“Për shpifësit që akuzojnë Dritëroin se ‘e paska marrë më qafë’ Artistin e Popullit, Kujtim Spahivogli”

Dr. Kadri Kadiu

“Të qoftë i lehtë dheu që të hodhën përsipër, o njeri, por më e lehtë qoftë balta, e pakët vërtet, por rëndesa e saj është mizore”. Kështu është shprehur për Dritëroin, Artisti Pëllumb Kulla.

Kam përjetuar dhimbje këto ditë, pas largimit fizik të shkrimtarit dhe poetit më popullor të Kombit, Nderit të Kombit Dritëro Agolli, për baltën që i kanë hedhur jetës e veprës së këtij kollosi disa hiçër e maskarrenj si puna e ca zhejërve, markmarkërve e tyrlish bojaxhinjërve e karkalecërve të kohës.

Dritë i bëri Shqipërisë Dritëroi me jetën dhe veprën e tij. Rallë gjenden njerëz kaq humanë, të dhimbshëm e shpirtmëdhenj si Dritëroi ynë, Dritëroi i të gjithëve. Jo me dhjetra, por me qindra janë ata shqiptarë të mirë, punëtorë, fshatarë, intelektualë, shkrimtarë, poetë, këngëtarë, që edhe këto ditë të dhimbjes, kanë kujtuar ndihmën dhe mirësitë që iu ka bërë Dritëroi për t’iu dhënë mundësinë të vazhdonin shkollën, të vazhdonin punën e të zhvillonin talentin e tyre, që ua ka lehtësuar jetën nga andrallat e biografisë dhe të luftës së klasave.

Ndërmjet të tjerave këta baltaxhinj shpifës e akuzojnë sot Dritëroin se “e paska marrë më qafë” Artistin e Popullit, Kujtim Spahivogli.

Unë kam patur fatin që të punoj e të jetoj disa vite me të madhin Kujtim Spahivogli në Koopertativën Bujqësore të Bërzhitës në Tiranë, ku unë isha me detyrën e kryetarit të Kooperativës, ndërsa Profesor Kujtimin, pas internimit, sa për t’i dhënë një copë bukë, e kishin bërë “zëvendës përgjegjës të Vatrës së Kulturës”, kështu që i kam njohur e i kam ndjerë në shpirt dhimbjet e tij, por e kam njohur dhe faktin që Kujtimi deri në fund të jetës së vet, Dritëroin e quante shokun më të dashur të jetës dhe ia çmonte ato që Dritëroi kishte mundur të bënte për Kujtimin.

Në Librin tim me tregime e poezi, të titulluar “Dheu që dhemb”, unë kam bërë një shkrim plot dashuri e dhimbje për mikun tim të paharruar, Kujtim Spahivoglin. Në përgjigje të këtyre baltaxhinjve shpifës, më poshtë po jap vetëm një pasazh të nxjerrë nga Libri im:

“…Qysh nga momenti që unë e takova Kujtimin, e deri sa unë vazhdova me punë në Bërzhitë, pavarësisht nga ngarkesa e punëve të ditës, do ta gjeja kohën për ta takuar disa çaste, për ta pirë një kafe apo për të këmbyer një cigare me Kujtimin, për të cilin çdo ditë po më shtohej dashuria dhe respekti. Edhe Kujtimi e ndjente këtë dhe gjithnjë e më shumë bëhej më i çiltër e i qeshur me mua.

Një ditë Kujtimi më vjen në zyrë dhe pasi më përshëndet, më lëshon mbi tavolinë disa letra.

Çfarë i ke këto o Kujtim,i thashë?

Poezi të shkruara nga unë janë, më tha Kujtimi, hidhi një sy po deshe!

Mirë o Kujtim, faleminderit që m’i sjell për t’i lexuar e të kënaqem, por ti mos prit ndonjë mendim kushedi se çfarë prej meje pasi unë nuk jam as poet e as kritik letrar.

I lexova me një frymë ato 3-4 poezi që më kish sjellë, pasi ato më përpinë të tërin, dhe i thashë: Ti ke shkruar bukur o Profesor që në rini, e jo tani që i ke të pjekura e të thekura.

Eh mo Kadri, më tha Kujtimi duke nxjerrë një psherëtimë; shkruaj unë, shkruaj, por akoma nuk janë ngopur me mua dhe nuk m’i boton kush, pasi ma kanë hequr të drejtën e botimit.

Nuk kisha çfar t’i thosha Kujtimit, edhe kjo dhimbje e tij kaloi në shpirtin tim e m’i bllokoi fjalët.

Edhe atë natë më la pa gjumë Kujtimi, kështu që të nesërmen, që në mëngjes, u drejtova për në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë për të takuar kryetarin e Lidhjes, Dritëro Agollin.

Në Lidhjen e Shkrimtarëve unë kisha një shokun tim, shkrimtarin Fatmir Mborja, me të cilin kishim punuar sëbashku për dhjetë vjetë si pedagogë në Institutin e lartë Bujqësor, por që tani Fatmiri ishte kryetar i Degës së Administratës në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Meqenëse deri në atë kohë unë nuk e kisha takuar ndonjëherë Dritëroin, i them Fatmirit: ” Shko dhe i thuaj shokut Dritëro se kryetari i Kooperativës së Bërzhitës, i cili është një devollit, kërkon të takohet me ju”.

Shkoi Fatmiri dhe vetëm pas një minute erdhi më mori mua dhe hymë të dy në zyrën e Dritëroit.

U përshëndetëm, më pyeti Dritëroi se si ia çoj me punë në Kooperativë, se nga cili fshat i Devollit isha, e për plot gjëra të tjera që thuhen në një prezantim, dhe pastaj më kërkoi arësyen pse ia kisha kërkuar këtë takim.

-Shoku Dritëro, i thashë, unë kam ardhur tek Ju për Kujtim Spahivoglin, unë e di se juve e njihni më mirë atë, por edhe unë po e njoh dhe më shqetëson fakti që Kujtimi akoma e ka të ndaluar të botojë.

Dritëroi një cigare ndezur e kishte dhe po i digjej në tavllë, por zgjati dorën mbi tavolinë, mori një cigare tjetër nga paketa, e ndezi dhe pastaj me zë të dridhur filloi të flasë:

-Ah mor djalë, ti paske ardhur që të më trazosh një plagën time; Kujtimin unë e kam shok, e kam vëlla.

Po çfar ka bërë Kujtimi mo? Asgjë ska bërë Kujtimi, ka vënë në skenë dramat e Fadil Paçramit. E po kush nuk mund t’i vinte në skenë dramat e tij në atë kohë që ai ishte anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar Ideologjik i Komitetit të Partisë së Tiranës?

Kot fare është dënuar Kujtimi, por çfar t’i bëj unë Xhelil Gjonit, i cili po rehabiliton edhe shkrimtarë pederastë dhe nuk rehabiliton Kujtimin (këtë fjalën “pederast” e shkrova unë, ndërsa Dritëroi e tha shqip, me dy fjalë që fillojnë me “b” dhe me “q” dhe duke përmendur edhe personin për të cilin e kish fjalën).

Po të ishte në dorën time mor djalë, vazhdoi Dritëroi, Kujtimi sot do të ishte në krye të Teatrit Popullor, se aty e ka vendin. Unë, edhe dje jam zënë me Xhelil Gjonin për Kujtim Spahivoglin. (Për ironi të fatit, ky Xhelil Gjoni tani mbante funksionet që kish patur Fadil Paçrami, pra Xhelili ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Sekretar Ideologjik i Komitetit të Partisë së Tiranës, dhe i priste palla në të katër anët).

-Shoku Dritëro, i thashë, më fal se ndofta të shkaktova dhe emocione; unë e di që juve e doni Kujtimin, këtë ma ka thënë dhe Kujtimi, por mua nuk më ka dërguar Kujtimi tek ju, mua më solli këtu dhimbja e Kujtimit.

………

Ishte muaji korrik i vitit 1987. Unë tashmë kisha ikur nga Bërzhita dhe punoja në Tiranë, kështu që Kujtimin e takoja më rallë. Një ditë shkova tek Stacioni i Autobusave të Krabës e Bërzhitës për të takuar ndonjë shok të Kooperativës. Gjeta aty Tom Tuhollin, Kryeagronomin e Kooperativës. Të parën fjalë që më tha Toma ishte:

-A e more vesh për Kujtimin?

-Pse, çfar i ka ndodhur Kujtimit? Pyeta unë.

-Kujtimi vdiq.

-Po kur, si, pse???

– Po ja, ka ndonjë javë, ti e di që Kujtimi ishte shumë i sëmurë nga zemra.

–  Po mirë mo Tom, i thashë, po pse nuk më lajmëruat mua për varrimin?

-Po si të të lajmëronim, kur edhe ne nuk na lajmëroi njeri dhe e morëm vesh vetëm kur pyetëm që pse s’po vinte në punë Kujtimi.

– Po për ngushëllim kini shkuar?

-Po kujt t’i shkojmë për ngushëllim, ti e di se Kujtimi jetonte fillikat vetëm.

Kishte të drejtë Toma, kot e kisha bërë unë këtë pyetjen e fundit. Të dy me Tomën u drejtuam për tek Klubi përballë Stacionit të Autobusave dhe në një banak, më këmbë, Toma më dha kafen e hidhur të Kujtimit.

Ah Kujtim, Kujtim;  vetëm 55 vjet jetove, por ti  ke mbetur gjallë në zemrat e atyre që të kanë njohur e të kanë dashur dhe që e kanë brengë që nuk t’i shëruan dot plagët, ndaj dhimbja për ty do të na rëndojë shpirtin sa të rrojmë”.

Denver,  7 Shkurt 2017

/TemA

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU