Verifikime për aktivitetin e grabitëses Anna në Greqi

Policia e Fierit arrestoi dje edhe të dyshuarin e dytë për grabitjen e karburanteve nën kërcënimin e armës.

Emiljano Grembi u prangos në tentativë për t’u larguar nga fshati i tij Belinë në Patos. Pasi mësoi lajmin e arrestimit të kushërirës së tij, Anna Malaj, ai ka tentuar të fshihet në fshat dhe ka pritur që të errësohej që të largohej gjatë natës. Por, policia ka pasur informacion në rrugë operative se ai ndodhej në fshat.

Ata kanë qenë në pritje të lëvizjeve të të dyshuarit dhe sapo ai ka dalë në rrugën e fshatit ata e kanë vënë në pranga. Edhe 22-vjeçari, ashtu sikurse bashkëpunëtorja e tij, nuk ka pranuar që të ketë gisht në vjedhjen e karburantit dhe në dy tentativat e tjera. Ai u ka thënë hetuesve se këtë lajm e ka dëgjuar nga mediat dhe është i befasuar.

“Nuk kemi lidhje me vjedhjen. Me siguri iu kanë dhënë emrat gabim. Unë jetoj me djersën time”, mësohet të ketë thënë i arrestuari si i dyshuar i grabitjes së shumës prej 30 mijë lekësh të rinj në një karburant. “Shtetasi Emiljano Grembi në bashkëpunim me kushërirën e tij, shtetasen Anna Malaj (e cila u ndalua nga Policia dy ditë më parë), nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të rinj. Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti, por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Në datën 15.07.2018, në lagjen ‘1 Maji’ Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale ‘Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak’”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se 31- vjeçarja Anna Malaj dyshohet të ketë qenë ideatore e grabitjes dhe dy tentativave të tjera. Ajo jetonte mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer në banesën e saj në Mallakastër.

Ndërsa prindërit dhe djalin e saj 10 vjeç, fryt i një bashkëjetese të mëparshme të saj, jetonin në Greqi. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka dyshime të forta që e reja të jetë implikuar në vepra të tilla penale edhe në shtetin grek.

Për këtë arsye, do t’i kërkohen zyrtarisht Policisë së këtij vendi të dhëna në lidhje me këtë shtetase, nëse ajo ka precedentë atje. Edhe ditën e djeshme mësohet të jetë marrë në pyetje, por 31- vjeçarja ka mohuar sërish të ketë lidhje me ngjarjet e ndodhura./Panorama/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU