Reshjet e rena mbremjen e kaluar, megjithese kane shuar zjarret ne vend kane sjelle edhe probleme ne qarkullimin rrugor dhe furnizimin me energji ne disa zona te vendit.
Aksi rrugor Orikum – Dukat është bllokuar përkohësisht si pasojë e rëshqitjes së dherave. Për të ndihmuar lëvizjen në këtë aks, janë angazhuar dy patrulla të Policisë Rrugore.
Policia u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes për shkak të lagështirës në rrugë në shumë segmente dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit:
– Të ruajnë kontrollin e mjetit dhe të kryejnë manovra të sigurta
– Të qarkullojnë me shpejtësi konform segmentit rrugor dhe sinjalizimit përkatës
– Të përdorin rripat e sigurimit në mjete, kaskat mbrojtëse në motoçikleta
– Të mos përdorin aparatet celulare gjatë drejtimit të mjeteve
– Të mos përdorin pije alkoolike në rast drejtimi të mjeteve
– Të bëjnë kujdes me këmbësoret që kryejnë kapërcimin e rrugës jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.
“Karvanet me makina të dasmorëve të respektojnë rregullat e lëvizjes, të mos parakalojnë, dasmorët të mos dalin nga dritaret pasi bëhen burim aksidenti. Për shkelësit e normave të sjelljes gjatë drejtimit të automjetit, Policia Rrugore do të marrë masat administrative maksimale ndaj tyre”, njofton policia.
Megjithatë, 10 vatrat e zjarrit të një dite më parë janë shuar, duke normalizuar gjendjen në të gjitha qarqet në vend. Zjarri më i fortë ishte ai në malin e Taraboshit, në Shkodër, që për 3 ditë shkrumboi sipërfaqe me shkurre, dushqe dhe pisha të rralla.
Po ashtu janë shuar edhe vatra të tjera zjarresh në Munellë të Pukës, në disa fshatra në Mirditë, në Bulqizë ku u dogjën sipërfaqe me pishë dhe dushk, në Peshtan të Fierit dhe disa fshatra në Gjirokastër dhe Elbasan.
Meteorologët thonë se vendi është përfshirë tashmë nga masa të ftohta veriore. Parashikohet që edhe java që vjen të nisë me mot të paqëndrueshëm dhe me temperatura të ulëta. Ndërsa në mesjavë priten masa më të ngrohta, që do të rrisin sërish temperaturat.
Si pasojë e motit të keq me shira dhe erëra të forta që përfshiu vendin gjatë natës dhe orëve në vazhdim, në disa zona kryesisht rurale janë shkaktuar defekte.
Bëhet fjalë për këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh në linja dhe dëmtime shkarkuesish.
Gjithashtu, një pjesë e fiderave janë stakuar si masë sigurie nga operatorët e N/Stacioneve në rast për t’i paraprirë ndonjë defekti të mundshëm në rrjetin e TM.
Punonjësit e terrenit të OSHEE-së po punojnë për kthimin e gjendjes nënormalitet dhe në kohë sa më të shpejtë.
a.ç