LDK nxjerr anën tjetër të Ramushit: Nuk do lejojmë t’i largosh me dhunë njerëzit nga puna

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Ramush Haradinajt, kandidat për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA lidhur me administratën publike.

Haradinaj tha se nuk do të lejojnë njerëz ‘që nuk kryejnë punë’ në administratë kurse LDK theksoi se largimi me dhunë i njerëzve nga puna nuk do të lejohet.

LDK thotë se nuk do të lejojnë largimin me dhunë nga puna të njerëzve që janë të punësuar në administratën publike.

Kjo vjen pas deklaratave të liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat i koalicionit PDK-AAK-NISMA për Kryeministër të vendit.Haradinaj tha se Administrata duhet tu shërbej qytetarëve. “Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj kërcënimit dhe shantazhit publik që kandidati i koalicionit të mesnatës, i bëri  administratës shtetërore”, thuhet në reagimin e LDK’së.

“LDK garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij”, thuhet më tej në komunikatën e partisë së Isa Mustafës.

LDK është e bindur se më 11 qershor do të jenë fitues.“LDK ka plan konkret për reformë moderne në administratë dhe jo për largim me dhunë të njerëzve nga vendet e punës siç ndodh në vendet diktatoriale, forma që po propagandohen nga kandidati i koalicionit të territ, i cili, siç e ka humbur arsyen, do të humb edhe në zgjedhjet e 11 qershorit”, përfundon komunikata.

Haradinaj tha sot se do një administratë që do të jetë llogaridhënëse, përgjegjëse, efektive – një motor organizativ në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

“Kushdo që punon në administratën e Shtetit dhe nuk kryen punën siç duhet do të shkojë në shtëpi. Nëse është nevoja do të zbrazet krejt administrata për të sjell njerëz adekuat për të punuar në shërbim të qytetarëve.#KaArdhëKoha për PËRGJEGJËSI!”- ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook, përgatiti Express. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU