Trump: SHBA mund të dërgojë 2 mijë trupa nga Gjermania në Poloni

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të mërkurën se ai është duke konsideruar dërgimin e 2,000 trupave amerikane nga Gjermania në Poloni, hap i kërkuar nga Varshava për të ndalur agresionin eventual nga Rusia.

“Jemi duke diskutuar këtë çështje”, u ka thënë Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, teksa është takuar me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Shtetet e Bashkuara kanë trupa në Poloni, sipas marrëveshjes së vitit 2016, me aleancën ushtarake të NATO-s, në përgjigjje të vendimit të Moskës për të aneksuar Krimenë nga Ukraina më 2014.

Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë rreth 50,000 trupa në Gjermani dhe se 2,000 prej tyre mund të dërgohen në Poloni.

Sipas tij, Polonia do të shpenzojë shumë të holla në objektet ushtarake për këta trupa.

Përveç kësaj, Trump ka thënë edhe se shpreson që Rusia “do ta trajtojë Poloninë me respekt”.

“Fatkeqësisht atyre u shkaktohet dëm shumë shpesh”, ka thënë Trump për polakët.

“Ata janë në mes të të gjithave. Kur ndodhin gjëra të këqija, duket se Polonia është e para. Shpresoj se Rusia, Polonia dhe Gjermania, të bashkëpunojnë”, ka thënë Trump, i cili shpesh është kritikuar nga demokratët, se është shumë i afërt me Rusinë dhe presidentin e këtij shteti, Vladimir Putin.

Trump ka thënë se ai do të udhëtojë drejt Polonisë, ndonëse nuk ka përmendur data.

Duda në anën tjetër ka thënë se këtë javë do të bëjë publike detajet e një marrëveshjeje që synon të rrisë prezencën e sigurisë amerikane në Poloni.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU