Një garë bllofesh

Nga Skënder Minxhozi/

“E dimë që ndërkombëtarët nuk na kuptojnë, po kjo tashmë u bë”. Ky ka qenë pak a shumë bllofi zyrtar që opozita ka përdorur në orët pasi ka dorëzuar masivisht mandatet, ndërkohë që amerikanë e europianë i kanë këshilluar të kundërtën. Është përsëritur fraza e mësipërme në të gjitha studiot televizive, nga politikanë e gazetarë që përkrahin opozitën, a thua se pjesëmarrja në politikën aktive është një garë se kush luan më shumë dhe më pa skrupull me bllofin.

E gjithë vazhda e ngjarjeve që pasuan ndërprerjen e protestës së 16 shkurtit, provoi se PD e LSI e kishin planifikuar me gjakftohtësi që ta përdorin masën e madhe të njerëzve të ardhur në Tiranë për rrëzimin e Ramës, për një qëllim krejt tjetër nga ai i hyrjes në Kryeministri. Për një bllof të madh e të padëgjuar. Sfondi njerëzor i shtrirë në gjithë gjatësinë e bulevardit Dëshmorët e Kombit, ishte në fakt vitrina e planifikuar për të hedhur hapin ekstrem, të cilin Basha e Kryemadhi e kishin mohuar me insistim për muaj me rradhë: heqjen dorë në grup nga mandatet parlamentare.

Reagimi ndërkombëtar nuk vonoi dhe ishte ai që pritej: dorëheqja nga mandatet është gabim, politika bëhet në parlament, po dëmtoni procesin e integrimit dhe imazhin e vendit. Këto ishin në vija të trasha vërejtjet e kancelarive dhe organizmave ndërkombëtare. Por siç u tha më lart, tashmë opozita kishte hequr kostumet e kravatat, e kishte veshur xhinset e protestës. “Thoni ç’të doni, ne e hodhëm hapin e fundit”!

Në këtë situatë, duket sikur opozita e ka futur në një pozitë tejet të vështirë e komplekse qeverinë. Kjo është e vërtetë, por çeshtja është të kuptohet se me çfarë çmimi. Cili është më në vështirësi sot, Rama apo Basha?! Një pyetje që vlen për të kuptuar se cili nga të dy ka më shumë karta nën mëngë, për të dalë me sa më pak kosto nga tuneli i mandateve të djegura.

Ndoshta mund të kuptohet diçka nga kjo lojë force në distancë mes palëve, nëse sheh jo pa habi sesi Kuvendi (kupto maxhoranca që e kontrollon), nuk ka vonuar asnjë minutë, për të nisur procedurat e formalizimit të dorëheqjeve të deputetëve opozitarë. A thua se Ruçi Rama janë të interesuar ta mbyllin me duart e tyre dhe sa më parë, qerthullin absurd të ikjes së opozitës nga parlamenti, që kjo e fundit nisi mes tam-tameve të protestave.

A ka vërtet një interes politik të shumicës, për të mbyllur e zyrtarizuar ikjen e opozitës nga parlamenti? Dhe nëse po, a ka lidhje kjo me ardhjen të mërkurën, të një delegacioni të parlamentit europian?! Siç njoftohet, ky delegacion ka qenë i planifikuar kohë më parë se të niste kriza e fundit në Tiranë, por afërmendsh që objektivi kryesor i tij do të jetë tashmë largimi i opozitës shqiptare nga sistemi.

Në këtë mes, Rama ndoshta po nxiton që të “përmbushë” dëshirën e opozitarëve për dorëheqje, në mënyrë që ta spostojë të gjithë presionin për këtë akt tek demokratët, që do ta kenë edhe formalisht të pamundur të rikthehen nëse procedurat shkojnë deri në fund, kur këtu të shkelin europarlamentarët. Me pamundësinë teknike për t’u kthyer në parlament, opozita do të ndodhet totalisht e ekspozuar përballë kritikave të SHBA-BE. Dhe një situatë e ngjashme, ajo e vitit 2017, kur Basha insistonte të qëndronte në Çadër, i shtyu ndërkombëtarët të këshillojnë Ramën që të hyjë i vetëm në zgjedhje, me premtimin se do njihnin zgjedhjet.

Ky i socialistëve, për të nxituar me djegien e mandateve, duket si një tjetër bllof, që mund të prodhojë eleminimin e mundësisë teorike të rikthimit të PD në Kuvend, me qëllim që presioni dhe kritikat mbi ta të jenë edhe më të ashpra se deri më sot.

E gjitha kjo ngjan si një lojë e papastër, në kushtet kur edhe një herë politika shqiptare po tregohet tërësisht e paaftë të ndërmarrë një proces dialogu dhe gjejtjeje kompromisi, pa ndërmjetësimin e të huajve. Bujar Nishani ironizonte këto ditë ndërkombëtarët duke deklaruar se ne e duam më shumë vendin tonë, sesa ata.

Ja që edhe ish-presidenti, si të gjithë “ishët” apo ata që janë ende sot në politikën shqiptare, do ta presin edhe një herë formulën e zgjidhjes nga Uashingtoni dhe Brukseli. Sepse ai dhe të tjerët si ai, janë të aftë në garën e bllofit, por jo në garën e marrëveshjeve, mirëkuptimit dhe zgjidhjes së krizave. Janë specialistë në krijimin e ngërçeve, por “ngelsa” në gjetjen e zgjidhjeve.

1 koment

  1. Kjo gazete,qenka bere rraciste dhe nxitese e nje kundevenijeje civile.Cdo shkrim i saj,pothuaj jane njelloj,por te shpifesh si Dyrrnjaja,eshte turp i madh.Vetem per kete gazete,i jap te drejte Rames,qe ju quan kazan.

PËRGJIGJU