Kush na spiunon te të huajt?

Nga Ylli Çabiri*

Për të parë më konkretisht se sa dhe si është mbajtur parasysh interesi publik në Shqipëri, në një hapësirë kohore 25 – vjeçare, mund të shërbejë edhe analiza e mëposhtme.

Interesi Publik është devijuar për interesa politikë. Ja disa shembuj për këtë argument:

Në vitin 1991 Ministri Gjerman i Kooperimit Readel erdhi për vizitë zyrtare në Tiranë. Zbriti në Rinas me një avion ushtarak, që e pilotonte vetë, plot me gazetarë gjermanë dhe pa asnjë ide se ku po zbriste. Kjo dukej hapur në frikën e shoqëruesve të tij të armatosur deri në dhëmbë, që Beni (Arben Buxheli, truproje e Ministrit të Lidhjeve Ekonomike me Jashtë) mezi i kandisi të ulnin armët e të relaksoheshin se në Shqipëri s’kishte asnjë rrezik real nga ato që frigoheshin gjermanët.

Ishte fillimi dhe të gjithë vinin për të na parë, kuriozë se ç’kishte qenë fshehur pas perdes së hekurt të izolimit. Si për të na mëshiruar! Aq sa Ministri, sapo zbriti nga avioni dhe ende pa e hequr kokoren e pilotit, në vend të më jepte dorën më kapi për faqeje: Sa i ri qenka…! – duke e sikletosur ambasadorin e vet në Tiranë. Më ftoi ta vizitoja avionin “e tij”, ku pata rastin të takoja një turmë gazetarësh të sfilitur nga rruga, që kishin udhëtuar me të.

Të nesërmen u zhvilluan bisedime në Pallatin e Kongreseve dhe dallohej qartë që Ministri ishte nervoz. Në pushim e pyeta nëse mund të bëja diçka për të, gjithnjë me mendimin se s’kishte fjetur mirë ose nuk i kishte pëlqyer diçka. – Po, – më tha- mundeni. Të mos shtrembëroni në televizion thëniet e mia, ju komunistët e pafytyrë që e keni lënë Shqipërinë në këtë gjendje.

U shokova nga gjuha e tij aspak diplomatike . Na kishin paragjykuar, na kishin përçmuar, na kishin mëshiruar dhe sikur ishim mësuar për hir të vendit tonë të varfër. Por askush nuk kishte guxuar të na fyente.

Me shumë qetësi, pashë nga përkthyesi. Përkthyes ishte Robert Elsie, poliglot, i cili fliste një shqipe të jashtëzakonshme. Ai u zu ngushtë nga vështrimi im, rrudhi supet i përvuajtur sikur të thoshte: s’jam unë fajtori, unë e zbuta fjalën sa munda. Kuptohej qartë që Riedel kishte folur edhe më rëndë, por përkthyesi e kishte servirur fyerjen me shumë diplomaci. Këtë ndjesi pata.

E kuptova ç’kishte ndodhur – në fakt nuk ishte hera e parë që na ndodhte. – Zoti Ministër, – i thashë menjëherë. – Ju kanë informuar gabim. Ne kemi vetëm një Televizion dhe nuk i kushtojmë aq rëndësi sa ju kanë thënë. Po deshët, po njoftoj të vijë një gazetar dhe një grup xhirimi, jepni një intervistë, thoni ç’të doni, përfshirë edhe këto që i thatë përkthyesit, fare të paredaktuara.

Ai pa nga përkthyesi. Mendoi se unë dija gjermanisht apo përkthyesi më kishte treguar të vërtetën. – Ju japim edhe kasetën e regjistrimit që të verifikoni nëse kemi hequr gjë nga intervista apo jo. Ne jemi të varfër, zoti Ministër, kemi shumë halle mbi kokë, por jemi shumë të ndershëm, miqtë i presim siç duhet dhe nuk vëmë re me të keq se çfarë thonë, përkundrazi i mbajmë shënim ato që thonë si të jenë detyra shtëpie. Aq më tepër kur janë miq të vyer si ju!

Ambasadori gjerman u ndie më keq se Ministri i tij. U krye menjëherë. I telefonova Kryeministrit për “incidentin”. Ai më porositi të ruaj gjakftohtësinë dhe më tha se do jepte porosi që të vinte një gazetar i mirë. Grupi i xhirimit erdhi pa mbaruar mbledhja dhe mori intervistën. Riedel kërkoi falje publikisht dhe nuk pranoi të merrte me vete kasetën e regjistrimit. “Informatorin” e rremë ish – komunist, që drejtonte një parti politike, nuk e takoi më. Por dëmi u bë, me gjithë përpjekjet tona për ta zhbërë. Interesi i publikut të gjerë dhe i Shqipërisë ishin cenuar rëndë.

Problemi është se kjo sjellje malinjë vazhdon edhe sot e kësaj dite. A nuk “shëtitën” në të gjitha vendet e Europës përfaqësuesit e opozitës politike shqiptare për t’i bindur vendet të kundërshtojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit, sepse Shqipërinë po e mbyt droga dhe “komunistët banditë, që janë në pushtet, gënjejnë”?

Gjykoni se ku qëndron interesi i publikut në raport me interesin e grupimit politik në këtë mes. Sidoqoftë, u bëmë miq me Ministrin. I ktheva vizitën në Gjermani dhe më ftoi në Munih në festën e birrës.

“Djalë, në Tiranë të rashë më qafë kot, ju nuk jeni të tillë, jeni shumë – shumë të mirë. Por do vuani nga njerëzit që do të keni në krye, të gjithë spiunë e të pandershëm, që nuk e kanë mendjen fare tek interesi publik, por janë të përkushtuar të bëjnë ç’u kanë premtuar atyre që i kanë caktuar. Pa kushte. Pa kufij. E di se ç’thuhet në raportet e dërguara Hitlerit nga komanda gjermane në Shqipëri? Shqiptarët janë të pabesë, nuk e duan njëri-tjetrin, cilado të jetë rrethana, dhe gënjejnë për gjithçka për interesa të vockla.”

Asnjëherë s’e kam kuptuar se ç’deshi të më thoshte tamam-tamam ky Ministër trupmadh. Nuk e shënova në protokollin e vizitës fjalinë e tij fundit, sepse m’u duk e rëndë. E kam riprodhuar fjalë për fjalë, siç e shkrova në bllokun tim atë natë, sapo u ktheva i menduar dhe i trishtuar në hotel. Nuk vura gjumë në sy. Na kishin bërë gjithnjë vërejtje, na kishin injoruar, por s’na kishin “therur” ndonjëherë kështu butë – butë.

Sot, pas 26 vjetësh, këto fjalë marrin një kuptim të veçantë. Dhe pavarësisht kuptimit, ato të grishin të mendohesh edhe më thellë për veten, për ne shqiptarët, për vendin ku jetojmë, për ata që na drejtojnë, për ata që na kanë drejtuar…..

Para ca kohësh në një gazetë të Tiranës, albanologu Elsie (i vetmi dëshmitar i atëhershëm i takimit tim me Ministrin gjerman) shkruante mbi raportin e një komandanti gjerman në Kosovë drejtuar Hitlerit: Në çdo kompani 20 vetëshe me shqiptarë duhen dy oficerë gjermanë, jo një siç bëjmë ne zakonisht me kompanitë tona, njëri t’i drejtojë dhe tjetri t’i ruajë, se janë të pabesë.

Një histori e ngjashme ndodhi kur shkuam në Francë me Guvernatorin e atëhershëm të Bankës së Shqipërisë Ilir Hoti. Pasi takuam Ministrin e Ekonomisë dhe Financave, unë dhe Iliri u larguam dhe të sapofutur në makinë po prisnim që një këshilltar i Ilirit të mbaronte bisedën e tij me Ministrin, tek shkallët e Ministrisë.

Pritja zgjati 7 minuta dhe m’u duk që diçka nuk shkonte. – Jo – më tha Iliri. Ai nuk bën dot shakara të tilla.

Në mbrëmje vonë Ministri më telefonoi në hotel dhe më tha: “Verifikoni këshilltarët. Ai që më mbajti tek shkallët më tha me zë të ulët – Kam porosi (nga kush e kishte porosinë?) t’ju them të mos i dëgjoni këta se edhe pak ditë janë, do fshihen nga faqja e dheut si komunistë të ndyrë”.

Unë nuk kisha qenë kurrë komunist. Guvernatori ishte demokrat. Këshilltari kishte qenë anëtar i Partisë së Punës. Si mund t’i gjendej filli kësaj historie?

