Tashmë është zyrtare, Kosova nuk mundi të hyjë në UNESCO pasi i munguan 3 vota, pas rezultatit me 92 vota pro, 50 kundër e 29 vota abstenim . Në mbledhje të rezultateve, për anëtarësimin e Kosovës do duhej të kishte një total prej 95 votash pro, ndërsa Kosova arriti të grumbullojë vetëm 3 vota më pak.
Pas një beteje të gjatë për këtë çështje, shteti më i ri i Europës nuk mundi të fitojë të drejtën e tij për të qenë pjesë e kësaj organizate botërore. Pavarësisht se të gjitha fuqitë e mëdha kanë votuar pro hyrjes së Kosovës në UNESCO, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Një sërë shtetesh kanë shpallur abstenimin e tyre në lidhje me çështjen. Sakaq vendet e rajonit kanë votuar pro kërkesës së Kosovës, vende si Mali Zi dhe Maqedonia ndërsa Bosnja ka abstenuar.
Pak më parë, Këshilli i UNESCO-s votoi kundër kërkesës së Serbisë për të shtyrë kërkesën e anëtarësimit të Kosovës me 90 vota kundër, 59 pro dhe abstenimin e pjesës tjetër të shteteve. Në debatin mbi kërkesën serbe u duk qartë ndarja lindje-perëndim. Fuqitë e Mëdha mbështetën kërkesën kosovare për anëtarësim, ndërsa Rusia ishte ajo që shprehu mbështetjen ndaj Serbisë.
Zv.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, shkruajti pas votimit në rrjetin social:
“U fitua një betejë proceduriale për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s. U rrëzua propozimi rus dhe serb për shtyrje”.
Tentativës së Serbisë për të shtyrë votimin për hyrjen e Kosovës në UNESCO i kanë dalë kundër fuqitë e mëdha si SHBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Austria, të cilat në fjalimet e përfaqësuesëve të tyre janë shprehur kundër shtyrjes dhe pro anëtarësimit të Kosovës.