Bastet vetëm online, nga 1 janari nuk ngrihet më asnjë qepen

“Nga 1 janari 2019, në Shqipëri nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste të çfarëdo lloji”.

Qeveria shqiptare miratoi një ndryshim në ligjin për “Lojërat e fatit”, sipas së cilit, nuk do të lejohet ushtrimi i këtij aktiviteti, përveçse online.

Duke prezantuar këtë ndryshim ligjor, Kryeministri Edi Rama shprehu dje bindjen se, “ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi”.

“Ndryshimi përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda 31 dhjetorit 2018, do të ketë gati një regjim të ri”.

Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve, Kryeministri Rama paralajmëroi të gjitha mediat që brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet.

“AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU