Shkëndija e Tetovës ka hedhur një hap shumë të sigurt drejt kualifikimit në turin e dytë të Ligës së Kampioneve duke fituar në transfertë në fushën e kampionëve të Estonisë, Nome Kalju.
Skuadra e Qatip Osmanit jo vetëm që ka fituar, por e ka bërë një gjë të tillë duke dominuar plotësisht ndeshjen, ndonëse e mbylli vetëm 1-0 falë një penalltie.
Që në pjesën e parë tetovarët krijuan disa raste për shënim dhe iu afruan më shumë golit, duke goditur edhe shtyllën me Radeskin.
Ata nuk ulën ritmin as në pjesën e dytë duke e kërkuar me ngulm golin që do të bënte më të lehtë rrugëtimin e tyre.
Ai erdhi vetëm falë një penalltie pak minuta para fundit të ndeshjes, kur Ibraimi me saktësi dërgoi topin në rrjetën e portës kundërshtare për t’i dhënë një avantazh të rëndësishëm skuadrës së tij drejt kualifikimit.
Ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme, ndërsa fituesja e këtij çifti, në turin e dytë përballet me fituesen e çiftit Sëlltik-Sarajevo.
- Kalju-Shkëndija 0 – 1
81′ (p) Ibraimi