Për Gafurin me pisqollë dhe vrasësit me kollare

Nga Ardit Rada

Partia Demokratike ka treguar edhe një herë se nuk ka asnjë lidhje me bazën, aq më pak me të zgjedhurit nën siglën e saj. U desh një denoncim në media që Lulzim Basha ta merrte vesh se Gafur Mazreku po shpallet ‘Qytetar Nderi’ në Has, sepse PD nuk informohet nga këshilltarët e saj. Ose ndoshta vendimi ka qenë aq unanim në Këshillin Bashkiak, saqë edhe vetë demokratëve u është dukur gjëja më normale që ta dekorojnë Mazrekun.

Sot, selia blu ka vajtur larg përmes kërkesave të saj, përfshirë edhe shkarkimin e Adem Lalës si kryetar bashkie. Përberja e Këshillit të Hasit tashmë është zbardhur, ku PS rezulton me vetëm një anëtar, por kjo mbetet diçka pa rëndësi tashmë që vendimi është në letër.

Rasti i konfliktit të Gafur Mazrekut me Azem Hajdarin përveçse një precedent në sallën e Kuvendit, shënoi edhe fundin e armëmbajtjes nga deputetët. Ishte një konflikt i rrallë për kohën, por më pas Kuvendi pa edhe më zi. Që nga Ilir Meta mbi tavolina, grushtat në sallë apo korridore dhe deri tek Edi Paloka me televizorin plazma në krah për ta hedhur në drejtim të ministrave a kushedi se ku.

Për t’u kthyer në rastin e Mazrekut, duhet kuptuar se cilësimi në media dhe në deklarata politike si ‘atentator’ i Hajdarit bëhet për një qëllim. PD kërkon ta lidhë vrasjen e ish-deputetit të saj si një plan që socialistët e kanë pasur gjithmonë në mendje. Por në fakt, atentator është dikush që të zë pritë, dhe jo ai që dhunës i përgjigjet me dhunë.

Sali Berisha ishte personi që e zhveshi Hajdarin nga çdo funksion partiak, përveç mandatit të deputetit që nuk ia hiqte dot. Ai u përjashtua nga Grupi Parlamentar dhe Kryesia e PD-së nën pretekstin se ishte zënë me rojën e derës te selia e partisë. Argumentim aq banal ky, por që mjaftonte për ta izoluar sadopak aktivitetin politik të Hajdarit. Atë kurrë nuk e bënë ministër në qeverinë Meksi dhe fatkeqësisht i shërbeu Berishës më shumë i vdekur sesa i gjallë duke nisur nga shtatori i 1998-ës e deri më sot.

Për ta rehabilituar figurën e Hajdarit, Berisha e rivarrosi në Varrezat e Dëshmorëve dhe e ktheu atë në bronz në Durrës, Tiranë etj. Por sa ishte gjallë, Azemi me temperamentin që kishte nuk i duhej kryetarit të PD-së. Dhe pikërisht ky temperament shkaktoi plagosjen e tij, dhe një vit më pas fatkeqësisht humbi jetën.

Por çfarë ndodhi në shtator të vitit 1997? Mjafton të shihen pamjet e xhiruara në sallën e Kuvendit për të kuptuar se Hajdari rrahu Gafur Mazrekun. Ky i fundit pas të shtënave në sallë, u gjykua dhe u dënua më 11 vite burgim. Në vitin 2002, ish-deputeti socialist u zgjodh kryetar i degës së PS-së me vota unanime derisa ndërroi jetë në vitin 2005. Të gjitha këto ngjarje nuk lidhen me Edi Ramën dhe jo për ta marrë në mbrojtje, por për të kuptuar sesa larg në kohë shënon ngjarja. Kur Mazreku plagosi Hajdarin, Edi Rama ishte në emigrim. Dhe kur ai u zgjodh kryetar i PS Has dhe derisa ndërroi jetë, Edi Rama nuk ishte në krye të partisë që drejton prej 13 vitesh.

Gafur Mazreku nuk shprehu kurrë pendesë për plagosjen e Azem Hajdarit. Sipas tij, deputeti demokrat i futi kokën në mes të shalëve dhe nëse nuk do ta qëllonte, atë nuk do ta pranonin në fshat. Pra gjithçka lidhej me një zakon kanunor, sipas të cilit burrit nuk i futet koka ndër shalë. Dhe kjo është arsyeja pse Mazreku sot është shpallur “Qytetar Nderi” edhe me votat e demokratëve të zonës së tij.

Sot, deputetët nuk mbajnë më armë fal precedentit Mazreku-Hajdari. Me përjashtim të rastit të Gent Strazimirit që në protestën kundër këndit për fëmijë, shkoi me pistoletë në brez. Arma mund të të trimërojë, por nuk të bën burrë. Sepse pistoleta e Strazimirit herë doli që ishtë këllëf celulari, e herë pa leje sepse kishte harruar ta dorëzonte. Por në asnjë moment partia e tij nuk e dënoi rastin, aq më pak qeveria e Ramës, organet kompetente e të tjerë. Sepse e tillë është Shqipëria, ku para ligjit disa janë më të barbaratë sesa të tjerët.

Po sot, nga Kuvendi i Shqipërisë janë përjashtuar rreth 10 deputetë. Të gjithë të prekur nga ligji i dekriminalizimit nën akuza shumë të rënda. A ka më keq sesa Gafur Mazreku? Po, sepse Gafuri ishte deputet dhe u bë plagosës në një rrethanë të provokuar. Ndërsa sot, i marrin me armë në brez dhe dosje të kopsitura, dhe i bëjnë deputetë.

Historia ka treguar se nuk ka nevojë të kesh armë që të jesh keqbërës. Kryesisht në Shqipëri. Në Perëndim thonë se keqbërësit më të mëdhenj nuk janë me tatuazhe, por me kostum e kollare…

/javanews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU