Zidane ia ka bërë të qartë presidentit Perez: Ose Pogba, ose askënd

Me Jovic e Hazard dhe me Mendy që pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme, Reali ka bërë 3 goditje shumë të rëndësishme, por nuk ka mbaruar, sepse do të jetë një verë e nxehtë, ku pritet të paktën një tjetër goditje e madhe.

Në mediat spanjolle vazhdojnë të mbajnë gjallë shpresat e tifozëve për një sulmues klasi (Neymar apo Mbappe), por në realitet Reali është i përqendruar te blerja e një mesfushori klasi.

Emrat në tryezë janë tre: Pogba, Eriksen dhe Van de Beek. Megjithatë, sipas së përditshme MARCA Zidane e ka ndarë mendjen dhe ia ka bërë të qartë presidentit Florentino Perez: Ose Pogba, ose askënd!

Klubi madrilen dëshiron t’ia plotësojë dëshirën, por Manchester United nuk zbret poshtë 150 milionë eurove, shifër që Reali nuk dëshiron ta paguajë. Një zgjidhje mund të jetë përfshirja e Gareth Bale në operacion, por edhe vetë Pogba mund të sakrifikojë, duke ulur pagën dhe duke firmosur një kontratë shumë të gjatë, deri në 6 vite.

Eriksen është i preferuari i drejtuesve të Realit, por Zidane ka vënë veton dhe nuk e do në ekip, ndërsa Van de Beek konsiderohet tepër i ri dhe pa eksperiencë për t’i besuar mesfushën madrilene, ndryshe nga Pogba, lojtar i kompletuar, që shënon të paktën 10 gola në sezon dhe di të flasë spanjisht, ndaj ambientimi nuk do ishte problem.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU