Me ikjen e Xhafajt humbën të gjithë

Nga Skënder Minxhozi

Fatmir Xhafaj ka vepruar edhe ditën e fundit të mandatit të tij ministror si një politikan që e ka pasur në dorë fatin e vet. I tillë ka qenë prej kohësh që s’mbahen mend brenda shumicës së tij politike, duke kontrastuar përherë e më shumë me brezin e ri të socialistëve të pas vitit 2013. I mbështetur jashtë protokollit dhe hapur nga ndërkombëtarët, ai ka simbolizuar jo vetëm të shkuarën socialiste, por edhe figurën që të huajt shihnin si pikën e referemit në qeverisjen e majtë.

Vendimi i Fatmir Xhafës për të ikur, pasi të gjitha shenjat flasin për vetëlargim e jo për shkarkim, i jep fund njërit prej mandateve më të trazuar të një ministri të brendshëm të dekadës së fundit. Një zyrtari që përpos angazhimit madhor në reformimin e drejtësisë së kalbur, përtej prezencës serioze në kabinetet Rama dhe në radhët e shumicës, u bë shënjestra e një fushate shumë mujore denigrimi e sulmesh për shkak të një historie ku nuk ishte vetë protagonist. Xhafaj u bë epiqendra e iluzioneve të të gjithë opozitës zyrtare e jozyrtare, për të kthyer pas rrotën e fatit të keq që e ka përndjekur në vitet e fundit. Por me një strategji e ndërtuar me përgjime e dëshmitarë që i dëmtojnë e banalizojnë, në vend që t’i forcojnë akuzat ndaj ministrit të brendshëm, opozita pa sesi kauza e largimit të Fatmir Xhafajt nuk la thuajse asnjë shenjë të lexueshme tek votuesit shqiptarë, skena politike dhe miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Sot, kur dorëzon postin e ministrit, ka kënaqësinë morale të shohë se nuk ishte Babalja që e largoi nga zyra, por dëshira e tij për të këputur litarin që e mbante lidhur me një post të vështirë e delikat. Gjatë kohës që shërbeu, në dy qeveritë Rama, ministri Xhafaj ja doli të krijojë imazhin e një ringritjeje të shtetit e policisë, pas stinës së gjatë të hashashit. Nga ana tjetër, goditjet e fundit që shkundën Shqipërinë në orët e fundit, i japin atij mundësi të largohet edhe më i qetë nga detyra, jo në mes të përgjimeve banale me të vëllain në mes, por me jehonën e fortë të arrestimeve e kapjes së një numri personash me pushtet në politikë dhe në nëntokën e krimit.

Me ikjen e Xhafajt humbin nga pak të gjithë. Së pari humbet opozita, e cila nuk ja arriti ta largojë si vëllain e Agronit dhe as ta shkarkojë me protesta e tension në momentin kur deshi vetë. Xhafaj iku kur vendosi vetë, jo kur deshi ta heqë Basha e Berisha. Nga ana tjetër me ikjen e Fatmir Xhafajt, duket se ra një fabul e madhe opozitare, e cila ishte mbajtur gjallë me muaj dhe mbi të cilën ishin kalkuluar përfitime politike vendimtare, në lidhje me pushtetin politik në Shqipëri. “Skema Xhafaj” ishte dopio-gjashta që Basha e kishte llogaritur në pranverë si gurin që do të përmbyste komplet situatën dhe raportet mes palëve në vend. Pamë se kjo nuk ndodhi dhe largimi i ministrit të brendshëm hedh në erë edhe atë pak inerci që kishte mbetur nga afera Babale-Alizoti.

Së dyti, me ikjen e Fatmir Xhafajt humbet mazhoranca, e cila ka pasur nevojë këto vite për një prezencë me peshë dhe seriozitet si ajo e Fatmir Xhafajt. Të gjithë emrat dhe fytyrat e të majtës së sotme zyrtare i kemi përpara syve. Është e vështirë të thuhet se një boshllëk si ai i Fatmir Xhafajt nuk ndjehet në atë panel burrash e grash. Të gjitha gjasat janë që bashkëjetesa e muajve të fundit mes Ramës dhe Xhafajt nuk ka qenë rozë. Më shumë se një sinjal i besueshëm tregon se mes tyre ka pasur debate jo të rralla. E kjo, në një parti ku Edi Ramën nuk guxon më shumëkush ta shohë në sy, është një vlerë që i duhej më së pari vetë kryetarit të PS dhe kryeministrit. Rrëzimi i çdo oponence dhe alternative në tavolinë  e pushtetit, çon shpesh në deviacion e degjenerim të pushtetit. Në këtë mandat të dytë qeverisës jo pa probleme dhe rënie motivacioni e stimujsh, një prezencë si ajo e ish-ministrit ishte mëse e nevojshme dhe shëndetshme.

JavaNews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU