Partizani mbetet “jetime” në Kupat e Europës. Të kuqtë janë skuadra e vetme që garojnë ende me skuadrat më të mira Europiane, pasi kanë siguruar kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Europa League.
Një skenar që mbërriti pas takimeve të dyta të zhvilluara sot, me Teutën, Laçin dhe Kukësin që u hodhën në “tokë” si birila.
Skuadra nënkampione nuk i bëri ballë furisë së Debrecenit, edhe pse ishin ata që kaluan të parët në avantazh. Et’hemi dha sinjale se Kukësi ishte futur në fushën e “Elbasan Arenës” me synimin për të përmbysur rezultatin 3-0 në takimin e parë.
Gjithsesi, i këtij mendimi nuk ishte Szatman. Mbrojtësi shfrytëzoi në maksimum një përgjumje të ekipit tonë dhe me qetësinë më të madhe vulosi rezultatin përfundimtar në 1-1 dhe atë të përgjithshëm në 4-1.
Ndërkohë një gol bën diferencën dhe Laçi “detyrohet” t’i shikojë nga shtëpia raundet e tjera të UEFA Europa League.
Kurbinasit janë mposhtur me rezultatin 1-0 në transfertën e Izraelit, me Hapoel Beer Sheva që kalon në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm, 2-1.
Goli i vetëm në “Toto Turner Stadium” u shënua nga Sabag në minutën e 69-të të takimit.Një disfatë mjaft e hidhur kjo për kurbinasit dhe futbollin shqiptar, që humbet skuadrën e saj të dytë në Kupat e Europës.
Ndërkohë, skuadra e vetme që e ka siguruar tashmë raundin e dytë, pikërisht në Europa League pas eliminimit nga Champion është Partizani. Më parë ishte Teuta qw i dha lamtumirën Kupave të Europës.
g.kosovari