Inaugurohet Pazari i Ri, Veliaj: Mbi 1000 vende të reja pune

Në Ditën e Verës, Pazari i Ri hapi dyert për të gjithë qytetarët ku 308 biznese kanë filluar aktivitetin e tyre ekonomik duke gjeneruar mbi 1000 vende të reja pune.  Falë investimit të Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Qeverisë dhe të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, (AADF), e gjithë kjo zonë është transformuar në një hapësirë që do të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh do të jetë tek çështjet e tregtisë dhe të pazarit dhe pasdite kryesisht në çështje të kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, siç mund të jenë shumë prej festave apo panaireve.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së Pazarit të Ri ishin Kryeministri Edi Rama, Ministra, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe deputetë.

 Kreu i Qeverisë Edi Rama vlerësoi transformimin e thellë që ka pësuar Tirana nën drejtimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj.

 “Vetëm dy vjet më parë këtu ishim 100 vjet më parë. Në një zonë ku secili përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet, i rrethuar nga pluhuri duke ecur mbi puseta të hapura, duke përballuar baltën, mizat dhe brrylat e njëri-tjetrit. Dhe vetëm sot mund të shikojmë këtu se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur. Parafytyroni si do ishte këtu sikur në 2015 Bashkia e Tiranës të mos ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërhiste kryetari i bashkisë në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë natë për komunitetin dhe bëhen ditë natë projektet për transformimin e madh që ka filluar”, tha Rama.

 Kryeministri theksoi se ky projekt është i udhëhequr me vendosmëri dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm prej tij në radhë të parë. “Unë e di se çfarë do të thotë të prishësh gjëra të vjetra dhe të bësh të reja. Dua ta mbyll duke ju thënë shumë shkurt dhe qartësisht: Që të gjithë duhet ta kuptojnë sot se janë ata njerëzit e zakonshëm që thjesht dhe vetëm me pjesëmarrjen e tyre dhe me votën e tyre kanë vendosur që ky projekt të realizohet kështu siç u realizua. Nëse njerëzit do të kishin vendosur ndryshe, ne nuk do të ishim këtu sot dhe Ditën e Verës sot do ta festonin mizat mes njerëzve që do të kalonin mes gropave. Ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që qëndrojnë atje në mes të bulevardit dhe vazhdojnë të marrin rroga nga paratë taksave tuaja”, tha ai.

 Duke uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi transformimin e Pazarit të Ri një punë fantastike. “Me punë siç tregoi ky projekt asgjë nuk është e pamundur. Nëse ka një simbolikë të madhe ky Pazar i Ri ka të bëjë me punën dhe me besimin te puna dhe te bashkëpunimi për gjëra që veç e veç nuk ia dalim dot”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkisë komentoi dhe çadrën e opozitës, duke u shprehur se ka ardhur koha që Shqipëria të ecë me njerëzit e punës dhe jo ata të gjumit. “Sot kemi dy Shqipëri, një Shqipëri që beson te puna dhe një Shqipëri që besonte te gjumi. Unë besoj se Shqipëria e punës është Shqipëria që sjell ndryshim. Komplet për rastësi, edhe sfondi klasik, por edhe fotoja e pazarit i ngjan një çadre, por është një çadër e punës. Nga sot fillojnë punë 308 biznese dhe 1000 vetë. Kemi humbur shumë kohë, ka ardhur koha të përveshim mëngët dhe ta çojnë Shqipërinë më lart me njerëzit e punës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se pavarësisht pengesave dhe përballjes me paligjshmërinë, Bashkia ka pasur mbështetjen e plotë të qytetarëve.

 Kryebashkiaku Veliaj falënderoi dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e vazhdueshme në punët publike të kryeqytetit. “Pazari i Ri është një nga ato projekte madhore që nuk do të kishin qenë të mundura pa Edi Ramën kryeministër. Është një fat i madh për Bashkinë e Tiranës, por edhe një fat i madh për qytetarët e Tiranës që sot kemi një kryeministër që e do kaq shumë këtë qytet dhe e mbështet atë aq shumë”, tha ai. Kreu i Bashkisë u shpreh se falë kësaj ndërhyrjeje, e gjithë vlera e kësaj zone është rritur me 40 deri në 50%.

Veliaj tha se Pazari i ri është tashmë një hapësirë që rrezaton zhvillim duke sjellë një model të ri. “Janë me dhjetëra biznese që kanë marrë hapësira me qira dhe dhjetëra e dhjetëra të tjera që janë ende sot duke kërkuar dhe që dalëngadalë do të akomodohen në rrugët e rrugicat përreth. Bëhet fjalë për disa nga bizneset më inovative, më të mirëadministruara dhe më me emër të Tiranës, që do të sjellin këtu një tjetër model zhvillimi dhe do të garantojnë që ky zhvillim do të shtrihet përtej hapësirës së Pazarit të Ri”.

Veliaj theksoi se ky projekt sjell për herë të parë në Tiranë një kulturë të re të të bërit biznes dhe të bashkëpunimit mes bizneseve. “Kjo zonë do të ketë administrimin e saj, ku paratë që do të mblidhen nga tarifat dhe reklamat do të riinvestohen për mirëmbajtje dhe zhvillim”, tha Veliaj duke shtuar se çelësi i këtij suksesi është puna, por edhe mbështetja e pakursyer që Bashkia e Tiranës ka pasur nga miq të mirë e mbi të gjitha nga Kryeministri. “Të gjitha këto punë, të gjitha këto projekte që po transformojnë sot jetën e qytetarëve të Tiranës janë në fakt një ftesë për ta mbështetur këtë bashkëpunim edhe në 18 qershor duke votuar për Edi Ramën”, tha Veliaj.

 Ndërhyrja e plotë në sheshin e Avni Rustemi dhe në Pazarin e Ri ka krijuar të gjitha kushtet për Markatën e Mishit dhe të Peshkut dhe në Markatën e Fruta Perimeve. Në Markatën e Mishit dhe të Peshkut janë vendosur 25 njësi shërbimi nga të cilat ka shitje mishi, peshku, brumeri si dhe bare e restorante duke i sjellë kësaj markate karakter multifunksional. Ndërsa Markata e Gjelbërt (Markata e Fruta Perimeve) është konceptuar si një stilizim kontemporan i çative të shtëpive tradicionale tiranase, por e trajtuar me materiale rezistente dhe të kohës. Në këtë objekt janë akomoduar 169 Tezga me një total prej 120 tregtarësh, ku 80 % janë tregtarë ekzistues të Pazarit të ri para rikonstruksionit, 10 % janë me produktet nga njësitë administrative (ish Komunat) dhe 10% janë modelet inovative më të mirat në treg. Në total numri i bizneseve arrin në 308 dhe gjenerohen mbi 1 mijë vende pune. Rivitalizimi i sheshit Avni Rustemi, një prej pjesëve më kritike që ka patur ky Pazar, tashmë ofron mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës, që së bashku me rikonstruksionin e godinave përreth, e ka kthyer zonën në një pikë mjaft atraktive për turizëm.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU