Firma e Hysajt mbetet në shtator, ende dilema në kontratë

Rinovimi i Elseid Hysajt te Napoli do të bëhet temë diskutimesh vetëm në shtator, pasi palët për momentin kanë vendosur që të përqendrohen vetëm te fillimi sa më i mbarë i kampionatit. Biseda e parë mes drejtuesve të klubit italian dhe menaxherit Mario Giuffredi ka shkuar pozitivisht, pasi palët janë parimisht dakord për rinovimin e kontratës.

Menaxheri u ka bërë të qartë drejtuesve se ia kanë “borxh” lojtarit rinovimin dhe përmirësimin e kushteve financiare, pasi i kanë hequr mundësinë të shkojë te Chelsea ku do të fitonte më shumë. Ai kërkon një rrogë prej 3 milionë eurosh për lojtarin, ndërsa klubi anglez i kishte ofruar 4 milionë euro në sezon.

Lojtari mund të bëhej pjesë e bluve, po të mos ishte për “paktin” mes dy klubeve, që Chelsea nuk mund të marrë asnjë lojtar nga italianët pa lejen e Napolit, ndërsa ata që kanë klauzola u dyfishohen automatikisht. Në këtë mënyrë, për të blerë Hysajn pa pëlqimin e Napolit, ekipi i Chelsea-t duhej të shpenzonte 110 milionë euro, ndaj ka hequr dorë nga futbollisti.

Sipas mediave italiane, te Napoli janë të ndërgjegjshëm se Hysaj meriton një rritje rroge dhe mund të bien dakord për një marrëveshje të re për një shifër prej rreth 3 milionë eurosh. E vetmja gjë që mbetet të diskutohet është nëse do të ketë apo jo klauzolë largimi në kontratën e re të futbollistit të kombëtares shqiptare. (BW)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU