktivitetin më të madh të botës sportive. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU