Zike Pallaska më shkruan!

(Si kronist, që përzgjedh e ndjek lajmin)

Nga Pëllumb Kulla

1.

Or byrazer, këtu ka bërë shumë zhurmë përdorimi i lotësjellësit. Nëpër gazeta dhe studio tv u fol për përdorim të tepëruar. “U kalua masa,’’ thoshte shumica e gazetarëve, atyre që e shohin shtrembër policinë e Lleshajt.

Pra edhe ata duket se e pranojnë që mund të përdoret gazi, por lind pyetja: masa! Masa, dakord, po sa është kjo masë?

Në qarqet afër policisë, na u tha në vesh se aty përgatitjet bëhen në varësi të përgatitjeve dhe deklaratave të organizatorëve të protestës.

Nga deklaratat e zotit Basha eprorët e policisë përcaktojnë numrin e policëve, sasinë e gazit dhe të ujit për të përballuar valën e protestuesve.

Por policies llogaritë i dalin gabim, se ata nga SHQUPi thonë gjithmonë që kemi përpara protestën më masive në histori.

Dhe kështu duket sikur është vetë Basha që përcakton dhe policët edhe sa gaz e ujë duhet të marrin me vete … Bela e madhe!

2

Tani, byrazer, lajm është një ëndërr e imja, por kjo nuk është ëndërr nga hiçi.

Këtu i janë vërsulur keq institutit për studimin e krimeve që bëri komunizmi dhe që shkurt i thonë ISKK.

Agron Tufa, i pari i këtij instituti, me ca lista kriminelësh, ia ka sjellë në majë të hundës prokurorit plak Spartak Braho.

Një gazetë ka dy javë rresht që, ditpërditë, kësaj përplasje i kushton faqen e parë me emrin e Tufës që i ka gërmat një pëllëmbë!

Instituti ka 25 vjet që është krijuar por, – më mirë vonë se kurrë, – Brahua na është kujtuar që ky institut nuk duhej fare!

Prokurori thotë që fjala krim duhet hequr se 50 vjetët që shkuan nën Enverin nuk patëm as krime, as kriminelë. As në luftën çlirimtare dhe as pas kësaj lufte nuk është bërë asnjë vrasje pa gjyq, thotë ai.

Tani ku hyn ëndrra ime, do thuash ti, byrazer. Mbrëmë unë pashë ëndërr sikur na qënkej zbuluar një komplot, që veç ëndrra mund të bashkojë komplotistë, nga ata, që në jetë s’patën pirë bashkë një kafe.

M’u bë sikur dy komplotistët ishin Enver Hoxha dhe Agron Tufa! Një dyshe vrastare, ku Tufa bënte listat e komunistëve të shquar që patën komanduar edhe brigada partizane. Pra, Tufa caktonte emrat, Hoxha i vriste! Kërdinë bënë ata të dy. U zgjova i llahtarisur…

* * *

Këto lajme këmi hëpërhë. Të tjerat priti në ditët që vijnë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU