Reforma Zgjedhore, sfida e re e Kuvendit

Reforma zgjedhore pritet të jetë sfida e re e punës së Kuvendit të Shqipërisë, pas miratimit të ligjit ‘Për dekriminalizimin’ dhe punës në vijim për reformën në drejtesi. Sesioni parlamentar u mbyll më 21 dhjetor me ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Me unanimitet, deputetët e të dyja palëve i hapën kështu rrugë reformës së ardhshme elektorale për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të përfshira në raportet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s dhe atyre vendore të 2015-s.
Për herë të fundit Kodi Zgjedhor në Shqipëri është ndryshuar në vitin 2012, ku u ndërhy në çështje që kanë të bëjnë me listat zgjedhore, regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe financimin e zgjedhjeve dhe të fushatës elektorale.
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2015, por dhe ato parlamentare 2013, propozon një sërë rekomandimesh me synim përmirësimin e mbajtjes së proceseve zgjedhorë në Shqipëri dhe për t’i sjellë ato në përputhje të plotë me standartet demokratike.
Raporti i fundit i ndërkombëtarëve vëren se vëmendje në amendimin e ligjit zgjedhor duhet t’i kushtohet rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Kështu, ligji mund të ndryshohet për të lejuar caktimin e komisionerëve jo partiakë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të depolitizohet administrimi zgjedhor.
OSBE sugjeron gjithashtu rishikimin e kuadrit ligjor për rregullimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, përfshi këtu dhe subjektet që kanë të drejtë ankimimi, afatet për gjykimin e ankesave dhe juridiksionin mbi listat e zgjedhësve dhe ankesat e lidhura me fushatën.
Një tjetër rekomandim i ndërkombëtarëve lidhet me përshpejtimin e afateve për dorëzimin e raporteve financiare tek audituesit e KQZ-së dhe publikimin e tyre në kohë, afate që sipas OSBE-së, duhet të përcaktohen ligjërisht.
Rekomandime të tjera të sugjeruara nga vëzhguesit ndërkombëtarë lidhen me kufizimet e përgjithshme të së drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuar mendore, të cilët duhet të hiqen ose duhet të vendosen rast pas rasti, duke u bazuar në rrethana specifike.
Vëmendje po ashtu në ndryshimin e ligjit zgjedhor i duhet kushtuar sigurimit të personave të huaj me të drejtën për të votuar në zgjedhje, pas një periudhe të caktuar banimi në vendin ku zhvillohen zgjedhjet, kur këta të fundit përmbushin të njëjtat detyrime ligjore që përmbushin qytetarët e tjerë. Raportet ndërkombëtare sugjerojnë gjithashtu se duhen shtuar përpjekjet për të siguruar, që të gjithë zgjedhësve t’u caktohet një kod i saktë identifikues adrese dhe që të dhënat e dyfishuara të verifikohen dhe zgjidhen. Autoritetet duhet të fillojnë në kohë hetimet rreth pretendimeve specifike për zgjedhës të shtuar në regjistrin civil dhe listat e zgjedhësve në kundërshtim me ligjin.
Rregullat për regjistrimin e kandidatëve, duke përfshirë proçedurat për mbledhjen, verifikimin dhe miratimin e nënshkrimeve mbështetëse, duhet të jenë të qarta dhe të rregulluara mjaftueshëm para zgjedhjeve për të siguruar qëndrueshmëri dhe siguri ligjore.
Nisur nga precedentët e krijuar gjatë procesit zgjedhor të 21 qershorit, OSBE rekomandon që Kodi Zgjedhor të përfshijë dispozita në lidhje me kohën dhe kushtet për tërheqjen nga gara të kandidatëve të regjistruar. Gjithashtu, duhet të vendosen masa mbrojtëse për të siguruar, që të mos abuzohet me të drejtën për të tërhequr kandidatët nga gara.
Autoritetet dhe partitë politike duhet të sigurohen që të mos ushtrohet presion ndaj punonjësve të sektorit publik, mbështetësve politikë apo të tjerëve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës apo për të votuar në një mënyrë të caktuar.
OSBE/ODHIR rekomandon gjithashtu se nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar problemin e vazhdueshëm të blerjes së votës, si nëpërmjet edukimit të zgjedhësve, ashtu edhe përmes ndjekjes penale, me qëllim rikthimin e besimit në proçesin zgjedhor. Partitë politike mund të bëjnë një angazhim konkret dhe të vërtete për të dënuar praktikat e blerjes së votës. Blerja e votës duhet të përcaktohet qartë në ligj dhe duhet të jetë subjekt i sanksioneve efektive në përpjestim më shkeljene e kryer.
Sa i takon rolit të medias në procesin zgjedhor, ndërkombëtarët rekomandojnë që Autoriteti i Mediave Audiovizive(AMA) duhet të monitorojë median gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve në mënyrë që të zbatojë dispozitat ligjore për mbulimin e paanshëm të aktorëve politikë, duke përfshirë dispozitat në mbulimin e barabartë të lajmeve për garuesit gjatë fushatave zgjedhore.

ATSH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU