Lulzim Basha dhe çeta e kuçedrave të tij në zyrën e shtypit, por edhe në disa media të financuara nga kunati, dje shfaqën për të disatën herë mllefin që ka kreu i Republikës së Re ndaj Majlinda Bregut, ish-deputetes së PD-së, ish-ministres së Sali Berishës për Integrimin dhe ish-zëdhënëse e Qeverisë së tij.
Dje në Tiranë zbarkuan ndërkombëtarët, me një axhendë të paracaktuar, dhanë edhe mesazhe të qarta kundër Lulzim Bashës dhe akteve të tij politike.
Por, çfarë ndodhi?
Menjëherë u shpërnda një video. Një video e vitit 2015, nga një takim po me ndërkombëtarët, po me Raportuesin për Shqipërinë, Knut Flackenstein, ku duket qartë takimi i zonjës Bregu, por në sfond duket edhe zonja Arta Dade dhe ish-ministri i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati.
Është momenti i lobimit të fortë të zonjës Bregu në atë kohë me ndërkombëtarët, që të pranohej ligji i Dekriminalizimit. Meritat e të cilit në fakt i mori Lulzim Basha, por betejën me ndërkombëtarët në fakt e bëri zonja Bregu.
Gjithësesi dje, Luli nuk u ngop dot me urrejtjen e tij ndaj atyre që mbajnë qëndrim kundër. Si një enverist i vogël, edhe se i ngjet shumë ish-diktatorit, filloi sulmet ndaj atyre që ai i quan “armiq të brendshëm e të jashtëm”.
Mesa duket makthi për Zonjën Bregu ende nuk i ka dalë, megjithëse ajo ka dy vite që nuk është më deputete e PD-së dhe prej fillimit të këtij viti punon në një nga organizmat e rëndësishme të Bashkimit Europian, për Rajonin dhe Ballkanin.
Makthi i Lulit nuk ka dalë dhe u mor një video, e cila u montua nga imoraliteti i oborrit të kunatit.
U shpërnda sikur ishte e djeshmja, për të justifikuar qëndrimin e ndërkombëtarëve kundër djegies së mandateve dhe akteve e veprimeve politike të Lulzim Bashës.
Në fakt, qëndrimi i tyre ishte i pritshëm dhe frika e makthi që ka Luli se Majlinda kontrolloka ndërkombëtarët, apo se mund të ketë influencë, duket e pavlerë.
Është një qëndrim me video apo mesazhe të ripërsëritura që përcillen në mënyrë të turpshme sa herë Luli ka probleme. Apo sa herë i del Majlinda në ëndërr, apo sa herë i dalin kritikët në ëndërr, apo sa herë shikon Jozefinën, apo sa herë dëgjon Astritin.
Këto janë makthet e sulmeve të tij, por mesa duket me Majlindën e paska edhe më të madh problemin.
Ajo që bëri dje me ushtarët e tij, pasi përhapi një video të gënjeshtërt të kohëve më parë dhe montoi gjithcka në zyrën e shtypit të PD-së, Lulzim Basha fluturoi drejt Hollandës për të vaditur tulipanët e tij.
Por, Lulzim Basha nuk tregon gjë tjetër, thjeshtë dhe vetëm dobësinë që ka, paaftësinë e paepur, dhe pamundësinë për të dalë mbi sherrnajat e grindavecjet e vogla, por vazhdon të sillet si një enverist i vogël që shpall armiq të jashtëm dhe të brendshëm, ashtu sikundër fliste dje ish-diktatori, turpësisht flet sot Lulzim Basha dhe këtë më shumë se kurrë ai e provoi dhe e tregoi dje.(CNA.al)
/a.meta