Kryetari i njësisë administrative të Dajçit Gjovalin Darragjati ka replikuar me ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe zv/ kryeministren Senida Mesi gjatë inspektimit të gjendjes nga përmbytjet ditën e sotme. Mesi ka kërkuar koordinim dhe transparencë në shpërndarjen e ndihmave të nevojshme, ndërsa përsa i përket dëmeve ka shtuar se do të bëhen pas tërheqjes së ujit.
“Kërkoj koordinim dhe transparencë në shpërndarjen e ndihmave të nevojshme. Askush nuk na pengon që pas largimit të ujit të shohim mundësinë e kompensimeve. Të ulemi e të vlerësojmë demet” tha Mesi. Por, kryetari i njësisë administrative të Dajçit Gjovalin Darragjati ka replikuar duke akuzuar se “Në 5 vite qeveria nuk ka investuar në Dajç. Kemi paraqitur problemet”.
Por ministrja e Mbrojtjes Xhaçka reagoi duke thënë se përgjegjësia është e pushtetit lokal. “Përgjegjësia është e pushtetit lokal. Duhet të gjejmë mundësinë e bashkëpunimit e cila është e rëndësishme. Do të ndryshojmë ligjin për emergjencat civile që përgjegjësit të shkojnë përpara drejtësisë” tha ministrja.
Dita e sotme ka sjellë një përmirësim të lehtë të situatës së përmbytjeve në Shkodër. Uji është tërhequr, por sipërfaqja e tokës së përmbytur vijon që të jetë e madhe, rreth 4500 hektarë. Ndërkaq, në zonë e Dajçit, e cila këto ditë ka qenë ndër më problematiket, ka nisur qarkullimi me automjete të vogla. Personat e evakuuar janë të strehuar ende në konvikt.
a.ç