Dritë- hijet/ Shqipëri-Itali dhe Lufta e Ftohtë në mes

Çfarë ka ndodhur mes dy popujve miq përmes konflikteve e tensioneve politike e ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore. Në cilat situata janë gjendur fqinjët më të afërt me njëri-tjetrin ndërmjet fuqive të Bllokut Perëndimor, aleatëve të tyre në NATO e të tjerëve. Çfarë impakti dhe marrëdhënieve patën dy vende fqinje Shqipëria dhe Italia me fuqitë e Bllokut Lindor dhe aleatët e tyre në Paktin e Varshavës.

Ndërsa shpesh ngremë hije të zeza në marrëdhëniet tona, a i njohim të gjitha pikat e errëta dhe të ndriçuara të marrëdhënieve me fqinjin tonë të afërt Italinë. Na duhet të kapim “fillim e Arjanës” për të udhëtuar nga vitet 1944 deri në 1991 të Luftës së Ftohtë….

“Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë” ka qenë tema më komplekse e trajtuar ndonjëherë mes historianëve shqiptarë dhe italianë në Tiranë.

Konferenca që u mbajt të mërkurën më datë 24 maj në Hotel Tirana Internacional është organizuar nga Ambasada Italiane, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu dhe kuratori i kësaj iniciative, Prof. Paolo Rago.

Ambasadori i Italisë Alberto Cutillo, e çeli siparin e kësaj konference me kujtime nostalgjike brenda familjes së tij napolitane, e cila pas vitit 1944 informohej për fqinjin e tij prej një blloku lajmesh në italisht të përshtatura me sintaksën e regjimit komunist.

“Për sa i përket raportit Shqipëri-Itali gjatë Luftës së Ftohtë ne dhe ju kemi parë më shumë materialet ose energjinë e errët dhe nuk kemi bërë shumë për të ndriçuar të vërtetën. Kur isha shumë i ri kujtoj sesi në shtëpinë time në orën 9.00 dëgjohej një buletin lajmesh nga Tirana të përkthyera në italisht, ku flitej për një rritje marramendëse të shifrave ekonomike dhe të prodhimeve.

Dëgjonin të habitur dhe kishim shumë pyetje rreth jetës së fqinjëve tanë, që ne nuk e dinim as se çfarë imazhi kishin dhe çfarë mënyre jetese kishin. Kur isha pak më i rritur nisa të kuptoja më shumë rreth rrethanave pse ndodhte kjo.

Në fundin e viteve ‘80 u restaurua monumenti i Duçes që ishte i lënë mënjanë i patinuar dhe kujtoj që në Itali pati debate të mëdha sa u quajt edhe e turpshme kjo gjë. Gazetat i kanë të shkruara ende këto debate. Gradualisht kam kuptuar se çfarë ka ndodhur me historinë pasluftës së dytë botërore dhe mendoj se ka ardhur koha që të bëhet zbulimi i historisë, që të shihemi në sy me një miqësi më solide”, tha Cutillo.

Presidenti Alfred Moisiu, ish partizan dhe ushtarak i regjimit komunist u shpreh se: “Me fqinjët tanë italianë kemi qenë shumë të lidhur historikisht për mirë e për keq”. Sipas ish presidentit ka shumë rrethana të tjera politike ndërkombëtare që kanë ndikuar më marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndërsa përmend disa faktorë ushtarakë strategjikë që kanë ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, mesazhi i Moisiut është që “historia nuk mund të kuptohet nëse ngjarjet shkëputen nga njëra-tjetra.”

Një këndvështrim interesant i këtyre marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë gjatë Luftës së Ftohtë është ai i përgjegjësit të projektit të kërkimeve historike dr. Paolo Rago.
Rago u shpreh se arkivat ruajnë një pasuri argumentesh rreth këtyre marrëdhënieve, ku projektet e kërkimit do të vijojnë edhe në të tashmen.

“Të dyja vendet duhet të kërkojmë dokumente autentike për të kuptuar se gjatë periudhës ‘44-‘49 dokumentet nuk japin të dhëna të kompleksitetit historik. Ky projekt do të sjellë në dritë dokumente që flasin vetë dhe që janë të çliruar nga interpretimet ideologjike nga të dyja anët e Adriatikut. Versione të ndryshme të komunizmit në vende të ndryshme të Ballkanit kanë krijuar modele të dogmatizuara të historisë. Politika të qëndrojë jashtë tentativës së leximi historik të imponuar”, tha Rago

Pasi kujton disa arkiva që flasin për ndërhyrjen e Mehmet Shehut në Akademinë e Shkencave që urdhëronte se në studimet historike i duhej mëshuar temave mbi popullsinë mitike të pellazgëve e ilirëve dhe antikitetit, Paolo Rago u shpreh se “historia nisi të bëhej me këshillën e Partisë, ku viktima të menjëhershme ishin kërkimet shkencore dhe liria e shprehjes.”

Morozzo: Jakomoni e Fisheri s’janë të besueshëm 
Roberto Morozzo della Roca profesor në Universitetin e Romës ka folur për Pushtimin Italian të Shqipërisë, duke e trajtuar këtë teme në fokusin e manipulimeve që i bëhen historisë së drejtpërdrejtë të marrëdhënieve italo-shqiptare nga aleancat e tjera të Bllokut të Lindjes apo Perëndimit.

Konkretisht Della Roca ndër të tjera u shpreh se: “Historia e Luftës së Ftohtë që gjendet tek “Kujtimet e Jakomonit” dhe te libri i Fisherit janë kujtime personale me natyrë subjektive, që të mbrojnë veten e vet, e kanë pastruar historinë. Fisher kishte ndikim anglosakson. Ndërsa në të vërtetë historia e viteve ‘30-‘43 është vetëm një histori italiane dhe shqiptare. Fisher nuk i vlerësonte rrugët, punimet që kishte bërë Italia, ato rrugë e ato godina janë përdorur gjatë gjithë historisë. Fisher flet për shumë të vdekur në rezistencën e xhandarmërisë, por në atë kohë pati komunikata dizinformuese.

Lind pyetja: Pse Italia Fashiste pushtoi pushtoi Italinë e Zogut. Sepse Musolini donte një trofe për Hitlerin dhe e kishte frikë atë për shkak se ekonomia italiane nuk ishte e fuqishme ishte në rang sekondar. Arsyet e sjelljes së Kontit Çiano që desh të imbarkohej në Shqipëri janë se ai ishte dhëndri i Musolinit, pra zbatues udhëzash. Përballë këtyre fakteve nuk thua asgjë mëse e përshkruan Kontit Çiano si një ushtarak aventurier.

Kjo është një histori më e komplikuar. Në këtë rast ngrihet dhe një pikëpyetje tjetër. Pse Italia i besoi qeverisë së Bej Vërlacit dhe nacionalizmit të Mustafa Krujës. Sepse feudalët dhe nacionalistët e kishin pushtetin në Shqipëri dhe Ahmet Zogu nuk arriti ta ndryshonte sistemin social. Pse italianët i dhanë pushtet Mustafa Krujës? Sepse ata kishin humbur me Greqinë, dhe me shqiptarët i bashkonte një ndjenjë nacionalizmi me konsensus popullor. Ndërkohë italianët nuk kishin një pikë mbështetëse për të qeverisur Shqipërinë.

Italianët invazionin ekomomik nuk e shihnin si një gjë të keqe, sepse i mendonin shqiptarët si fëmijë, dhe nuk e parashikonin nacionalizmin e tyre. Roma kishte dashur një Itali në miniaturë dhe shqiptarët nuk do ta bënin këtë. Kujtoj sesi kur unë kam ardhur në Shqipëri në ‘92-shin vura re një simpati të menjëhershme mes nesh. me këtë dua të të kujtoj se nga prilli i ‘39-s deri në ’43-shin qeveria italiane investoi shumë në Shqipëri, bëri rrugë, hotele ujësjellësa dhe e gjitha ky ishte italianiteti, pra e ardhmja ishte Italia.

Deri në vitet ‘40-‘45 italianët njiheshin si zhvillues të teknologjisë dhe arsimit. Në fund të ‘40—ës ndryshoi qëndrimi i shqiptarëve. Niveli ekonomik nuk po ndryshonte më përjashtim të disa familjeve të pasura. Gjatë kësaj kohe Jakomoni klientëve të vet u dha mundësi pasurimi.

Kjo rriti mërinë e popullsisë. Nisi korrupsioni më pas edhe në ministritë e qeverisë shqiptare. Gradualisht u gjendëm kundër shqiptarëve. U bashkuam me nacionalistët e Shqipërisë së madhe dhe iu kundërvumë partizanëve. Ndërkohë Guerrilja interesohej për një Shqipëri të pavarur e të fortë kundër grekëve e sllavëve. Italianët rekomandonin një kthim tek politika tradicionale e mbështetjes së sovranitetit që të ishte vazhdim i këtij kuptimi”.

Stallone: Ja pse Hoxha s’e donte miqësinë italo-shqiptare
Settimio Stallone, profesor në Universitetin Federico të Napolit ka trajtuar temën: “Shqipëria kaq afër, kaq larg. Shqipëria në politikën e jashtme italiane në vitet ’44-60” ka ngritur disa pikëpyetje si duhet të ishte rindërtimi marrëdhënieve me Shqipërinë në këto vite dhe e ndan këtë periudhë zhvillimi të marrëdhënien në pesë faza, marrëdhënie që sipas tij rezultoi me një ndarje të dhimbshme mes fqinjëve të ndikuar nga marrëdhëniet e bllokut të lindjes dhe shpesh nga negociatat kapriçoze të Enver Hoxhës me Mario Palermon.

Enver Hoxha ishte i interesuar të ndahej me Italinë që të forconte sistemin diktatorial. Kështu Italia e Shqipëria ishin viktimat ideologjike që u vendosën pas perdes së hekurt. Një faktor ndarës ishte dhe rezistenca e britanikëve në atë kohë. Kështu nisi dhe vështirësia e rezervave të Bankës Kombëtare Shqiptare dhe rezervave të saj, çështje që mbyllet në maj të ‘49-s me marrëdhënie të rregullta me Shqipërinë.

Ndërsa marrëdhëniet ideologjike nuk ndryshuan asgjë. Shqipëria u vendos në gjendje të vështirë pas ndarjes me Stalinin dhe rrethuar nga Greqia dhe Jugosllavia që s’kishin ndryshuar asgjë në synimet e tyre. Është ndërtuar një marrëdhënie e një raporti të butë në ‘57-n që i lejonte Hoxhës të kishte një raport preferiencial. Në atë kohë Britania kërkonte rrëzimin e Hoxhës e kjo nuk kishte gjasa të ndodhte. Shqipëria ishte në kushte të vështira. Bashkimi Sovjetik e ndihmonte sporadikisht, nuk kishte një përvojë në këtë aspekt, ndërsa Italia e ka ndihmuar me një drejtim të qartë në vitet ‘53-‘54 por më pas marrëdhëniet u ndërprenë, sepse këto marrëdhënie Hoxha i konsideronte si kontaminim me influencat e jashtme.

Ndërkohë amerikanët dhe britanikët kishin synime politike dhe ekonomike si me të gjitha vendet e lindjes. Në këtë moment Italia kishte synime të qarta për Shqipërinë. Të shpëtonte Hoxhën nga Tito, sepse Bashkimi Sovjetik i thoshte Titos “Fli i qetë me Shqipërinë”. Kjo ndarje ishte zhgënjim i fortë i Italisë. Për fat të mirë vdes Stalini dhe ‘58-’59-a ishin vite të bukura afrimi me Shqipërinë. Kur Shqipëria kishte parasysh “memorien” fashiste, nisi të afrohej me Jugosllavinë. Marrëdhëniet ndryshuan më pas dhe marrëveshja e ‘57-s në Romë me Traktatin e Paqes rilidhi marrëdhëniet, ku pas kësaj janë riatdhesuar 20 mijë italianë të vdekur që ndodheshin në varrezat e braktisura. Në atë kohë është negociuar me Ministrin e Jashtëm Behar Shtylla, por Hoxha nuk e donte sistemin e ndryshëm socio-politik të Italisë, sepse vihej në lojë regjimi. Në këtë moment pas viteve ‘60 nis afrimi i Hoxhës me Kinën që ishte gjithmonë e pasigurt.”

Dr. Enriketa Papa, profesor në Universitetin e Tiranës, ka rrëfyer procesin problematik të riatdhesimit të italianëve në vitet ‘45-‘46…Papa rrëfen se edhe ky proces që ishte arritur në bazë të marrëveshjeje në dokumente regjistrohet nga këndvështrimi i qeverisë komuniste në ‘57-n, ku ka shumë pasaktësi.

“Ndërsa në ‘48-n dokumentohet një qëndrim i egër nga qeveria komuniste që nis me arrestime dhe pushkatime të intelektualëve të shquar italianë, dhe vijon me pengesat e marrëdhënieve me italianët e martuar me shqiptarë. Ndërsa pala italiane deklaronte keqtrajtimin e shtetasve italianë”.

Papa sjell një fakt të trishto për miqësinë mes dy vendeve që marrëdhëniet mes tyre do të bëheshin tepër të largëta përderisa interesat italiane në Shqipëri përfaqësoheshin nga Legata Franceze dhe ato shqiptare në Itali përfaqësoheshin nga Legata Jugosllave. “Rikthimi i eshtrave ishte një kaos me rreth 9000 varreza italiane që duheshin evidentuar dhe analizuar dhe dokumentuar”, tha Papa.

Profesor Antonio D’Alessandri nga Universiteti i Romës rrëfen tentativat e vështira përmes perdes së diktaturës komuniste për të vendosur marrëdhëniet reciproke që në gjuhën dokumentare shkruhej thjesht “avantazh reciprok”, sepse marrëdhëniet zyrtare nuk ekzistonin. Ndërkohë profesor D’Alessandri kujton edhe ndërhyrjen e grekëve që sa herë kishte marrëdhënie të mira mes Italisë e Shqipërisë nuk u vinte mirë dhe ishin të aftë të ndërhynin.

“Ata hapën fjalë për një imperializëm të ri në Ballkan dhe nuk munguan të ndërhynin në këtë çështje. Nga Italia u sugjerua blerja naftës në tregun shqiptar, por kjo blerje nuk ndodhi…Shqipëria në ‘60-n, 90 për qind të tregtisë së jashtme e bënte me bllokun e Bashkimit Sovjetik.

Italia dhe Shqipëria kanë qenë dy shtete me drejtime ideologjike të kundërta, por me premisa të fqinjësisë së mirë”, tha Artan Hoxha, profesor në Universitetin e Pittsburg-ut. Hoxha foli për një tjetër kompleks të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë. Si ishin ato nën lentën e Uashingtonit në vitet 1944-1960. Hoxha pas një analize të gjatë të faktorëve strategjikë e ushtarakë u shpreh se “në këtë kompleks marrëdhëniesh duhet të shfrytëzohen arkivat e shteteve të tjera dhe të ketë një përballje të tyre”

Dr. Nikola Pedrazzi, në kumtesën e tij “Vëllezër në antifashizëm, të ndryshëm në kushtetutë: u përqendruara në lidhjet e Partisë Komuniste Italiane me Partinë Komuniste Shqiptare në vitet 1944-1960 si historinë e një miqësie që nuk lindi kurrë. Pedrazzi përmendi disa raporte interesante me Partinë Komunsite italiane, e cila ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e marrëdhënieve, në rastet që i është lejuar. “Italianët gjithnjë kanë synuar të mos cenohet pavarësia e Shqipërisë. Jo vetëm ata, por i gjithë blloku perëndimor”, tha Pedrazzi. Ndërkohë ai kujton edhe traktatin e Hoxhës me Mario Palermon, që u shoqërua nga boshllëku diplomatik. “Kemi italianë në Shqipëri dhe nuk kemi marrë kurrë letrat e italianëve, por ato shkonin në kosh. Kanë qenë firmat e komunistit Gabardela që ndihmonin ndonjëherë që ato letra të lexoheshin nga italianët në Shqipëri.

Ndërsa kujton kohën e vëllazërisë italo-shqiptare në Antifashizëm, Predrazzi përmendi edhe historinë e tri monumenteve për italianët e rezistencës antifashiste në Shqipëri, siç është edhe monumenti i divizionit të Firences në Krujë. Një ngjarje tjetër është kur Hoxha pas testamentit të Maltës kur thyhet komunizmi prish marrëdhëniet me italianët.

“Hoxha mëson se Palermo kishte thënë: Problem janë fshatarët italianë që përkrahin revolucionin kinez, por shqiptarët nuk janë aq problem”. pas kësaj Hoxha vjell vrer në “Zërin e Popullit”, duke bërë thirrjen se Palermo ka devijuar nga komunizmi”

Historiania dr. Anna Esempio Tammaro sjell në kujtesë një tension mërie që ka qenë ndezur gjatë mes dy popujve fqinj. tension që instrumentohej nga aleatët perëndimorë. Tammaro trajtoi çështjen e arit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në dokumentacionin diplomatik britanik e atë italian. Duke folur për aspektet politike ekonomike dhe juridike të çështjes që u mbajt ndezur në vitet 1944-1958, Tammaro historinë e floririt dhe rezervave të Shtetit, ku Italia pretendonte se rezervat ishin italiane dhe Shqipëria kërkonte një zgjedhje e konsideroi si një nga çështjet më komplekse.

Konferencën e mbylli historiania Nevila Nika, e cila si ish-drejtore e Arkivës Qendrore të Shtetit Shqiptar, i ftoi studiuesit italianë të shkojnë te arkivat e shtetit. “Ku aty do të gjeni një thesar, por thesari po nuk u përdor nuk ka vlerë”, tha Nika, e cila kujtoi letrat e censuruara që familjet italiane u dërgonin të afërme të tyre në Shqipëri gjatë diktaturës dhe ata nuk i lexuan kurrë ato. Nika kujtoi se në arkiva gjenden edhe dëshmi të pronave dhe investimeve italiane në Shqipëri.

Gjatë konferencës që zgjati rreth 7 orë, janë paraqitur të gjitha rezultatet e punës kërkimore, që janë promovuar nga Ambasada Italiane dhe që do të vazhdohen më tej nga studiues të ndryshëm, si italianë dhe shqiptarë. Kjo është ende një fushë e hapur kërkimesh mbi një periudhë të gjatë e të vështirë të marrëdhënieve dypalëshe italo-shqiptare, të cilat ende nuk njihet në mënyrën e duhur dhe që meritojnë kërkime të mëtejshme.
shqiptarja.com/ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU