Vllaznia është rikthyer me këmbën e mbarë në Superiore, pasi ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Laçit. Trajneri Mirsad Jonuz debuton si duhet me shkodranët që kanë arritur të fitojnë me një supergol të Hygor-it në mbyllje të pjesës së parë, ndërsa Laçi i pretendimeve të mëdha bie në Shkodër.
Pjesa e parë ishte e kujdesshme nga të dy krahët dhe skuadrat nuk rrezikuan shumë. Sherri dhe Stajila ishin thuajse spekatatorë. Atëherë kur u mendua se skuadrat do të shkonin me barazim në dhomat e zhveshjes ishte braziliani Hygor që dërgoi topin në rrjetë me një goditje nga distanca. Ai gjuajti fort me të djathtën dhe la të shtangur portierin kundërshtar. Vllaznia e mbylli në fitore pjesën e parë.
Pjesa e dytë ishte një pasqyrë tjetër me Laçin që ishte më kërkues. Kurbinasit u zhvendosën në gjysmëfushën e kuqebluve, ndërsa vendasit u mbyllën mbrapa. Laçi nuk pati shumë raste të rrezikshme, por në dy momente ku u shfaq rrezikshëm ishte portieri Sherri që reagoi mirë.
Deri në fund nuk u shënuar asnjë gol tjetër dhe Vllaznia merr 3 pikët e para me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar!/ telesport
g.kosovari