Nga Armando Meta/
8 dhjetori është jo vetëm një pikë kthese në historinë e Shqipërisë, të kalimit të saj nga diktatura në demokraci, por edhe një ditë reflektimi. Një ditë reflektimi për dëshirat për të ndryshuar Shqipërinë 25 vite më parë, dhe situatës aktuale. Pa dorashka duhet thënë se 25 vite më pas Shqipëria është në një gjendje dëshpëruese. Një vend i sfilitur, i vjedhur paturpësisht nga klasa e saj politike, një vend ku intersat personale politike fundosën idealet dhe dëshirat e 8 dhjetorit. Edhe këtë vit PD-ja, me 8 dhjetor, përpiqet të bëj “adetin”, në vazhdën e përpjekjeve të saj për ta privatizuar këtë datë. Por për shumë shqiptar, në fakt, 8 dhjetori është pasqyra më e mirë për të parë sesi kjo forcë politike vit pas viti, sidomos në qeveri, deformoi dhe zhbëri çdo ideal minimal demokratik.
PD-ja vjen çdo 8 dhjetor me një bilanc zhgënjyes. Në harkun kohor të 25 viteve të fundit, PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha herë si president e herë si kryeministër, ka qeverisur vendin në masën rreth 65% të kohës. Dhe bilanci i saj qeverisës është një Shqipëri e shkatërruar në themel. Është një Shqipëri e zaptuar nga ndërtimet pa leje, e shkatërruar në zonën bregdatre, e shkretuar në pyje e kullota. Është një Shqipëri ku e drejta e pronës është minuar tërësisht, ku të gjithë ofiqarët e PD-së kanë vila e makina të shtrenjta e jetojnë në luks, ku dinjiteti njerëzor është në nivelet më të ulëta historike, ku bandat me lidhje politike lulëzuan dhe kanë marrë peng vendin.
Është një Shqipëri ku kjo forcë politike e çoi gati në luftë civile, ku etja për fitim shfaros fshatra e vret dhjetra njerëz si në Gërdec, ku njerëzit e opozitës vriten publikisht në mes të bulevardit dhe askujt si “hyn gjemb në këmbë”, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme vijojnë të jenë ëndërr.
Është një Shqipëri ku drejtojnë injorantët, ku varfëria është sheshazi, ku kriminalizimi i pushtetit u bë qëllim kryesor, ku drejtësia poshtëron ditë për ditë, ku zyrtarë dhe drejtuesit e lart të PD-së kanë sfiduar dhe vijojnë të sfidojnë ligjin, duke mos dhënë llogari për vjedhje dhe korrupsion në shifra të frikshme, ku ëndërra për një Shqipëri europiane, normale, është zëvendësuar me dëshirën për t’ia mbathur një orë e më parë nga ky vend, etj., etj. Është kjo panoramë që na sillet përpara çdo 8 dhjetor, e një Shqipërie që lëngon. Përpjekjet e PD-së për tu kapur pas datave historike, më shumë se frymëzimi për ato momente historike, na kujton vetëm rrënimin dhe shkatërrimin e vlerave morale, njerëzore dhe intelektuale.
Me 8 dhjetor PD-ja na jep më shumë mundësinë për të parë sesi idealet e dhjetorit degraduan në ideale pasurimesh individuale dhe familjare të paligjshme. Më 8 dhjetor kuptojmë qartë pafuqinë e rrotacioneve të elitave brenda kësaj force politike, ku kulti i individit vijon të jetë prezent në mënyrë evidente si para viteve ‘90, ku diferencimet klasore vijojnë të jenë ende themeli gjallues i kësaj force politike. Çdo 8 dhjetor kujtojmë logjikën e (ish) shefit të PD-së që ngriti kultin e tij personal duke mos kursyer as privatizimin e kësaj date, ndonse nuk kishte asnjë lidhje me Lëvizjen Studentore, njësoj sikur ka privatizuar PD-në, pronat publike, institucionet kushtetuese etj., gjatë 13 viteve në pushtet. Në gjithë këtë panoramë ngrihet realisht një pyetje. Për çfarë e kujton realisht PD-ja këtë datë?
Natyrisht vetëm për propogandë. 8 dhjetori na kujton pafuqinë tonë për të bërë realitet ëndërrën për të qenë një vend normal europian. Ndërsa PD-ja vjen si forca politike e zhgënjimit të madh. Këtë të paktën nuk do ta harrojmë…çdo 8 dhjetor.