Sidoqoftë, të gjithë këta “drejtues” mendonin se mbase kështu u shërbenin më mirë interesave të atdheut të tyre dhe nuk e kishin kapacitetin të kuptonin, se po i bënin një dëm të pallogaritshëm e afatgjatë interesit publik.

Interesi Publik është devijuar për interesa personalë politikë. I tillë është rasti i debatit për operacionin Pelikan. Ditën e bisedimeve në Romë, Kryeministri Italian Andreoti na propozoi me shumë dashamirësi (jam i bindur dhe aspak sentimental në vlerësimin e dashamirësisë së tij) që ushqimet të shoqëroheshin me ushtarë italianë, të cilët do të na ndihmonin për shpërndarjen e tyre në çdo skaj të vendit. – Keni nevojë t’i ruani – këmbënguli ai me butësi. Do të na humbasë mundimi kot të gjithëve, ne që po japim paratë me shumë sforco dhe ju që po luftoni kaq shumë për të ushqyer dhe qetësuar popullin tuaj.

Ne pranuam njëzëri, pasi vërtet menduam se kjo ishte për të mirën tonë, për të mirën publike dhe nuk pamë asnjë të keqe që këta ushtarë të vinin në Shqipëri. Por kishim gjykuar shumë gabim.

Pak ditë më vonë, në Kuvendin e Shqipërisë u akuzuam me disa diskutime patetike e stërkala pështymash si tradhtarë të kombit, sepse atë që italianët s’kishin mundur ta bëjnë në luftën e Vlorës, ku shqiptarët i paskëshin hedhur në det italianët, tani ua kishim plotësuar, ua kishim dhuruar ne vendin, gratis fare.

Më kujtohet një episod parizian i shumë viteve më parë, ku në një Kongres Kardiologjie një kardiologe e famshme, që drejtonte Kongresin, kishte ikur nga tavolina e darkës zyrtare, sepse bashkëfolësi shqiptar e kishte ofenduar ngaqë ajo nuk dinte ku binte Shqipëria. (Por historia mori dhenë. “Zëvendësmbreti”, që ato ditë mjekohej në Francë, i dërgoi personalisht falënderime dhe kërkoi që të gjithë komunistët në Shqipëri të marrin shembull prej tij). E nga ta dinte! Profesori ynë francez, kur na prezantoi Skënder Gjinushi me të, na pyeti krejt i pafajshëm: Pse, ju nuk i keni sytë si kinezët?

Përse duhej një konsensus politik apo një marrëveshje e partive politike, ku të vendosej që operacioni Pelikan të vinte për të siguruar shpërndarjen e ushqimeve në Shqipëri, ku ushtarët të jenë pa armë?! Vërtet të çuditshëm ne shqiptarët.

I njëjti “film” tragjiko-komik u përsërit në Kuvendin e Shqipërisë, kur u shqyrtua propozimi për tri Marrëveshje koncesioni:

E para, me japonezët për të kthyer aeroportin e Rinasit në një aeroport transit Azi – Europë. Veç aeroportit, ndërtoheshin 6 hotele gjigande dhe punësoheshin mijëra vetë.

E dyta, prej japonezëve u kërkuan për 99 vjet edhe të gjitha minierat dhe fabrikat e pasurimit të bakrit, që pothuajse ishin të braktisura. Do të investonin shumë për të përmirësuar teknologjinë, do të ndërtonin infrastrukturën rrugore dhe do të merrnin përsipër të ngrinin një shërbim shëndetësor modern në të gjithë zonën Veri–Lindore të Shqipërisë.

Projekti i tretë ishte dhënia me koncesion e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Vetë presidenti i grupit “Pitinni” kishte ardhur në Elbasan për të parë Kombinatin Metalurgjik. Ndaluam sipër, tek Ura 13. Ai soditi Kombinatin duke bërë disa llogari: Një karakatinë e vërtetë!- tha. Pasi e vizitoi imtësisht Kombinatin për tri orë më tha: – Pranoj ta marr se e kombinoj me uzinën e Triestes, por të lutem, herën tjetër që do të vij këtu, të paktën të mos ketë bagëti duke kullotur brenda territorit të Kombinatit.

Iku për t’u kthyer përsëri pas vendimit të Kuvendit. E pritën me entuziazëm në Kombinat, madje në hyrje u var edhe një parullë: MIRË SE ERDHËT ZOTI PITTINI! Por shkoi kot, derisa i doli boja. Sepse Kuvendi e refuzoi propozimin. Mijëra specialistë metalurgë e mekanikë ia mbathën për të punuar në Greqi, kurse inxhinierët në Kanada.

Ishte shumë herët për koncesionet. Po si mund të ishte herët? Nga njëra anë mendësia “e djathtë” ishte kundër, nga ana tjetër gjithçka mund të merrej me koncesion vetëm në fillim, pa u shkatërruar ende. Nëse kjo analizë bëhet tani, pas 26 vjetësh, gabimi (pse jo edhe faji) është plotësisht i qartë, sepse çdo gjë u shkatërrua si “komuniste”. A nuk kishin thënë atë ditë në miting në Kombinat: prishini, shkatërrojini, i kanë ndërtuar komunistët. Ne do të ndërtojmë të reja, më të mira!

Propozimet u tërhoqën menjëherë nga Qeveria dhe kjo u konsiderua si një fitore e madhe kombëtare. Në fakt, nëse ishte fitore, duhet të ishte si fitorja e Pirros, siç shkuan punët më pas me aeroportin e Rinasit, minierat dhe industrinë e bakrit, si dhe me Kombinatin Metalurgjik. Asgjë më shumë se flamuri i grisur i një fitoreje!

Atëherë, ishte zakon që të gjitha seancat e Kuvendit transmetoheshin në Televizionin publik dhe ndiqeshin me më shumë tifozllëk se ndeshjet e futbollit. Por nuk mendoj se këta individë që na akuzuan tërë histeri dhe “patos patriotik” u vlerësuan si patriotë të flaktë nga miliona shikuesit brenda dhe jashtë vendit.

De Michelis më mori atë natë në telefon, më ngushëlloi dhe më tha: – Kështu e ka politika, ec përpara e mos ndalo, sepse interesi publik është mbi të gjitha! – Por për vetë peshën e korrupsionit të tij, ishte e vështirë t’i pranoheshin këto këshilla.

Interesi Publik është devijuar për mungesë të theksuar koordinimi ndërministror. Vitet e para pas ndryshimit politik ishin shpërthyese, të rënda. Kur takoheshim në Elbasan me shokët e Metalurgjisë, kujtonim gjithnjë riparimet e rrezikshme që kishim bërë. Gazi ishte gjithandej i pranishëm dhe mjaftonte një shkëndijë për t’u zhdukur pa nam e nishan. Por ne as që donim ta kuptonim. Kështu ishte dhe Shqipëria e asaj kohe. Njerëzit s’kishin ç’t’u jepnin fëmijëve për të ngrënë dhe ishin gati për gjithçka, mjafton të kishin ca ushqime për ta. E papërfytyrueshme deri në fund ajo që mund të bëjë prindi për fëmijët e tij.

Ne luftonim t’i qetësonim njerëzit, punonim natë e ditë me lista në dorë, dinim me hollësi ku janë anijet me ushqime, shumë më mirë se nëpunësit barkngopur të atyre që na furnizonin. Personalisht, shkoja dy herë në javë në Farnezina dhe s’ma kishin ngenë, aq sa një ditë më thanë: – Ok, bëje mbledhjen vetë me specialistët dhe drejtorët e Ministrisë. Unë, një Ministër i thjeshtë, i një vendi që lëngonte, pranohesha të bëja mbledhjen në Ministrinë e Jashtme italiane. Drejtova 18 mbledhje me palën italiane dhe një ditë miku im i mirë Zanghi, që ishte Shefi i madh i ndihmave, më tha duke qeshur: – Mirë që s’jemi punonjës në Ministrinë tënde, se na e more shpirtin!

Tema e bisedimit me çdo Partner ndërkombëtar (donator, duhet thëne më mirë) ishin ushqimet. Mua më ishte bërë mendja: grurë, mish, djathë, vaj, qumësht pluhur etj. Mbrëmjeve mbaja me gajret njerëzit, duke folur në televizion se ushqimet janë rrugës, ja, zëre se kanë ardhur. Në mëngjes zija radhën që pa gdhirë për qumësht për tim bir dhe dëgjoja njerëzit që shfrynin në errësirë:

– Ngelëm në radhë, ai djali në televizor na mban me gajret, por asgjë s’po vjen.

– Jo mor, nuk e thotë kot ai, sa herë e thotë, e bën.

Kur lindte dita dhe dalloheshin fytyrat e njerëzve, ndonjë pensionist, që qëllonte të kishte qenë dhe komunisti më i tmerrshëm i lagjes dhe papritur ishte demokrati më i tmerrshëm, më përshëndeste i turpëruar.

Ja dhe shifrat e ushqimeve që kërkonim me urgjencë për të shuar sadopak urinë e njerëzve: grurë 195000 ton, miell 40000 ton, sheqer 15000 ton, vaj 7000 ton, oriz 5300 ton, gjalpë 4300 ton, djathë 2000 ton, qumësht pluhur 8650 ton, mish 20.000 ton, vezë 53 milionë kokrra, sapun e detergjentë 6000 ton dhe makarona 4000 ton.

– Janë shumë – psherëtiu Andreoti, i menduar thellë duke vërtitur listën midis gishtave që i dridheshin lehtë, duke parë nga Ministri i tij i Jashtëm, Gianni De Michelis.

– Jo,- i thashë unë menjëherë – nëse na i plotësoni këto çdo shqiptar do të marrë vetëm 45% të kalorive ditore të një italiani. Mendoj se nuk mund të zbresim më poshtë, ndryshe njerëzit do të zhgënjehen dhe do t’i keni të gjithë në Bari.

– Sa?- pyeti Andreoti. 45%? Po pse një shqiptar duhet të marrë më pak kalori se një italian? Apo thjesht pse është shqiptar?! Pranojmë – tha ai i befasuar nga llogaritë e pakundërshtueshme. – Do ta rrisim shumën nga 90 miliardë në 113 miliardë lireta, por do thjeshtojmë ndonjë artikull si makaronat, qumështin pluhur (që u shtua përsëri papritur pas një historie të pabesueshme, të denjë për kujtime) dhe vezët.

Për ne nuk kishte asnjë problem që lista të reduktohej. Sepse këta artikuj edhe mund të hiqeshin. I kisha shtuar unë sipas historisë që tregohej në Elbasan.

Një grup i Komitetit të Partisë me Sekretarin e Komitetit të Partisë në krye, shihnin një pjesë teatri problematike për kohën para se të jepej leja që të shfaqej. Skenografi kishte vënë në skenë edhe një rrotë qerreje, me gjithë kundërshtimin e të gjithëve. Sekretari kompetent: – Mirë, mirë, por atë rrotën në skenë duhet ta hiqni. Skenografi: – Unë them jo, sepse rrota shpreh…Dhe Sekretari: – Jo, jo, duhet ta hiqni menjëherë. – Çdo diskutim u përqendrua tek rrota e qerres, e cila u hoq dhe pjesa u lejua të shfaqej.

Kështu po shtyheshin muajt, Qeveri pas Qeverie, me pragurie, me luftë për të siguruar pak ushqime dhe për të qetësuar njerëzit. Pikërisht në këtë situatë, kur fatmirësisht italianët të mallëngjyer nga eksodet (sot padrejtësisht thuhet të friguar!) dhe nga shifrat e ushqimeve, po na gjendeshin në ditën më të zezë të Shqipërisë.

Më 25 shtator 1992 një Ministër shqiptar shkon në Romë dhe nënshkruan me Z. Fernando De Angelis, President i shoqërisë Agip Petrol, marrëveshjen për disa nevoja “urgjente” për dimrin 1992/1993: 60 mijë soba me vajguri, 60 mijë ton vajguri, 5 mijë soba me gaz, 12 mijë bombola gazi me peshë 10–15 kg secila dhe 3 mijë ton gaz. Të gjitha për t’u paguar nga Kooperacioni Italian me paratë e ushqimeve. Në marrëveshje përfshihej edhe një Fabrikë për përpunimin e gazit.

Kjo marrëveshje e papërgjegjshme, që e anashkalonte në mënyrë të çuditshme interesin publik, tregon qartë mungesën e plotë të bashkërendimit ndërinstitucional të interesit publik. Negocimi dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë në dëm të furnizimit me ushqime123 tregon zhveshur sesa pak përfillej interesi i vendit krahasuar me të paktën interesin sektorial dhe të shumtën me interesin personal. Por tregon, gjithashtu, nivelin skandaloz të administratës sonë publike dhe të Qeverisë, që dërgonte ministra për bisedime pa një platformë të qartë e të miratuar bisedimesh.

*Ish-ministër në Qeverinë ë Stabilitetit 1991-1992, autor i librit “Shqipëria mund të bëhet” nga i cili është marrë ky fragment.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU