Hodaj: Situata në Shkodër, jo e rënduar!

“Operacioni në Shkodër nuk ka përfunduar ende dhe se ajo që po ndodh në Shkodër është një situatë delikate, por jo e rënduar”.

Kështu u shpreh zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj gjatë një interviste televizive duke folur për situatën aktuale në qarkun e Shkodrës, ku theksoi se operacionet në këtë qytet nuk kanë përfunduar.

”Operacioni i specializuar, profesional që ka filluar që në nëntor 2017 me katalogimin e anëtarëve të grupeve kriminale, me katalogimin e aktiviteteve të tyre, si dhe lidhjeve të tyre. E gjithë kjo punë përgatitore e kryer në këto muaj, jo vetëm në Shkodër po në gjithë Shqipërinë po vihet në veprim nëpërmjet fazave operacionale. Unë nuk do të flisja për një riaktivizim të grupeve kriminale. Situata në Shkodër është një situatë që në këto terma ekziston prej shumë vitesh. Grupet kriminale nuk u krijuan sot, ishin atje dhe deri diku të konsoliduara, sepse nëse do të flasim për shifra, ato janë më të ulëta. Unë besoj se operacioni nuk ka përfunduar, është në vijim siç priten edhe operacione të tjera. Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët vijim”.

Lidhur me analizën e policisë pas ngjarjeve në Shkodër, Hodaj theksoi se analiza bëhen gjatë gjithë kohës, por sipas tij nuk mund të flitet për një dështim të Policisë së Shtetit.

“Ne jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Kështu që nuk është e thënë të bëhet enkas një analizë për çfarë ndodh. Analiza bëhen gjatë gjithë kohës dhe besoj se nëse ka përgjegjësi do të nxirren edhe përgjegjësitë, por nuk mund të thuhet se policia dështoi në parandalim apo në veprim”, – përfundoi Hodaj.

Policia e Shtetit pas ngjarjeve të ndodhura në Shkodër ka shtuar masat për të vendosur sa më parë autorët përpara drejtësisë.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU