U përpoqa ta hap me forcë bombolën dhe e pashë veten në rrugë
Është përpjekur të hapë bombolën, e cila ishte e bllokuar dhe në moment e ka parë veten të hedhur në rrugë. Kjo është dëshmia e pronarit të ëmbëltores ku shpërtheu gazi pasditen e kësaj të diele. Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore Abdulla Dervishi thotë për mediat se bombola ka shpërthyer në momentin që ai ka dashur ta hapë me forcë.
“Ka qenë gruaja që ka tentuar të hapë bombolën në pjesën e kuzhinës. Ajo më ka kërkuar ndihmë pasi nuk po e hapte dot. Unë mora një çelës që ta hapja, në këtë moment ka pasur shpërthim”. Abdullai thotë se shpërthimi ka ndodhur në momentin që ai po ushtronte forcë për ta hapur. “Më pas nuk mbaj mend asgjë..e gjeta veten në rrugë”, thotë ai. Dyshohet se një defekt i vjetër në kokën e bombolës solli edhe shpërthimin dramatik.