Mjeku i urgjencës dhunohet, Manastirliu: Akt barbar, autorët të dënohen

Një mjek roje në Urgjencën e Spitalit Infektiv është dhunuar ditën e djeshme nga familjarët të një pacienti.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke thënë se çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor përgjatë detyrës dhe kërkon nga autoritetet të dënohet autori i dhunës.

“Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës”- thuhet ndër të tjera në reagimin e QSUT.

Po ashtu, ka reaguar dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shprehet se  ky është një akt baraba dhe se autori të vihet para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

Ministrja thekson se, ka propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Reagimi i Manastirliut

Në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dënoj me forcë aktin e neveritshëm, të agresionit të dhunshëm ndaj mjekut infeksionist G.S, ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT.

Eshtë barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët.

Sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji.

Inkurajoj organet e drejtësisë të hetojnë me prioritet maksimal këtë ngjarje të ndodhur brenda mjediseve të një spitali dhe të procedojnë duke dhënë një ndëshkim shembullor për agresorët, që duke vënë dorë mbi një mjek, shkelin jo vetëm ligjin, por edhe çdo normë morali dhe etike, si dhe çdo kod sjelljeje.

Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Por unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme për  të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë.

E.Xh./

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU