Policia e Tiranës ka arrestuar vajzën nga Elbasani, e dënuar me burg pasi kanosi të dashurin e martuar.
Në pranga u vu dje Xhensila Bylyku, 28 vjeç, banuese në Elbasan.
Ajo u arrestua se Gjykata e Krimeve të Rënda, e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Historia
Xhensila Bylyku, 28 vjeçe ishte një e dënuar në mungesë e shpallur në kërkim për gjobëvenie pas vendimit që i dha dy vjet heqje burgim.
Vajza nga Elbasani u shpall fajtore pasi kërcënonte një biznesmen që e kishte njohur në Facebook se bisedat intime me të do t’ia dërgonte bashkëshortes së tij, ka raportuar Top Channel, nje vit me pare teksa publikoi historine e saj.
“Fillimisht ajo më kërkonte t’i mbushja telefonin, pastaj më thoshte se t’i kam rregjistruar bisedat e do t’ja nis bashkëshortes.
Kjo situatë vazhdoi deri në fund të dhjetorit kur ajo më tha se shpëtoja prej saj duhet ti dërgoja 1 mijë euro. Nuk pranova.
Por ajo më tha se do t’i shkruante gruas time në Facebook. I dërgova 700 euro.
Pas disa muajsh ajo u kthye sërisht dhe më tha ; që të zhdukem nga jeta jote dua 2 mijë euro”, shprehet kallzuesi në materialet hetimore.
Xhensila është një ndër 10 rastet e gjykuara gjatë 2015-s në të cilat rezulton se të akuzuarit kanë përdorur foto dhe materiale intime të ish-partnerëve të tyre për t’ju vënë gjoba.
Rasti më tipik është ai i një studenteje në vitin e dytë, e cila pas një marrëdhënieje 1-vjeçare gjobiti ish-të dashurin:
“Ke kohë deri në orën 16:00 të hedhësh në llogari 15 mijë euro përpara se gruaja jote ta marrë vesh historinë tënde. Hidhi në llogarinë me emrin Desilvja. Mos harro.. kam foto, di shkollën e vajzave të tua, shtëpinë tënde, kam aq arsye sa të vi që sot. Dhe mos guxo të bësh lojra, mos e qaj me njëri hallin, e gjitha mbyllet këtu në mënyrë të drejtë.”
Aktualisht nën gjykim për akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, është edhe 28-vjeçari Bafti Nerguti, për të cilin prokuroria thotë se ka gjobitur ish-të dashurën. Ndërkohë që në Shkodër dy 25-vjeçare u arrestuan pasi i kërkonin një vajze 1 mijë euro, në të kundërtën e kërcënonin se do t’ia publikonin fotot në Facebook.
Krimet e Rënda kanë gjykuar për 2015, 40 raste gjobëvëniesh, më tipiket ato mes partnerësh dhe mes adoleshentësh që kërcënojnë njëri-tjetrin. Fare pak janë gjobëvëniet ndaj biznesmenëve për të cilat të jenë dënuar grupe kriminale.
c.a