Vlorë: Rinisin reshjet e dëborës, vështirësohet qarkullimi në Qafën e Llogorasë

Një pjesë e territorit të Qarkut të Vlorës është përfshirë nga  reshjet e dëborës, të cilat janë shfaqur mesditën e të martës, mes të tjerash edhe në Qafën e Llogorasë, ku intensiteti ka qenë i lartë.

Por, pavarësisht kësaj, qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor që përshkon këtë zonë ka vazhduar pa zinxhirë, megjithëse në kushte  më të vështira, krahasuar me ditët paraardhëse.

Mjetet borëpastruese janë duke punuar për të mbajtur të hapur rrugën, ndërkohë që paralelisht po kryhet procesi i hedhjes së kripës, për të parandaluar krijimin e shtresave të akullit.

Mësohet se intensiteti i qarkullimit të automjeteve në të dy kahjet ka qenë normal, në përputhje me fluksin mesatar të kësaj periudhe të vitit.

Llogora 96 (2)Ndërkohë, reshjet dëbore ka patur edhe në disa nga fshatrat e Lumit të Vlorës, si në fshatinTërbaç, pjesë e Bashkisë Himarë, por me intensitet më të ulët, krahasuar me pjesë të tjera të qarkut.

Në Qarkun e Vlorës, reshjet e dëborës u shfaqën të premten e javës së shkuar, çka shënoi edhe fillimin e përkeqësimit të dukshëm të motit, shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave. Kushtet e pazakonta atmosferike, janë shoqëruar me një sërë shqetësimesh në furnizimin me energji elektrike, me ujë të pijshëm dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në akse të ndryshme rrugore.

Prej disa ditësh, një pjesë e konsiderueshme e qytetit dhe e fshatrave që përfshihen në Bashkinë e Vlorës, po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjetin e ujësjellësit si pasojë e pranisë së ngricave. Po ashtu, probleme dhe mungesa ka patur edhe në furnizimin me energji elektrike.

Shtabi i emergjencës në Bashkinë e Vlorës po koordinon punën për të minimizuar pasojat. Krahas të tjerash, patrullat e Policisë Bashkiake, po monitorojnë situatën e qarkullimit rrugor në segmentet rrugore brenda qytetit dhe në disa të tjera në zonat rurale, ku ka patur prani të dukshme të ngricave./a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU