“Koço Gliozheni”-t i shtohen 5 inkubatorë të rinj, zv/ministrja: Investimi për shëndetin e nënës dhe fëmijës

Maternitetit “Koço Gliozheni” i shtohen 5 inkubatorë të rinj, falë përgjegjësisë sociale të biznesit, në mbështetje të politikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për nënën dhe fëmijën.

“Investimi për shëndetin e nënës dhe fëmijës është përparësi e politikave dhe programeve tona socio – shëndetësore. Kishte ardhur koha për një investim në maternitetin Koço Gliozheni dhe këtu gjej rastin të falenderoj Bankën Credins, 5 inkubatorë të rinj i shtohen apraturave të nevojshme të reanimacionit të Koço Gliozhenit”, tha zv/ministrja Mira Rakacolli.

Zv/Ministrja deklaroi se investimet do të vazhdojnë në infrastrukturën e spitaleve rajonale, materniteteve ashtu edhe në fuqizimin e tyre me burime njerëzore për të garantuar shërbim për qytetarët afër vendbanimit.

“Hap pas hapi po përmirësojmë infrastrukturën në maternitete në të gjitha spitalet rajonale, ku investuam në 2018 për 29 inkubatorë të rinj dhe 8 eko obstetrike-gjinekologjike. Pasi ndërtuam dy maternitete model, ai i Sarandës dhe i Korcës, që ofrojnë standardin më të lartë të shërbimit në vend, vijojmë këtë vit me investimet për rijetësimin e materniteteve”, deklaroi Rakacolli.

Në maternitetin “Koço Gliozheni” 787 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes, ndërsa në të gjithë vendin janë 6046 të porsalindur që kanë përfituar bonusin e bebes në 3 muajt e parë të vitit. Bonusi i bebes po shpërndahet në çdo maternitet në vend, në një sportel unik të gjendjes civile ku regjistrohet menjëherë i porsalinduri.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU