Qebapët e çadrave

Çadra po kthehet në simbol. Jo të protestës. As të kundërshtimit të pushtetit. Të lirisë jo e jo. Në simbol të qebaptores. Aty gatuhen sot qebapët e Lulzim Bashës. Para ca vitesh ishte Edi Rama që gatuante qebapët e tij.

E fundit që u hodhi Basha njerëzve për të ngrënë kishte lidhje me Pazarin e Ri. Planet paskërkëshin qenë të tijat. Por na i bëri Erjoni. Si dhe bulevardi më parë.

E çë? Do themi se vëllezërit Ëright nuk janë ndërtuesit e aeroplanit, se planet e skicat i kishte bërë Leonardo da Vinci para 400 vitesh?

Në vend të ulin kokën e mos të ndihen, sepse ua fitoi Tiranën, Veliaj, i padëshiruar jo vetëm nga të djathtët, por edhe nga të majtët. Dhe për asnjë minimum faji të Halim Kosovës.

“Republika e re”, nuk është as mish i prishur.

Eshtë kalbësirë fare. Eshtë si “përtej së majtës e të djathtës” të Ramës dikur. Pretendimet e tjera, qeveria teknike, kanabisi, etj, janë thjesht asortimentet e mishit të kalbur.

Nuk e di kush e këshilloi Bashën të ndryshonte modelin, nga një lider elegant dhe komunikues, në një udhëheqës prepotent, agresiv dhe ultimativ. A nuk ishte Berisha i tillë? A nuk kemi Ramën të tillë?

Po Rama? Kryeministri ka kaluar kësaj rruge, rrugës së qebapit, më përpara. Rrjedhimisht edhe ai ka gatuar me mish të prishur. Veçse ka pasur makineri më të mira, për t’i paraqitur më bukur prodhimet e tij. Sigurisht shumë që i hëngren kanë nisur t’i vjellin. Por gjithsesi çadra në mes të bulevardit është një çiban. Çiban që shëmton fytyrën e vendit, që pavarësisht bojatisjeve mbetet sërish e shëmtuar edhe pa u parë.

Ndoshta kryeministrit i pëlqen të tallet, apo të luajë nervash me kryetarin e opozitës, duke “u hakmarrë” për të kaluarën. Por besoj se ashtu si unë, edhe shumica e ne njerëzve jo militantë, jemi të lodhur. Të lodhur nga ky budallëk politik. Të lodhur e të bezdisur nga mosturpërimi i atyre që zgjidhen vetë në krye, dhe thonë na zgjodhi baza, e pastaj turpërimin e bëjnë kombëtar, duke e ulur kreshpërimin për një drekë tek “Krokodili”, apo “Hipopotami”.

Rama thotë se është zgjedhur nga 1 milionë vota. Dil dhe ftoje në tavolinë Bashën. Diskutoni. Debatoni. Rrihuni. Larg syve tanë. Nuk ju kemi votuar t’ju kemi në sy përditë, boll kemi bythët e gjokset silikon. Mos na e lini më nëpër këmbë këtë shëmti, që e pasoni tek njëri-tjetri. Arsyet tuaja, nuk janë arsyet tona. Ju jeni sot të parët e vendit. Dhe e dini po aq mirë sa shumë të tjerë, se ata europianët që thonë duke nënqeshur “e drejta e protestës”, janë duke tallur prapanicën me ne.  Njerëzit?

Demokratët nuk gënjëjnë dot as veten, as të tjerët. Kanë një parti të copëtuar. Me disa fraksione. Me të pakënaqur. Me njerëz indiferentë. Me dy-tre rryma. Me figura të forta që nuk e duan kryetarin. Madje me figura që duan më shumë kandidatin që tashmë nuk jeton më, të ndjerin Sokol Olldashi (që për hir të së vërtetës i mungon kaq shumë PD-së). Me humbje të njëpasnjëshme. Jo vetëm humbje, por edhe të thella, përkundrejt një partie e koalicioni të akuzuar e të bërë telef nga korrupsioni, arroganca dhe përplasjet. Njerëzit nuk i ka me vete PD-ja. Për keq, apo për mirë.

Mund t’i shajmë, t’i mallkojmë, t’i përbuzim, të vërtetën nuk e shbëjmë dot. PD nuk është gati për zgjedhjet. Kjo nuk ka ndodhur as në 1997. Në këtë vit PD mori mbi 20 përqind vota në Vlorë. Në 2015 mori më pak…

Do ishte më mirë, që ata njerëz që i kanë lidhur me turne tek çadra, të shpërndahen në bazë e të lidhin njerëzit e shpërndarë. Të tjerët, le të merren me hallet e vetingut, lidershipit e të tjerat me radhë. Demokratët i duhen edhe Shqipërisë, jo vetëm partisë. Nuk janë pronë e askujt. Shembulli është dhënë me “Rilindjen”…A mund të përsëritet historia kaq shpejt?!

Në vend të qebapit

Sigurisht që do pyetet, po ç’të hamë në vend të qebapit? Ka lloj lloj përgjigjesh. Që nga ato erotiket, e deri tek sarkastiket. Nuk kemi forcë, as zgjuarsi të gatuajmë vetë. Nuk patëm mundësi të ndryshonim drejtimin. Prej 27 vjetësh na drejtojnë ish-komunistë, apo të afërm të tyre, me përjashtim të pak muajve të Majkos e Metës, gjithsesi të sulmuar.

Nuk patëm mundësi të jemi zgjedhës të kryetarëve respektivë të dy partive të mëdha. Nuk kemi këllqe të mbrohemi me anë sindikatash, sepse blihemi shpejt. Nuk kemi aftësi të bashkohemi, e nuk formojmë dot një mendim, qelizën e parë. Nuk dimë të bëjmë një libër historie (mbylli gjithë historianët, të djathtë e të majtë, jepu dhe dhjetë milionë euro, e mos i li të dalin pa e bërë historinë të pakundërshtueshme me dokumenta dhe ta mbyllim këtë turp). Dimë të futim veç gjilpëra nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Pra qebap do vazhdojmë të hamë. Por kemi në dorë, që t’ua bëjmë të qartë gatuesve, se përbërësit nuk i kanë të mirë. Dhe këtë mund ta tregojmë të paktën një herë në katër vjet.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU