Akuza e PD: Qeveria po redukton fondet për ish të përndjekurit

 “Qeveria redukton fondin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve duke  ndryshuar ligjin për trashëgimtarët”, deklaroi sot deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj

Në një deklaratë për mediat Alibeaj  shprehet se Edi Rama godet sërisht ish-të përndjekurit politikë dhe të dënuarit nga komunizmi, duke reduktuar fondin për dëmshpërblimet.

“Qeveria ka propozuar së fundmi ndryshime në ligjin e të përndjekurve politikë, duke sjellë regres të madh për procesin e dëmshpërblimit financiar të tyre. Ligji injoron rregullat e trashëgimisë dhe parashikon që pjesën takuese të familjarit. Ligji deformon mekanizmin e shpërndarjes së dëmshpërblimit, duke hequr dyshemenë dhe duke përcaktuar në vend të tij tavanin e dëmshpërblimit prej 1 milion lekë”, shprehet Alibeaj.

Po ashtu, Alibeaj  shton se ligji i hap derën qeverisë të rishikojë dëmshpërblimet e marra nga të përndjekurit, që do të thotë se edhe ata të përndjekur e familjarë që janë dëmshpërblyer duhet të rrinë me panik se qeveria mund të vendosë kthimin ose reduktimin e dëmshpërblimit.

“Është detyrim moral, kushtetues dhe mbi te gjitha politik i Partise Demokratike,  që ditën e parë të qeverisjes së saj ky ligj do të shfuqizohet, për të rikthyer edhe njëherë shpërblimin e plotë dhe të drejtë të ish të përndjekurve politike”, shprehet Alibeaj.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU