VIDEO/ Strakosha mund Gjimshitin në finale, Lazio fiton Kupën e Italisë ndaj Atalanta-s

Lazio ka fituar Kupën e Italisë dhe ka siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League-s pasi ka mundur Atalanta-n në finale me rezultatin 2-0. Heronjtë e ndeshjes, kanë qenë Sergej Milinkovic-Savic dhe Correa, të cilë kanë vendosur sfidën në minutat 82′ dhe 90′-të.

Ky ka qenë triumfi i shtatë në Kupën e Italisë për bardhekaltrit, të cilët kanë kapur Inter-in në renditjen e skuadrave me më shumë trofe të fituar në këtë kompeticion. Para tyre janë Juventus (13) dhe Roma (9). Ndërkohë, Atalanta, që nuk luante një finale të Kupës që nga sezoni 1962-63, është ndalur në momentin më të bukur.

Ka pasur pak Shqipëri në këtë finale, me Thomas Strakoshën që ka fituar derbin me Berat Gjimshitin dhe ka pasuruar koleksionin e tij me Kupën e Italisë numër dy, pas asaj të fituar në sezonin 2012-13 si lojtar rezervë.

Lajmet e mira për Lazio-n nuk mbarojnë me kaq, sepse bashkë me Kupën e Italisë bardhekaltrit fitojnë edhe 10 milionë euro. Në ankandin e fundit të bërë për të drejtat televizive, RAI ka mposhtur konkurrencën e Mediaset, duke ofruar 35 milionë euro në sezon (përfshirë edhe Superkupën e Italisë) për periudhën 2018-21, 12 milion më shumë në krahasim me trevjeçarin e mëparshëm./ i.h

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU