A mundet Ilir Meta t’i shërbejë zgjidhjes së ngërçit

Nga Ben Andoni

Ilir Meta nuk është në zenitin e arritjes së tij politike. Në fakt, rënia e tij ka ardhur qysh kur mëtonte për postin e presidentit me rolin shumë të dobët që luajti në menaxhimin e parlamentit, por edhe kursin e pasigurt që i dha formacionit të tij, LSI-së.  Ishin aq të dobëta projeksionet e tij, saqë e bënë në dy mandate formacionin e tij politik të shërbente thjesht si patericë dhe të mbahej mënd për bëmat e drejtorëve të vet.

Paçka asaj që atribuojnë njerëzit e tij, LSI-ja doli me një imazh edhe më përtokë se dy partitë kryesore, në vitet e bashkëqeverisjes. Monika Kryemadhi, bashkëshortja e tij, që drejton tashmë LSI-në pas ikjes së tij, duket se e ka rënduar edhe më shumë situatën, duke mos ia plotësuar dot vendin. Dhe, gabimi i saj shtohet me braktisjen e protokollit shtetëror, sipas të cilës duhej të ishte zonja e parë e vendit. Për të justifikuar këtë veprim, jo pak të habitshëm, ajo ka qenë shumë kritike edhe më të shoqin, presidentin e vendit, duke i faturuar mbetjen në politikë të kryeministrit aktual.

Duke përjashtuar në një farë mënyre sesi bëhen zgjedhjet te kjo parti dhe rrënjët familjare të saj, Kryemadhi e ka përcjellë partinë drejt një koalicioni me PD-në, me të cilën ishin armiq të thekur dy vjet më parë, duke humbur krejtësisht fizionominë e kësaj partie. Duket se Ilir Meta po e gëzon në një farë mënyre këtë kaos. Tek e fundit, po u tregon njerëzve të partisë së tij, se ai dhe vetëm ai mund ta menaxhojë si duhet partinë. Kurse, ndërkohë po u tregon indirekt sesa vështirë është të merresh me Edi Ramën, kur nuk është ai vetë.

Për hir të së vërtetës, Ilir Meta ia vështirësoi shumë mandatin e parë Edi Ramës me akrobacitë e tij dhe sidomos me papritshmëritë e vendimeve, kurse kryeministri i lidhur pa fund pas tij, ia shtroi rrugën për në poltronin e numrit të parë të vendit.

Pavarësisht se Ilir Meta nuk ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, ai ka treguar se edhe pa qenë mbi palët, ka ruajtur një lloj ekuilibri në mandatin e tij të parë si president. Kuptohet se nuk mund t’ia falë qesënditë Ramës, e mbi të gjitha ofendimet dhe nëpërkëmbjet që kryeministrit po i bën sistematikisht të shoqes, por në këtë post, Meta duket komod për të bërë një pushim pas dy dekadave luftë dhe për të soditur ose më shumë akoma të imunizohet nga Vetting. E megjithatë, jo pak herë, me tagrin e vet, i ka treguar vendin kryeministrit, që e ka marrë inercia e autoritarizmit në një rrugë pa krye. Brenda tagrit ligjor e kushtetues, ose ashtu si është e shkruar në Kushtetutë si “përfaqësues i unitetit të popullit” ai ka “respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve”, duke “i shërbyer interesit të përgjithshëm”, duke kthyer jo pak ligje pas, duke marrë në kurriz me këtë rast anatemat e shumë njerëzve të PS-së. Çështja më delikate ishte ajo që lidhej me dhënien e autorizimit për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për fillimin e negociatave zyrtare me Greqinë.

Gjithsesi, në këto momente, kur Shqipëria është në një kaos jo të vogël, duket se roli i tij është mëse i domosdoshëm për të thirrur e marrë në Presidencë kushtet e studentëve dhe për t’i ndërmjetësuar me një pushtet shumë patetik, që përfaqësohet nga Rama. Tek e fundit, institucioni i presidentit, paçka ngjyrës, është de jure mbi palët dhe kjo mund ta bëjë që edhe kryeministri i vendit, t’i japë fundit monologut të përditshëm lodhshëm dhe fyes. Ashtu si dy politikanët e tjerë Basha dhe Kryemadhi, që po e katandisin vendin të duket se nuk di të bëjë protestat e duhura ose më keq akoma, të duken për PS-në si hajmali kundër protestës.

Ndërkohë, studentët shqiptarë, që janë nëpërkëmbur kanë nevojë për gjërat më të domosdoshme për të vazhduar studimet, në mënyrë që t’u hapet pak shpresa për të ardhmen, që të gjithë politikanët shqiptarë e kanë fshirë.

Ndaj, tashmë ka ardhur sërish koha e Ilir Metës, që të tregojë se mund ta zgjidhë këtë ngërç duke i treguar derën kryeministrit, ashtu si derën e shpresës së studentëve, që nuk besojnë më tek askënd. Kuptohet duke mbajtur larg thashethemexhinjtë e PS-së, militantët e paskrupullt të së shoqes dhe poterexhinjtë e ish-mikut Basha, që duket se po e zvetënojnë dhe këtë lëvizje kaq të bukur. (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU