“Rilindja Urbane”/ Përmbyllet faza e parë e restaurimit të qendrës së Librazhdit

Në një atmosferë festive e kanë pritur qytetarët e Librazhdit ndërrimin e viteve. Ka përfunduar tashmë faza e parë e projektit të rikonstruksionit të qendrës së qytetit, pjesë e projektit për “Rilindjen e Qendrave Urbane”.

Deputeti Taulant Balla tha se, një atmosferë e tillë e bukur e ka ndyshuar krejt pamjen e Librazhdit, duke i shtuar bukurinë jo vetëm festave, por edhe jetës së përditshme të qytetarëve.

“Unë besoj se asnjë vit më parë sesa ky i sivjetshmi, nuk është kaluar më bukur festa e ndërrimit të viteve, sepse festa e Vitit të Ri e gjeti Bashkinë e Librazhdit me një ambient tërësisht modern, siç është qendra e qytetit, në kuadër të një projekti kombëtar siç është ‘Rilindja urbane’ e qendrave të qyteteve. Një ndër përfituesit e këtij projekti ka qenë edhe Bashkia Librazhd. Në fakt dua të them se projekti është në vazhdim, sepse është mbyllur vetëm faza e parë dhe jemi në gjysmën e fazës së dytë. Por duhet të dini se kemi edhe një fazë të tretë, që përfshin të gjitha lagjet e qytetit të Librazhdit. Unë jam shumë i gëzuar që në këtë fillimvit, t’iu uroj të gjithë banorëve të Librazhdit dhe të të gjithë Shqipërisë, një vit të mbarë me suksese dhe mbarësi në çdo familje”, tha Taulant Balla, deputet i PS-së.

Faza e tretë e këtij projekti konsiston në rehabilitimin e lagjeve, rrugicave dhe shesheve të pallateve. Pritet që së shpejti të nisë një tjetër projekt për suvatimin dhe lyerjen e fazadave të pallateve.

/ Top Channel

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU